Lajme

Vullnetarët në vijën e parë të frontit

Autori: Gazeta inFokus 18:28 | 10 July 2020

Kur në muajin mars u raportuan rastet e para me koronavirus, në Klinikën Infektive u paaqitën vullnetarë për ta ndihmuar stafin mjekësor – dhjetë mjekë, gjashtë infermierë dhe një psikolog.

“Kur kanë filluar ditët e nxehta dhe ishim të veshura me rroba mbrojtëse kundër koronavirusit, djersët na pikonin dhe na hynin në gojë, dhe nuk guxonim as ta lëvizim maskën, për shkak se rreziku është i madh, dhe rrobat mbrojtëse janë të kontaminuara. Pastaj syzet mbrojtëse na mjegulloheshin dhe detyroheshim të afrohemi shumë te monitori për të parë se çka po punon brenda dhomës së pacientit”.

Ky është rrëfimi i mjekes së përgjithshme Jehona Krasniqi dhënë për Radion Evropa e Lirë, e cila që nga prilli punon si vullnetare në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, krahas punës që e bën me gjysmë orari si administratore e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

-Advertisement-

Kur në muajin mars u raportuan rastet e para me koronavirus, në Klinikën Infektive u paaqitën vullnetarë për ta ndihmuar stafin mjekësor – dhjetë mjekë, gjashtë infermierë dhe një psikolog.

Ajo që e ka shtyrë doktoreshën Jehona, 30-vjeçare, që të punojë vullnetarisht, është ndjenja e përgjegjësisë dhe detyrës, si dhe Betimi i Hipokratit.

“Kemi nisur punën me sistemimin e të dhënave klinike të pacientëve, pasi është e nevojshme të dimë se me çka kemi të bëjmë. Më pas kemi filluar të futemi në vizita te pacientët me COVID-19, sigurisht nën mbikëqyrjen e specialistëve infektologë dhe jemi paraqitur vullnetarë që të ndihmojmë. Më pas jemi futur edhe në pranim për ta lehtësuar barrën e punëve që e kanë pasur dhe po vazhdojnë ta kenë infektologët”, rrëfen doktoresha Jehona.

Doktoresha Jehona flet edhe për sfidat që po ballafaqohet gjatë kësaj kohe të pandemisë, pasi për muaj me radhë, ajo po vazhdon të punojë me orar të plotë të punës, e edhe të stërzgjatur, pra nga ora 8:00 deri në 17:00 e më tej.

“Sfida ime e parë ka qenë veshja speciale mbrojtëse gjatë vizitës te pacientët. Pasi kam dalë nga vizita, herën e parë, e kam lajmëruar familjen se ka qenë edhe kontakti i parë me pacientët e infektuar. Pas një kohe, filluam të mësohemi me këtë ide që unë jam në kontakt me pacientët. E pranoi këtë fakt edhe familja, ndonëse frika ekzistonte dhe unë kthehesha në shtëpi tek ata. Për të punuar me rroba speciale mbrojtëse mund të them se është sfida më e madhe. Kur kanë filluar ditët e nxehta, kemi diskutuar me kolegë se si ta fusim një kamerë brenda, të na shohin se si po punojmë”, tregon doktoresha Jehona Krasniqi.

Edhe Rita Çarkaxhiu, 25-vjeçare, është mjeke e përgjithshme. Ajo është e papunë. Vitin e kaluar ka diplomuar, por që ende nuk ka pasur mundësi të marrë një specializim, ndonëse është në vullnetin e saj.

Edhe doktoresha Rita, që nga 15 prilli i këtij viti punon si vullnetare në Klinikën Infektive.

Ajo thotë se situata në fillim të pandemisë me kohën aktuale dallon shumë. Sipas saj, gjendja po shkon duke u vështirësuar. Ajo tregon se ka vendosur të punojë si vullnetare pasi që e ka ndjerë si obligim moral që t’i ndihmojë pacientët, por edhe stafin mjekësor.

Rrëfimi i infermieres për frikën dhe rrezikun nga COVID-19
Përpos kësaj, ajo tha se si mjeke e re, do të fitonte përvojë dhe mësim, sidomos në situata kritike si kjo e pandemisë, ku, siç thotë ajo, secilit mjek i duhet që të jetë i përgatitur edhe për raste të jashtëzakonshme.

“Në fillim, mjekët kanë pasur mundësi t’i dëgjojnë pacientët dhe të kalojnë më shumë kohë me ta. Por, tash ka ndërruar gjendja, pasi nuk kanë kohë as mjekë e as infermierë për një gjë të tillë, pasi është shtuar numri i pacientëve dhe gjendja është më e rëndë, sesa e atyre pacientëve të shtrirë në fillim të pandemisë që kanë qenë. Në Klinikën Infektive, mjekë e infermierë po bëjnë punë të madhe me pacientët me COVID-19”, thotw ajo.

Ndonëse kanë kryer edhe vizita me pacientë, doktoresha Rita thotë se infektologët brenda Klinikës Infektive vazhdimisht i kanë mbrojtur vullnetarët, duke i kursyer nga kontaktet me të infektuar, me aq mundësi sa kanë pasur.

“Unë kam punuar edhe me pacientët e infektuar. Gjatë gjithë kohës kemi qenë të veshur me mjete mbrojtëse dhe mundësia e kontaminimit është shumë e ulët. Unë pacientëve me COVID-19 ua kam matur tensionin, ua kam kontrolluar gjendjen klinike, simptomat që i kanë dhe nëse ka pasur nevojë për ndryshim të terapisë. Por, kjo gjithmonë ka ndodhur në bashkëpunim me infektologët”, tregon doktoresha Rita.

Ndërkohë, doktoresha Jehona thotë se ajo që më së shumti po e rëndon punën e mjekëve, është mosbesimi nga ana e qytetarëve se virusi ekziston.

Ajo thotë se sikur qytetarët të shihnin gjendjen në Klinikën infektive siç e sheh personeli, çdo qytetar, sipas saj, do t’i respektonte masat për mbrojtje ndaj këtij virusi.

Prej 13 marsit, kur në Kosovë janë paraqitur rastet e para me koronavirus, 352 pjesëtarë të personelit shëndetësor janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, 275 vazhdojnë të jenë raste aktive.

Në total, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 4,307 raste me koronavirus. Prej tyre, 94 kanë vdekur dhe 2,095 janë shëruar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera