Lajme

Vulini e falënderon Moskën për “paralajmërimin për tentim-puç” në Serbi

Autori: Gazeta inFokus 21:41 | 13 August 2024

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, bisedoi në Moskë me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, për gjendjen e tanishme të sigurisë dhe për “pjesëmarrjen aktive të forcave të jashtme në shkaktimin e tensioneve” në Serbi, njoftoi Qeveria serbe më 13 gusht.

“Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë falënderoi strukturat ruse të sigurisë që paralajmëruan udhëheqjen e Serbisë për përgatitjen e trazirave masive dhe tentativës për puç”, thuhet në njoftim.

Qeveria në Serbi, e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe, akuzon organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestave kundër minierave të litiumit, të cilat mbahen prej javësh në të gjithë Serbinë, për “përpjekje për të rrëzuar me dhunë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

-Advertisement-

Presidenti Vuçiq tha më 9 gusht se “shërbimet ruse të sigurisë kanë paralajmëruar se në Serbi po përgatiten trazira masive, qëllimi përfundimtar i të cilave është puçi dhe rrëzimi i udhëheqjes së vendit”.

Zëvendëskryeministri Vulin ndodhet për një vizitë zyrtare disaditore në Rusi.

Më 12 gusht, ai deklaroi se Serbia nuk do të vendoste sanksione ndaj Rusisë dhe se bashkëpunimi tregtar ruso-serb vazhdoi “me gjithë përpjekjet për të vendosur kufizime”.

Kjo është vizita e tij e dytë zyrtare në Rusi prej se u emërua zëvendëskryeministër i Serbisë më 2 maj.

Në korrik të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara e futën Vulinin në listën e sanksioneve nën dyshimet për përfshirje në korrupsion dhe trafikim me drogë, si dhe për lidhje me Rusinë

Vulin ka udhëtuar në Rusi në disa raste prej kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por nuk e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me politikën e Brukselit dhe nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. /REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera