Lajme

Vrasja e rëndë në Prishtinë ku po akuzohen babë e bir, caktohet ekzaminim psikiatrik ndaj djalit

Autori: Gazeta inFokus 08:18 | 09 November 2021

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar propozimin e avokatit të të akuzuarit Besnik Shkodra, Skender Musa, që ndaj të mbrojturit të tij, i cili po akuzohet për vrasje të rëndë, të bëhet ekzaminimi psikiatrik.

Në këtë rast, së bashku me Shkodrën, po akuzohet edhe babai i tij, Baki Shkodriqi për shtytje në vrasjen e tani të ndjerit A.J.

Ndërsa, Shkodra gjithashtu po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti, në seancën e së hënës ka njoftuar palët se avokati Musa përmes një parashtrese kishte kërkuar nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij të bëhet ekzaminim psikiatrik.

“Aprovohet propozimi i mbrojtësit Musa, urdhërohet Instituti i Psikiatrisë Forenzike që të bëjë ekzaminimin psikiatrik të akuzuarit Shkodra”, tha gjykatësi Shyti.

I njëjti shtoi se gjykata do të nxjerrë urdhëresë të veçantë jashtë seance.

Kjo kërkesë, sipas avokatit Musa është bërë me arsyetimin se tek i mbrojturi i tij është vërejtur se ka çrregullime dhe se sipas tij, Shkodra që nga fëmijëria ka pasur një jetë jashtëzakonisht të rëndë pa trajtim social nga familja e tij.

“Qysh në moshë të re, si fëmijë vazhdimisht ka qëndruar jashtë shtëpie duke mbledhur mbeturina. Kam vërejtur se shpirtërisht ka shanca që të jetë i sëmurë”, tha ai.

Gjithashtu Musa ka shtuar se ka vërejtur që Shkodra gjatë këtij procesi gjyqësor nuk e ka kuptuar asnjë seancë.

“Sa kam biseduar me të, më ka treguar se asnjë nga proceset nuk i ka kuptuar. Besoj që është shumë e rëndësishme edhe për gjykatën që të bëhet një ekspertizë dhe të konstatohet gjendja e tij shpirtërore, emocionale dhe aftësia psikofizike për t’i kuptuar veprimet e tij, por edhe raportet me anëtarët e familjes”, tha ai.

Prokurorja e rastit, Fitore Sadikaj tha se ia lë gjykatës të vendos lidhur me këtë propozim.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Selvije Shkodriqi, avokati Jeton Osmani tha se ia lë në dorë gjykatës duke shtuar se të njëjtit nuk kanë vërejtur ndonjë çrregullim të akuzuarit Shkodra ashtu si ceket në kërkesën e mbrojtjes.

Ky propozim i avokatit Musa është përkrahur edhe nga mbrojtësja e të akuzuarit Shkodriqi, avokatja Sadije Mjekiqi.

Ndërsa i akuzuari Shkodriqi ka thënë që djali i tij nuk është mirë me shëndet dhe mund të vërehet edhe në deklaratat e tij, ku i njëjti kishte thënë se ka të kryer shkollën e mesme, mirëpo sipas Shkodriqit ai ka të kryer vetëm 4-vjeçaren dhe nuk di të bëjë dallime mes këtyre dy shkollave.

Gjithashtu ai ka shtuar se edhe mësuesi i shkollës fillore i djalit të tij e kishte rekomanduar atë që Shkodrën ta dërgonte në psikiatri pasi që nuk ishte mirë me shëndet.

“Ka vite që s’e kam pa mësuesin e tij, në atë kohë ai më ka thënë që ta dërgojë djalin në psikiatri sepse nuk ishte mirë me shëndet, por në atë kohë nuk ishin kushtet financiare që ta dërgoj”, tha ai.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin dëshmitarët Shkodran Shkodriqi, Qamil Maroshi dhe Edis Sherifi, mirëpo seanca u shty, meqenëse prezent nuk ishte i akuzuari Shkodra.

Në fillim të seancës, gjykatësi Shyti ka njoftuar palët se gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjelljen e të akuzuarit nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), por që sipas tij, nuk ka prova nëse kjo urdhëresë është pranuar nga ky shërbim.

Andaj, meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi, gjykata ka caktuar seancat e radhës për 16 dhe 23 dhjetor 2021.

Gjykatësi Shyti tha se për seancën e radhës, për të akuzuarin Shkodra, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje në shoqërim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, ditë kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit A.J, i cili gjendej në veturë.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.

Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera