Lajme

VV e pranon gabimin: Opinioni do të na sulmojë që po i bëjmë 14 ministri

Autori: Gazeta inFokus 18:39 | 14 January 2020

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, para pak minutash ka bërë edhe publike ofertën e fundit që partia e tij i ka dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën edhe parashihet rritja e numrit të ministrive nga 12 në 14.

Bislimi në shkrimin e publikuar në profilin e tij zyrtar ka thënë se me të drejtë Vetëvendosje do të kritikohet nga opinioni publik, për këtë thyerje të premtimit për zvogëlimin e numrit të ministrive.

“Propozimi ynë i nxjerrë (si kompromisi i katërt brenda të njëjtit takim), mbrëmë i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi,Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton asesi), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh)”, ka shkruar Bislimi.

-Advertisement-

Dy partitë janë duke i dërguar oferta njëra-tjetrës me qëllim të përafrimit të pozicioneve për arritjen e një marrëveshje finale për bashkëqeverisje.

Agim Veliu ndërkohë e ka cilësuar si joserioze një ofertë të tillë të VV’së, megjithatë Vjosa Osmani thotë se çfarëdo përpjekje që ka për qëllim afrimin e pozicioneve duhet të merret si serioze dhe se për të verdiktin final e marrin organet e partisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera