Ekonomi

VV: Emërimi i Begollit në krye të Telekomit goditja finale e biznesit më fitimprurë

Autori: Gazeta inFokus 13:07 | 23 June 2018

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas emërimit të Gent Begollit të AAK-së, si kryeshef i ri i Telekomit që është në krizë.

Në kohën kur vetë qeveria pranon se Telekomi i Kosovës është duke u përballuar në një situatë të vështirë financiare që ka ardhur para së gjithash për shkak të menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje, thuhet në komunikatën e VV-së, Bordi i kësaj kompanie ka emëruar në krye Gent Begollin, një zyrtar të AAK-së, pa asnjë eksperiencë në fushën e telekomunikacionit dhe të menaxhimit.

“Kuvendi i Kosovës, në disa diskutime në lidhje me Telekomin, ka kërkuar që Qeveria të ndërmarrë masa për nxjerrjen nga kriza të kësaj kompanie. Emërimi i Begollit tregon se ky pushtet është duke e bërë saktësisht të kundërtën, pra, po vazhdon praktikën e ndjekur nga PDK-ja, e cila për vite me radhë përdori këtë kompani për qëllime politike, elektorale e korruptive”, thuhet në reagim, transmeton Koha.net.

-Advertisement-

Aty thuhet se është pikërisht kjo qasje e ndjekur gjatë nga partitë e pushtetit, që ka sjellë kompaninë më fitimprurëse në Kosovë buzë falimentimit, praktikë kjo që është përcjellë edhe në kompani të tjera publike, të cilat pasi janë zhvlerësuar tejmase, u janë dhënë grupeve të interesit të lidhura me pushtetin nëpërmjet privatizimeve abuzive.

“Lëvizja Vetëvendosje ka folur e shkruar shumë mbi qasjen e pushtetit që e ka sjellë Telekomin dhe kompani tjera publike në prag të kolapsit, herë me qëllim dhe herë për shkak se thjesht nuk ka pasur dije e përgatitje profesionale. Kur një drejtor menaxhues emërohet në një kompani publike pa pasur ekspertizën e duhur, ai e di se është aty duke iu falënderuar partive në pushtet, dhe, kur kjo ndodhë, vendimet e tij do të jenë të orientuara më shumë drejt shpagimit të borxheve ndaj politikës sesa drejt zhvillimit të kompanisë”, thotë VV.

Ndër të tjera thotë se Tekekomi i Kosovës, përkatësisht ish-PTK, është ngritur me mund e sakrifica nga profesionistët vendor në dekadën e parë pas luftës, kurse është shkatërruar nga partitë politike në dekadën e dytë të tij.

“Gjatë një numri të madh të diskutimeve publike dhe të brendshme, VETËVENDOSJE! ka paraqitur një plan të përgjithshëm për nxjerrjen e PTK-së nga kriza, me masa konkrete e të detajizuara për zhvillimin e kësaj kompanie, e cila ka qenë bartëse e sektorit më të fitimprurës të kësaj epoke, telekomunikacionit. Përkundër faktit se kjo kompani në vazhdimësi është dëmtuar nga politika e korruptuar, në një ambient tërësisht zhvatës të krijuar nga bordet krejtësisht politike, si rezultat i ekspertizës së krijuar në fillimet e saj, kjo kompani u ngrit deri në masën sa në vitin 2009 pagoi dividendë prej 200 milionësh për Buxhetin e Kosovës. Mirëpo, politika e korruptuar dhe e papërgjegjshme, pati pasoja të rënda për këtë kompani dhe sot ajo përballohet me rrezikun e falimentimit”, thuhet aty.

Sipas VV-së, emërimi i Begollit në krye të kësaj kompanie rrezikon të jetë një goditje finale ndaj një biznesi publik që në botën bashkëkohore konsiderohet të jetë tregu më fitimprurës dhe me ndikim të madh në zhvillim në sektorët tjerë të ekonomisë. “Falimentimi i Telekomit mund të jetë i pashmangshëm nëse ne nuk i dalim në rrugë korrupsionit të instaluar në këtë sektor nga të partitë politike që deri sot patën pushtet”, thuhet aty.

“Goditje e rëndë ndaj kompanisë më të madhe publike, Telekomit, përveç se nëpërmjet korrupsionit, ka ndodhur edhe me bartjen e ndikimit industrial, i cili anti-ligjor e kundër parimeve të OECD-së, e që ka ardhur para së gjithash nga PDK-ja, por që është përcjellë edhe nga AAK-ja, LDK-ja dhe të gjitha partitë që deri sot kanë pasur pushtet. Njerëz me interesa në sektorin privat të telekomunikacionit kanë pasur kompetenca vendimmarrëse në Telekom. Këta njerëz gjatë marrjes së vendimeve, i kanë pasur primare interesat private dhe kanë lansuar e zbatuar politika që kanë dëmtuar Telekomin, për interesa të bizneseve private të lidhura me partitë politike. Qysh moti, VETËVENDOSJE!, profesionistë dhe ekspertë të ndershëm vendas si dhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile kanë alarmuar opinionin publik dhe institucionet kosovare, përfshirë këtu edhe organin më të lartë të vendit, Kuvendin”, thuhet ndër të tjera.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dhënë zgjidhjen për të dalur nga kriza, por qeveria është duke u sjellë me shpërfillje mbi këto propozime. Pasojat do të jenë shumë të rënda. Ne konsiderojmë se falimentimi eventual i Telekomit do të ketë pasoja të shumta për ekonominë e Kosovës: jo vetëm për faktin se do të hedhë në rrugë mijëra punëtorë, por se do të ndikojë negativisht në sjelljen e teknologjisë për sektorët tjerë të ekonomisë, për nxitjen e inovacionit, dhe madje edhe për sigurinë kibernetike të vendit. Me fjalë të tjera, ne nuk përballohemi vetëm me zhbërjen e një kompanie publike, por jemi në prag të shkatërrimit të një lokomotive të zhvillimit në ekonominë moderne të vendit. Shkatërrimi i kësaj kompanie do të pamundësojë prospektet e Kosovës që të ndërtojë një ekonomi funksionale, do të thellojë varfërinë e do ta rrisë papunësinë. Kjo duhet të shqetësojë gjithkënd dhe jo vetëm politikën”, përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera