Lajme

Vuçiq takohet me Lajçak, diskuton mbi dialogun Kosovë-Serbi dhe situatën në rajon

Autori: Gazeta inFokus 16:14 | 02 June 2022

Përmbushja e detyrimeve sipas marrëveshjes së Brukselit mbetet një pikë kyçe për çdo bisedim të mëtejshëm, deklaroi presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Vuçiç njoftoi në llogarinë e tij në Instagram se pati një “bisedë të hapur dhe të sinqertë” të enjten, më 2 qershor me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas raportimeve dy zyrtarët diskutuan mbi situatën në rajon në prag të mbajtjes së forumit ‘GLOBSEC 2022’ në Bratislavë, Sllovaki, si dhe të gjitha temat me interes në mënyrë që të rifillojë konstruktivisht dialogun me Kosovën.

“Ne analizuam arritjet dhe ramë dakord që përmbushja e detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit mbetet mesazhi kyç për çdo dialog të mëtejshëm. Unë ritheksova përkushtimin e plotë të Republikës së Serbisë për të vazhduar këtë proces dhe përpjekjet për të arritur një zgjidhje kompromisi në mënyrë që të krijohen marrëdhënie më të mira ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, tha Vuçiq.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 – nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe i ka dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur deri më tash mbi 100 vende, përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, por jo nga Kina dhe Rusia.

Sipas politikanëve perëndimorë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Siç përmendet në njoftim, Vuçiç dhe Lajçak ranë dakord se bashkëpunimi rajonal, duke ruajtur paqen dhe stabilitetin, është e vetmja rrugë reale përpara për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në një bisedë me Vladimir Bilchik, raportuesin e Parlamentit Evropian për Serbinë, Vuçiq theksoi se vendi po punon në zbatimin e reformave, përmirësimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit në institucione.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Veçanërisht theksova gatishmërinë dhe vullnetin tim për të dëgjuar të gjitha propozimet argumentuese që do ta përshpejtonin procesin e negociatave për anëtarësim”, thuhet në postimin në Instagram të presidentit serb.

Më 2 qershor, Vuçiq ka biseduar në Bratislavë edhe me nënkryetarin e Komisionit Evropian për Marrëdhënie Ndërinstitucionale dhe Parashikime Strategjike, Maroš Šefçović.

Sipas postimit të Vuçiqit në Instagram, ata diskutuan për fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemeve energjetike në situatën aktuale, si dhe për menaxhimin e lëndëve të para nga Serbia brenda BE-së, dhe një nga temat ishin projektet e përbashkëta që Serbia duhet të punojë së bashku me BE.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po merr pjesë në forumin treditor ‘GLOBSEC 2022’ në Bratislavë më 2 qershor, i cili këtë vit ka në fokus konfliktin në Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor./REL

Të tjera