Lajme

Vuçiq reagon për aksionin policor në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 14:24 | 16 March 2022

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se nuk ka pritur asnjë reagim nga vendet perëndimore ndaj Kosovës në askionin policor “Brezovica 3”, gjë të cilën e quajti veprim për të frikësuar serbët në jug të Kosovës.

Vuçiq tha se “nuk është aksion kundër krimit dhe korrupsionit” por “qëllimi është të pastrohet rajoni i Siriniqit nga serbët”.

Ai e quajti, siç e quan rëndom çdo aksion policor të Kosovës kundër krimit të organziuar dhe korrupsionit, “frikësim të serbëve”, ndonëse shkelja e ligjit dhe dënimi i saj nuk bëhet në eksluzivitetin e ndonjë kombësie apo etnie.

-Advertisement-

“Dhe të gjithë këtë e bëjnë brenda një brenge të rreme për sinqeritet ndaj menaxhimit të Brezovicës. Për mua është e qartë, por se a do të jetë e qartë për të tjerët s’ka rëndësi”, tha Vuçiq para gazetarëve

“Por, a duhet të presim që dikush të thotë diçka? Pra, mos u bëni naivë, ne me kohë e kaluar nivelin e naivitetit për të besuar që dikush nga Perëndimi do të reagojë kundër ngacmimit të serbëve”, tha ai, transmetojnë mediat serbe.

Ai këtë aksion e lidhi me trazirat e marsit të vitit 2014, duke thënë se “tragjedi si të asaj kohe nuk do të na ndodhin më”.

Policia e Kosovës ditën e mërkurë të 16 marsit ka ndërmarrë një aksion policor kundër krimit dhe korrupsionit në Brezovicë, ku bastisi disa lokacione dhe ndaloi një doganier dhe kryetarin e bordit të “Ski Center Brezovica”.

Prokuroria e Ferizajit lajmëroi për përfundimit e aksionit.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar, N.G.,- doganier dhe S.I., – kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica”, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”./Albanian Post/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera