Vuçiqi lartëson Millosheviqin në Mitrovicë
Autori: Gazeta inFokus
09:14 | 10 September 2018
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë dy ditëve të qëndrimit të tij në veri të Kosovës e ka lartësuar Sllobodan Millosheviqin. Ai ka vazhduar të përdorë retorikën nacionaliste duke thënë se Serbia do t’i mbrojë serbët në Kosovë, ndërsa ka thënë se në të kaluarën serbët kanë vdekur për Kninin, për Sarajevën e për Prishtinën. Fjalimi i Vuçiqit në Mitrovicë është kritikuar ashpër nga zyrtarët kosovarë e madje edhe nga mediet në Kroaci e në Banjë, shkruan Gazeta “Zëri”
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë qëndrimit dyditor në veri të Kosovës nuk ka prezantuar ndonjë plan për marrëveshje me Kosovën. Ai madje ka thënë se marrëveshja nuk duket askund në horizont dhe se i lutet Zotit që marrëveshja të arrihet në 10 ose në 20 vjetët e ardhshme. Pavarësisht kësaj, i pari i Serbisë ka premtuar se shteti serb asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë Vuçiq më shumë ka folur për zhvillimin ekonomik dhe për vende pune për serbët, ndërsa nuk është kursyer aspekt në përdorimin e gjuhës nacionaliste, e cila nga zyrtarët e Kosovës është vlerësuar si vazhdim i retorikës së Sllobodan Millosheviqit.
Fjalimin e tij Vuçiq e mbajti në përmbyllje të vizitës dyditore në pjesën veriore të Kosovës. Aty u prit nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë, ndërkohë që qyteti ishte përplot me fotografi e pankarta që i dëshironin mirëseardhje Vuçiqit.
“Ua them, se ata që deklarojnë se unë duhet të pranoj pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër”, është shprehur Vuçiq.
Sipas tij, krejt për çka ai po angazhohet është një zgjidhje kompromisi dhe një zgjidhje paqësore. “Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën”, tha Vuçiq, duke shtruar më pas pyetjet, sipas tij plot dilema, “Ku është kufiri sot?”.
“Në fakt, unë dua t’ua ndryshoj të drejtat tuaja dhe t’ua mundësoj të gjitha të drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar”, nënvizoi ai.
Dita e dytë e qëndrimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në veri të Kosovës nuk ka shkuar mirë sikurse dita e parë kur eskorta e tij ka lëvizur pa asnjë pengesë në gjithë territorin e komunave veriore. Të dielën presidenti serb ka hasur në “rezistencën” e banorëve të Drenicës, të cilët nuk e kanë lejuar të shkojë në Banjë, një fshat i banuar me serbë në komunën e Skenderajt. Vuçiq do të shkonte në Banjë për “t’ia dorëzuar një dhuratë Millan Kovaçeviqit”, një fermeri të këtij fshati, por edhe për të biseduar me banorët serbë e për të treguar se Serbia përherë është përkrah tyre.
Organizatat e dala nga lufta të shtunën në orët e vona me ta marrë vesh se Vuçiq planifikon ta vizitojë Banjën i kanë ftuar qytetarët e Drenicës në protesta, të cilat kanë nisur të dielën, në orën 6:00, në sheshin “Adem Jashari”, në Skenderaj. Veteranë të luftës e qytetarë të pezmatuar kishin vendosur barrikada në katër vende, tri në rrugën Mitrovicë – Pejë, në Vojtesh, në Tërnavc e në Runik dhe një barrikadë tjetër në hyrje të fshatrave Syriganë e Banjë nga ana e Zubin Potokut, një rrugë dytësore që lidh dy fshatrat e banuara me serbë me komunën e Zubin Potokut.
Me gjithë ndalesën që të shkojë në këtë fshat Vuçiq është përpjekur të shkojë rrugëve dytësore, por është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe ai është detyruar të kthehet. Banorët e Banjës kanë pritur gjatë Vuçiqin që të shkojë në fshatin e tyre, por janë detyruar që presidentin serb ta dëgjojnë vetëm nëpërmes telefonit. I pezmatuar tej mase dhe i hidhëruar në KFOR-in pse nuk e siguroi udhëtimin e tij deri në Banjë me helikopter, Vuçiq tha se hoqi dorë nga udhëtimi në Banjë për të mos i rrezikuar banorët serbë të fshatit.
“Disa i kanë në qejf armët t’i përgatisin, unë këtë nuk e dëshiroj, por nuk jam i frikësuar. Kam hequr dorë për sigurinë tuaj”, u ka thënë Vuçiqi serbëve të Banjës nëpërmes telefonit, duke shtuar se gjatë natës janë dëgjuar në tri raste të shtëna armësh. Vuçiq theksoi se i vjen keq për banorët e Banjës, të cilët kishin përgatitur bukën pogaçe. Ai u premtoi atyre se herën tjetër do të shkojë në Banjë dhe do të bisedojë për problemet që kanë.

T� tjera
-
Kurti bisedon me Rutten në Dublin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i shërben sigurisë në Evropë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e P...
-
KFOR organizon ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vrella, marrin pjesë edhe Policia, EULEX-i dhe FSK-ja
Forca e Kosovës (KFOR) do të zhvillojë ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vre...
-
Nëna nga Gjakova e raporton djalin e saj në polici, ai dërgohet në mbajtje
Një rast i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Gjakovë. S...
-
Burri la tre fëmijët në rrugë në Prishtinë, ish-gruaja e raporton në polici për sulm
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku një grua dyshoh...
-
Dhunë në familje në Podujevë, Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë, në njërin rast gjenden armë dhe municion
Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në raportin 24...
-
Një person gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren
Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren. Rasti...
-
Të martën shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë
Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ...
-
Bilanc tragjik këtë të shtunë në Shqipëri – Tre të vdekur brenda pak orësh në aksidente, pesë të lënduar
Tre të vdekur dhe pesë të lënduar është bilanci i aksidenteve në rrugë gjatë ...
-
Haziri: Republika mban autorësinë e Rugovës, Adem Jashari e kryengritësit e tjerë janë meritë e tij, Demaçit, Bukoshit e Ahmet Krasniqit
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke reaguar lidhur me debatin...
-
Cili është kanceri më i rrezikshëm i lëkurës që po shënon rritje? Dermatologia zbulon detajet alarmuese!
Dermatologia Shkëndije Dobruna, në emisionin “Doktor Plus”, ka folur për lloj...
-
Shiroka Pula në Ballon e Marinsave: Amerika është shumë më tepër se një aleat strategjik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në Ballon e Marinsave...
-
Vergori në vizitën e dytë në Beograd një muaj pasi mori detyrën – çfarë diskutoi me shefin e ushtrisë serbe?, KFOR jep detaje
Komandanti i KFOR’it, Roberto Vergori, sot në Beograd është takuar me shefin ...




































