Lajme

Vuçiq: Serbët u detyruan t’i ngrinin barrikadat

Autori: Gazeta inFokus 10:47 | 11 December 2022

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”, duke shtuar se ata janë “detyruar [t’i ngrinin] barrikadat”.

Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë ngritur barrikada të shtunën, pas arrestimit të ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për shkak të, siç është thënë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”, më 6 dhjetor.

Si shenjë pakënaqësie, serbët lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar disa rrugë në veri, të cilat mbesin të bllokuara edhe të dielën.

-Advertisement-

“Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi ai në Instagram më 11 dhjetor.

Vuçiq shtoi se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën për paqe me të gjitha mjetet ligjore”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë dhe se autoritetet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ta dënojnë atë që ai e quajti “dhunë të organizuar” dhe vlerësoi se çfarëdo veprimi tjetër “do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.

Përfaqësues të komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri të vendit në fillim të muajit nëntor dhe që nga atëherë gjendja në veri ka qenë më e tensionuar.

Vuçiq ka paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica, Daçiq, tha të shtunën se përmes kësaj kërkese, Serbia dëshiron ta bëjë të ditur se komuniteti ndërkombëtar ka obligim t’i mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai gjithashtu shtoi se tashmë e di përgjigje ndaj kësaj kërkese, duke iu referuar përgjigjes së mëhershme të presidentit serb se ai ishte i bindur se përgjigja do të ishte negative.

Ndërkohë, zgjedhjet e planifikuara për më 18 dhjetor në veri të Kosovës janë shtyrë për në muajin prill të vitit të ardhshëm, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera