Lajme

Vuçiqi e pranon se shërbimet ruse e vëzhgojnë atë

Autori: Gazeta inFokus 12:42 | 17 November 2020

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë mbrëmë në një televizion në Beograd se shërbimet ruse të inteligjencës veprojnë në Beograd dhe la të nënkuptohet se ato e vëzhgojnë atë.

Në pyetjen nëse ka komunikuar me ambasadorin rus në Beograd para udhëtimit në Uashington kur u arrit marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Vuçiqi, deklaroi “Mos i nënvlerësoni shërbimet ruse të inteligjencës …”, duke e lënë në gjysmë fjalinë.

Më pas ai tha se për githë marrëveshjen e kishte njoftuar edhe Vladimir Putinin.

Duke komentuar këtë, njohësi i çëshgtjeve të sigurisë Agim Musliu, ka thënë se Vuçiqi frikësohet shumë nga rusët, veçmas nga shërbimet e tyre të inteligjencës.

“Aleksandar Vuçiqi duket qartë se frikëoset nga shërbimet ruse të inteligjencës dhe mbrëmë në këtë intervistë nuk guxoi ta vazhdojë mendimin për ta. Ai vetëm e pranoi se shërbimet ruse të inteligjencës vazhdimisht e vëzhgojnë politikën e tij”, ka deklaruar Musliu për Kosovapress.

Musliu e sheh këtë në aspekt më të gjerë. Ai e ndërlidhi me një priudhë më të gjatë kohore raportin Vuçiq – shërbime sekrete ruse.

“Vuçiqi është frikacak. Para një viti i pyeti rusët me atë pse-në e madhe për rastin e quajtur Kleban, kur oficeri rus i inteligjencës po merrte informacion sekret nga një ish-zyrtar ushtarak serb. Dukej që ishte i hidhëruar në rusët. Kurse, deklara e mbrëmshme tregon se ai ose është duke u frikësuar nga ta, ose është duke u punuar prapa shpinës”, tha Musliu.

Në fund të vitit të kaluar, Serbinë e tronditi rasti i spiunazhit “Kleban”. Edhe shërbimi serb i inteligjencës BIA kishte dalë publikisht dhe kishte pranuar se rusët kishin vepruar fshehtaz në Beograd kur po përpiqeshin që merrnin informacion ushtarak në Serbi.

Agim Musliu thotë se, raportet e Serbisë dhe Rusisë tash për tash duket se nuk janë aq të brishta, por se evidenton faktin se aty ka një mosbesim reciprok.

“Nëse e shikoni këtë mozaik, atëherë e vëreni se edhe në protestat që ndodhën gjatë verës në beograd, pati një tension ruso-serb. Aty kishte edhe operativë rusë të inteligjencës dhe proksi rusë. Edhe në këtë rast, Vuçiqi pati reaguar. Por, vërtet ai është frikacak dhe kështu po e qet në lajthitje edhe Bashkimin Evropian, i cili vazhdimisht ka kërkuar nga ai që të pozicionohet ndaj Rusisë sipas politikave evropiane”, ka thënë Musliu.

Shërbimet ruse të inteligjencës kanë shtuar praninë në Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit. Në vitin 2016, dy oficerë rusë kishin provuar që përmes një organizimi në mes të serbëve ta vrasin presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq. Megjithatë, ndërkohë shumë vende të Ballkanit dëbuan punonjës të ambasadave ruse nga vendet e tyre, duke i dekonspiruar ata si spiunë rusë. Ky reaksion zinxhiror pati pasuar pas rastit Skripal ën Londër.

Të tjera