Lajme

Vuçiq: Kurti të hënën kishte një marrëveshje më të mirë në tavolinë, sesa ajo që e pranoi dje

Autori: Gazeta inFokus 13:08 | 24 November 2022

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në një adresim për media ka folur për marrëveshjen për targa të arritur dje në Bruksel.

Vuçiq tha se ditën e hënë, Prishtina në tavolinë kishte një marrëveshje më të mirë sesa ajo që e pranoi dje.

Presidenti serb e ka quajtur “fitore taktike” të Serbisë rezultatin e marrëveshjes së mbrëmshme,

-Advertisement-

“Kur merrni një vendim në kuptim të ruajtjes së paqes, përsëri kritikoheni se keni tradhtuar diçka. Dy ditë më parë, Prishtina kishte një marrëveshje më të mirë sesa ajo që e mori dje. Për ne është e rëndësishme që teksti përfundimtar thekson përmbushjen e marrëveshjeve të mëparshme. Nuk ka shkuarje tutje, prandaj kam insistuar që të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura. Populli ynë nuk do të keqtrajtohet, targat KM do të mbeten dhe do të mbijetojnë. Për makina të reja janë 90 në vit, dhe sa i përket rinovimit, nuk ka asnjë pengesë për ta bërë këtë. Por negociatat janë duke vazhduar, targat KM janë të vlefshme, 7000 njerëz  i kanë në Kosovë dhe 2000 në Serbinë qendrore dhe mund t’i përdorin pa problem. Një fitore taktike që na çon në një situatë më të vështirë”, tha Vuçiq para gazetarëve.

Për këtë marrëveshje, sot në Kuvendin e Kosovës ka folur edhe kryeministri Kurti.

Kurti tha se ajo që është arritur mbrëmë, nuk është e njëjtë me propozimin e së hënës, që iu ishte ofruar.

Sipas kryeministrit, me marrëveshjen e mbrëmshme qëndrimi i Kosovës ka mbetur i njëjtë, por ka ndryshuar vetëm qëndrimi i kryediplomatit Borrell.

Madje, kryeministri Kurti tha se ajo nuk është marrëveshje për targa, por është dakordim, me të cilin synojnë t’i japin hapësirë negocimit të propozimit franko-gjerman.

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim të bëhet çështja e diskutimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakoridimi i cili shtetit tonë që është normal e demokratik t’ia bashkëngjit edhe një raport normal me Serbinë. Ishte e qartë nga vet deklarata e Borrell që një gjë e tillë nuk ishte e përfshirë në diskutimet e ditës së hënë. Tash ajo figuron saktësisht. Besoj që kjo është një arritje e madhe.

Ata që thonë ajo që nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën ndryshme, nuk e dinë se për çka po flasin. Është dyfish tekst më i madh. Nuk është marrëveshje, është dakordim, por jo marrëveshje. Është deklaratë e Borrelit. Mbrëmë është ndryshuar deklarata e Borrellit. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borreli ka ndryshuar deklaratën. Kjo është shumë mirë”, tha Kurti ndër të tjera në seancën e Kuvendit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera