Lajme

Vrasja me 14 plumba në Gjilan, dëshmitari thotë se s’shkoi te vendi i ngjarjes pasi ishte përhapur lajmi se nipat e kanë vrarë dajën

Autori: Gazeta inFokus 21:49 | 18 April 2023

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjilan, dëshmitari Sadri Jakupi, babai i të akuzuarit Lirim Jakupi, tha se nuk kishte shkuar te vendi i ngjarjes, pasi ishte përhapur lajmi se nipat e kanë vrarë dajën.

Në këtë rast, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq ngarkohen se më 12 shtator 2021, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje, me 14 plumba e kanë privuar nga jeta B.V, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët kanë qenë afër tij. Kurse, Osmani ngarkohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas procesverbalit të seancës së të martës, dëshmitari Jakupi ka thënë se viktima i kishte ftohur marrëdhëniet me djalin e tij, të akuzuarin Lirim, me arsyen se nuk e kishte bërë veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

-Advertisement-

Në procesverbal, thuhet se dëshmitari ka qëndruar pranë deklaratave të dhëna në Polici. Aty thuhet se i njëjti ka deklaruar se lajmin për vrasjen e kishte marrë nga bashkëshortja e tij, pasi kishte ardhur nga vëllai i tij.

“Nuk e kemi ditë se kush e ka vra. Pasi që e mora vesh që B., është vra nuk kam shkuar tek vendi i ngjarjes sepse me nipin tim Sahitin nuk qëndroj mirë dhe u përhap lajmi se nipat e kanë vra dajën”, citohet të ketë thënë ai.

Në procesverbal, thuhet se i njëjti ka deklaruar se i akuzuari Lirim, në ditën kritike i kishte thënë se po shkon në Prishtinë me gruan dhe fëmijët.

“Në Prishtinë, Lirimi ka shkuar me kerr, me të kujt nuk e di”, citohet të ketë deklaruar Jakupi.

Paraprakisht në seancë, sipas procesverbalit, në këtë rast ishte dëgjuar dëshmitari Agush Aliu, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të rastit Shefik Mehmeti, kishte deklaruar se në ditën kritike kishte qenë në Shqipëri dhe ishte kthyer në shtëpinë e tij rreth orës 19:00.

“Pasi jam kthyer për një kohë të shkurtër kam hyrë në lokalin tim, të cilin e kam përballë shtëpisë. I kam lanë nja 2 peshqira në shank dhe kam qenë ka TV duke i rregulluar. Derisa kam qenë duke e rregulluar televizionin, unë kam dëgjuar krismat, kanë qenë disa krisma por sa nuk e di, dhe pasi jam kthyer me shiqu kah kanë ardh krismat, e kam parë viktimën në tokë”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje thuhet se ka deklaruar që viktimën B.V, e kishte njohur dhe se para se të ndodhte rasti e kishte parë ulur me Luan Kastratin dhe Selajdin Dakun, ku edhe ishte përshëndetur me ta.

Më pas, sipas procesverbalit, dëshmitari ka deklaruar se përveç viktimës që kishte qenë i shtrirë në tokë, edhe personat e cekur më lartë të cilët kishin qenë në një tavolinë me të, kishin qenë të shtrirë në tokë.

“Unë nuk kam këqyr asgjë, sepse ka qenë situata shumë e rëndë dhe për këtë arsye jam larguar dhe kam shkuar në banesë, personat që kanë shtënë në viktimën B.V nuk i kam parë”, thuhet të ketë thënë ai.

Kurse, sipas procesverbalit, dëshmitari Lorik Jusufi ka deklaruar se është punëtor i shankut dhe para se të ndodhte rasti, kishte qenë duke biseduar me shefin e tij rreth televizionit.

“Krismat kanë qenë nga jashtë, po në atë moment nuk e kam ditë kon e kanë gjuajt, me thanë të vërtetën më kanë lëshu këmbët, se s’e kam ditë se çka po ndodh, më ka shku mendja mos është ndonjë sulm terrorist. Jam ul brenda shankut, masi janë ndal krismat, jam ngritur në këmbë, i pashë një dy veta të shtritë, ia ka nis me mu koqitë dora dhe kryt prej frikës. Kur i kam dëgju krismat, mu ka duk si mitralez, shumë krisma ka pas”, citohet të ketë thënë dëshmitari Jusufi.

I njëjti në pyetjet e anëtari të trupit gjykues Sahit Boroci, thuhet se ka deklaruar që nuk e kishte pare Agushin që ishte rrëzuar.

Gjithnjë sipas procesverbalit, në këtë seancë ka dëshmuar edhe dëshmitarja, Mirvete Ismajloviq, bashkëshortja e të akuzuarit Afrim Ismajloviq, e cila ka deklaruar se burri i saj akuzohet për vrasjen e B.V, por që atë e njëjta nuk e kishte njohur dhe se Lirim Jakupi ishte shok me burrin e saj.

“Ditën kritike, rreth orës 17:00 Lirim Jakupi me bashkëshorten dhe dy fëmijët kanë ardhur bashkë me Afrimin, ku janë taku me Afrimin nuk e di se nuk e kam pyetur, tek ne kanë ardhur me kerrin tonë. Mu nuk më ka interesu se ku u taku Afrimi me Lirimin se kena telashe tjera, as kush u vra as sen hiq, e kam një fëmijë të sëmurë. Afrimi mrena ditës ka qenë tek shtëpia atë ditë, nuk e di a ka lëvizë Afrimi, por e di që në shtëpi është sjellë atë ditë Afrimi”, thuhet të ketë deklaruar ajo.

Më pas, sipas procesverbalit, dëshmitarja ka thënë se ditën kritike në “Albi Mall” në orën 20:35, kishte bërë fotografi me telefon, e të cilat janë në shkresat e lëndës.

Lidhur me këtë, në procesverbal thuhet se prokurori Mehmeti, ka thënë se fotografitë e përmendura nga dëshmitarja, në bazë të ekspertizës së kryer, kishin rezultuar se shkrepja ishte bërë më 13 shtator 2021 në ora 20:30, e në fotografi është data 12 shtator 2021, e që këto fotografi ishin të pranuara nga rrjeti social Snapchat, e ku nuk përputhej data e realizimit të fotografisë, me atë të që është e shënuar në fotografi.

Në këtë seancë, thuhet se munguan dëshmitarët Astrit Shabani dhe Gent Selimi, për të cilët gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo deri tani nuk kishte konfirmim nga Policia se a do t’i sjellin apo jo. Po ashtu, mungoi dëshmitarja Adelina Bllacaku, për të cilën gjykata nuk ka prova se është ftuar me rregull.

Me këtë rast, në procesverbal thuhet se prokurori Mehmeti propozoi që ndaj dëshmitarëve që nuk iu përgjigjën ftesave dhe nuk kanë mundur të sigurohen me urdhëresë për të dhënë deklarata, të lëshohet edhe një herë urdhëresë për sjellje me detyrim.

Propozimin e prokurorit, e aprovoi kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi, kurse seanca e radhës u caktua të mbahet më 27 prill 2023, ku pritet të dëgjohen edhe dëshmitarët tjerë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42 minuta, në kafenenë “Cafe Bar “Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene dhe afërsi të tani të ndjerit.

Aktakuza thotë se bashkërisht kanë ardhur me veturën e markës “Audi A3”, të cilën po e drejtonte tani i pandehuri i tretë Faton Osmani, ndalen tek marketi “Korqa” dhe nga automjeti dalin dy të pandehurit të armatosur me armë dhe nisen në drejtim të kafenesë dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen në shpejtësi tani të ndjerit B.V, i cili ishte në shoqëri edhe me dy persona të tjerë ulur në karrige dhe po bisedonin, dhe me atë rast aty me shpejtësi arrijnë dy të pandehurit me armë në dorë dhe nga distanca prej rreth një metër, i pari shtie i pandehuri me pistoletë të kalibrit 9 mm, duke i zbrazur tetë fishekë dhe në vazhdim edhe i pandehuri tjetër, me revole të kalibrit 7.65 mm, duke e goditur me gjashtë plumba, në pjesë vitale të trupit.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri nuk iu mbijeton plagëve dhe vdes menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse të pandehurit pas kryerjes së vrasjes largohen me shpejtësi, shkojnë te vetura që ishte duke i pritur dhe nga aty ikin në drejtim të lagjes “Arbëria”,  ku i pandehuri Lirim Jakupi, ka shtëpinë e vet.

Me këtë, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, në datë, kohë dhe vend ashtu siç është përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, të pandehurit Jakupi dhe Ismajloviq ngarkohen se kanë siguruar dhe mbajtur në pronësi në mënyrë të paautorizuar dy armë zjarri- pistoleta, njëra e kalibrit 9 mm, dhe tjetra e kalibrit 7.65 mm, me të cilat në bashkëveprim kane kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, të tani të ndjerit B.V.

Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1, të KPRK-së.

Kurse sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, i pandehuri  Faton Osmani akuzohet se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42, në kafenenë “Cafe Bar Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan pas një përgatitje paraprake, me vetëdije të plotë dhe dashje ka ndihmuar të pandehurit Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq, në kryerjen e vrasjes së rëndë të tani të ndjerit B.V.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Osmani me automjetin e vet te markës “Audi A3”, para aktit të vrasjes, si drejtues i automjetit dhe me dy të pandehurit Lirimin dhe Afrimin si pasagjerë, me automjet bëjnë xhiro në rrugën e parkut të qytetit, aty në kafenenë “Premium” e vërejnë tani të ndierin B.V dhe të njëjtit pa u ndalur, vazhdojnë rrugën deri te rrethrrotullimi përballë Teatrit të qytetit, lëvizin në rrugën në drejtim të Ferizajt, te rrethi përballë Spitalit Regjional, kthehen në drejtim të lagjes së “Kamnikut”, të rrugëkryqi kthehen në të majtë në drejtim të Stacionit të autobusëve dhe në afërsi të marketit “Korqa”, aty e ndal automjetin.

Sipas aktakuzës, nga automjeti dalin dy të pandehurit, i pari Lirimi e pas tij edhe Afrimi, të cilët nisen në këmbë dhe shkojnë te kafeneja “Premium”, aty në bashkëveprim e privojnë nga jeta tani të ndjerin B.V, dhe pas kësaj ikin në drejtim të Stacionit të autobusëve dhe shkojnë e hipin në automjet ku ishte duke i pritur i pandehuri Faton Osmani, i cili e kthen automjetin në drejtim të kundërt nga kishte ardhur, dhe te udhëkryqi në lagjen e Kamnikut, kthen në të majtë vazhdon rrugën dhe kyçet ne rrugën e Zabelit, dhe nga aty lëvizë në drejtim të lagjes “Arbëria”, aty të pandehurit Lirimi dhe Fatoni, kanë shtëpitë e tyre.

Në këtë mënyrë, aktakuza thotë se i pandehuri me veprimet e veta ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale para dhe pas kryerjes së veprës penale të vrasjes.

Me këtë, Faton Osmani akuzohet se kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 nënpar. 1.5 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera