Lajme

Vrau me thikë kuzhine dhëndrin nga Gjakova, çka deklaroi tropojani në Gjykatë

Autori: Gazeta inFokus 13:45 | 17 November 2021

Col Imeraj e ka pranuar fajësinë se në korrik të 2020-ës e ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e viktimës dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M.

Në seancën fillestare të rigjykimit, pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Imeraj deklaroi se e pranon fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga gjykatësi Drilon Haraçia se a është penduar për veprat e kryera, i akuzuari tha se po, duke shtuar se “u bo çka u bo”.

Prokurori Ali Uka, përfaqësuesit e autorizuar të palëve të dëmtuara, avokatët Ndrecë Dodaj dhe Prek Kola, nuk e kanë kundërshtuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit, derisa këta dy të fundit thanë se kompensimin e dëmit do ta realizojnë në kontest të rregullt civil.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Meriman Vehapi, tha se edhe pse është seanca e fundit dhe pajtohet plotësisht me këtë propozim të gjykatës, sipas tij, i akuzuari është në gjendje shumë të keqe shëndetësore, fare nuk di se çka flet.

Sidoqoftë, ai i propozojë gjykatës që t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit.

Në fillim të seancës, gjykatësi Haraçia tha se e kanë pranuar një parashtresë nga avokati Vehapi ku kërkohet që të akuzuarit t’i bëhet edhe një ekzaminim psikiatrik, mirëpo në fund të seancës gjykatësi tha se të akuzuarit i janë bërë me herët ekzanimimet psikiatrike dhe të njëjtat konstatuar se i njëjti është në gjendje të rregullt.

Ndërsa, pasi që gjykatësi e ka aprovuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit, ka caktuar 22 nëntorin për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Col Imerajt, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës me 27 vite burgim unik në maj të këtij viti.

Në aktvendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Apeli ka gjetur se pranimi i fajësisë i bërë nga ana e të akuzuarit Imeraj nuk është bërë vullnetarisht, por është bërë pas këshillimit të pamjaftueshëm me mbrojtësin e tij.

Tutje sipas Apelit, nga procesverbali i seancës fillestare rezulton se i akuzuari Imeraj nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit.

“Nga procesverbali i seancës së shqyrtimit fillestar i datës 16.04.2021, shihet se mbrojtësi i të akuzuarit e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë dhe se i akuzuari i ka përkrahur fjalët e mbrojtësit, e nga kjo rezulton se i akuzuari në pajtim të pikës 1.1 të nenit 248 të KPPRK-së nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë. Përkatësisht i akuzuari gjatë deklarimit të tij e ka pranuar fajësinë, ndërsa kur pranimin e fajësisë e ka kundërshtuar mbrojtësi i tij, i akuzuari ka deklaruar se i përkrah fjalët e mbrojtësit të tij, e që kjo paraqet konktradiktë.”, thuhet në arsyetim të aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 21 maj të këtij viti, e ka dënuar me 27 vite burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë, tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor, Col Imeraj.

Imeraj, nga fshati Geghysen në Tropojë, është dënuar nga Themelorja se ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e tij dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në korrik të vitit 2020.

Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, i akuzuari Imeraj për vrasje të rëndë është dënuar me 23 vite burgim, për tentim vrasje me 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik për të tri veprat me burgim në kohëzgjatje prej 27 vitesh.

Mirëpo, ky aktgjykim i Themelores tashmë është anuluar nga shkalla e dytë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Col Imeraj akuzohet se më 7 korrik 2020, rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Komunës së Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e të ndjerit N.M., me dashje në mënyrë mizore dhe për motive të panjohura ka privuar nga jeta të ndjerin 60 vjeçar.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari me thikë dhe me një çekan e godet me thikë fillimisht kushërirën e tij, D.M, pastaj e godet me thikë edhe të ndjerin, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së. Në paragrafin 1 dhe nënparagrafin 1.4 të nenit 173 flitet për vrasje të rëndë të kryer në mënyrë mizore dhe parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite ose me burgim të përjetshëm.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si më lartë, pasi më parë e privon nga jeta të ndjerin N.M dhe i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës D.M, hyn në dhomën ku ishin duke fjetur M.M. së bashku më vëllain e tij, dëshmitarin e mitur D. dhe menjëherë fillon ta godasë disa herë me thikë të dëmtuarin M., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ashtu që i dëmtuari dërgohet për në QKUK.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim jo më pak se 5 vite, dhe se personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.

Imeraj akuzohet edhe për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, përkatësisht për shkaktimin e lëndimeve trupore të dëmtuarës D.M. të përshkruara si në dispozitivin e parë të aktakuzës. E që për këtë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës mund të shqiptohet dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Të tjera