Lajme

Vuçiqi shkon në Bruksel, Tanjug: BE-ja po e pret pozicionin e Kurtit

Autori: Gazeta inFokus 14:49 | 25 April 2021

Pas mbërritjes së tij në Bruksel, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohet sonte me Përfaqësuesin Special për Dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Burime të Tanjug nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm thonë se Lajçak do të diskutojë vazhdimin e procesit të dialogut nën kujdesin e BE-së me presidentin serb në Bruksel.

Shtohet se me atë rast, “pozicionet e Beogradit dhe BE-së janë të qarta”.

“Serbia është e gatshme dhe bashkëpunuese në atë kuptim. BE-ja është gjithashtu e gatshme ta vazhdojë dialogun. Ajo që pritet është pozicioni i kryeministrit të ri të Kosovës”, deklarojnë burimet e Tanjug në Bruksel.

Të hënën presidenti i Serbisë do të pritet nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, dhe pas kësaj, Vuçiq ka planifikuar të takohet me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelji.

Takimi i ardhshëm është planifikuar për një bisedë me zëvendëskryetarin e e Komisionit Evropian dhe Shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borell, i cili do të shtrojë një drekë pune me rastin e vizitës së presidentit serb.

Pas drekës, ai do të takohet me raportuesin e Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilchik.

Vizita e punës së presidentit të Serbisë në Bruksel përfundon me një darkë të organizuar nga kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel për Vuçiqin dhe delegacionin nga Beogradi.

Axhenda e bisedimeve në Bruksel do të përfshijë zbatimin e një metodologjie të re për të përshpejtuar procesin e pranimit të Serbisë, projektet e zhvillimit në Serbi të parashikuara nga Plani Evropian Ekonomik dhe i Investimeve.

Të tjera