Lajme

Vuçiqi nga Shkupi e thumbon Kurtin: Disa mendojnë vetëm për zgjedhje

Autori: Gazeta inFokus 11:00 | 29 July 2021

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e thumboi indirekt kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shkak të insistimit të tij për të mos iu bashkuar atij, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në nismën e bashkëpunimit ekonomik rajonal, të njohur si “mini-Schengen”.

Në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal të organizuar sot në Shkup nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, Vuçiq tha se do të ketë gjithmonë njerëz që do të dalin kundër kësaj nisme. Duke folur indirekt për Kurtin, Vuçiq tha se disa mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme.

“Gjithmonë do të kemi oponentë ndaj kësaj iniciative. Gjithmonë do të ketë dikush që do të kërkojë për teori konspiracioni, që nuk mendojnë për ekonominë, të cilën nuk mendojnë në afat të gjatë dhe ata të cilët mendojnë vetëm për zgjedhjet e afërta që vijnë”, tha Vuçiq.

-Advertisement-

Ai tha gjithashtu se nuk është e vërtetë që Serbia do të përfitojë më së shumti nga ky bashkëpunim ekonomik rajonal.

Presidenti serb foli edhe për lëvizjen e njerëzve mes këtyre shteteve, duke thënë se deri nga janari i vitit 2023 synojnë t’i heqin të gjitha kontrollet e zakonshme kufitare.

“Deri në janar të vitit 2023, ne nuk do të kemi më kufijë ndërmjet vendeve tona. Thjesht nga Beogradi do të niseni për në Tiranë, askush nuk do t’ju ndalë”, tha Vuçiq.

Paraprakisht, kryeministri i Malit të Zi, Zoran Zaev e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës së tij, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për bashkëpunimin rajonal, të njohur si “mini-Schengen”.

“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, tha Zaev.

Kryeministri i Kosovës, kishte deklaruar më parë se “mini-Schengeni” mund të jetë vizioni i Serbisë për një Jugosllavi të re.

“Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit”, shprehej Kurti.

Kosova ishte zotuar në marrëveshjen e Washingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Kurti që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.

Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti madje deklaroi se “mini-Schengeni” nuk ekziston më.

“Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera