Lajme

Vrạsja e ndodhur më 2021 në Mitrovicë, eksperti thotë se i akuzuari pa fajin e tij ka rënë në tronditje mendore

Autori: Gazeta inFokus 09:45 | 15 October 2024

Në rigjykimin ndaj Leotrim Selimit dhe Bejtë Hasanit, të akuzuar për vrasjen e rëndë në shkurt të 2021-ës në Mitrovicë, të hënën u dëgjua i psikiatrisë eksperti Tahir Bunjaku, i cili tha se i akuzuari Selimi pa fajin e tij ka rënë në tronditje mendore.

Në këtë rast, Leotrim Selimi ngarkohet për vrasje të rëndë të M.K dhe plagosje të Behar Halilit si dhe ngarkohet për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Mehmeti, e ka pyetur ekspertin nëse tronditja mendore ka ardhur pa fajin e të pandehurit, pasi sipas aktakuzës rezulton se të pandehurit të gjithë së bashku kanë shkuar në vendin ku ka punuar viktima, dhe të dëmtuarit tjerë, dhe në bazë të dëshmive të pandehurit aty kanë shkuar të armatosur.

-Advertisement-

Bunjaku tha se bazuar nga shkresat e lendës dhe deklaratat e vetë të pandehurit Selimi është konstatuar se Selimi pa fajin e tij ka rënë në tronditje mendore, pasi të dëmtuarit kur kanë zbritur nga vetura ky ua ka zgjatur dorën, por njëri prej tyre e ka ofenduar, e tjetri iu ka afruar me një mjet të palakuar në duar.

Ndërsa lidhur me arsyet e mbajtjes së armës nga i pandehuri Selimi, eksperti tha se për këtë nuk mund të deklarojë, pavarësisht se këtë Selimi e arsyeton nga faktet dhe arsyet e tij personale.

I pyetur se në rastin konkret a është dashur të paraqitej tronditja mendore tek personi me një kabllo në duar, apo te personi që posedonte armë, eksperti Bunjaku tha se tronditja mendore paraqitet te personi i cili është përbuzur, ofenduar dhe i është rrezikuar jeta, e që personi konkret ka qenë i ekzaminuari.

Eksperti Bunjaku shtoi se Selimi e ka ndjerë veten të rrezikuar nga ngritja e duarve lart nga i dëmtuari (Behar Halili), i cili ka pasur një mjet të palakuar, me një gjatësi dhe trashësi të konsiderueshme.

Ai tha se i pandehuri Selimi e ka ndjerë veten të rrezikuar edhe nga ndonjë sulm eventual dhe se i njëjti ka vepruar në një gjendje frike për jetën dhe integritetin e tij.

Bunjaku tha se në rastin konkret frika e paraqitur tek i pandehuri Selimi i ka shkakuar tronditje të fortë mendore, duke e bërë që mos t’i kontrollojë veprimet e tij dhe mos të logjikojë për pasojat e këtyre veprimeve.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Bejtë Hasani, avokati Skender Musa kërkoi nga trupi gjykues që ekspertiza psikiatrike për të mbrojturin e tij t’i kthehet Institutit të Psikiatrisë Forenzike, me arsyetimin se ka të meta të qëllimshme, pasi i mbrojturi i tij ka histori të trajtimit mjekësor dhe përdorë medikamente.

Në fund, gjykata vendosi që në seancën e ardhshme të shqyrtimit gjyqësor të dëgjohet kryetarja e komisionit të ekspertëve lidhur me ekzaminimin psikiatrik të të pandehurit Bejtë Hasani.

Seanca e radhës pritet të mbahet muajin e ardhshëm.

Më 8 shtator 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar me dënim unik prej 21 vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarin Leotrim Selimi, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj.

Mirëpo, ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit, kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 19 janar 2024 Apeli aprovoi ankesat dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.

Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi më 17 nëntor 2021 janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajsh (secili veç e veç), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Të akuzuarit Leutrim Selimi dhe Bejtë Hasani e kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Sipas pikës I.1 të aktakuzës, Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K, ku pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e “Proper Pizza”, Albert Beqiri, vjen deri te konflikti mes grupit të “Maestros”, Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, dhe grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K.

Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi kishte nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava” dhe kishte shtënë në viktimën dhe godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit e si rezultat i plagëve të marra vdes. Tutje, në aktakuzë thuhet se predhat e goditin edhe Behar Halilin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

Ndërsa, në pikën I.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, me një karikator, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

Sipas pikës II.1 të aktakuzës, Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e ka përfunduar.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas fjalosjes mes grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K, dhe grupit të “Maestros” Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, rreth punëtorëve, nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava”, dhe shtie në drejtim të grupit të “Proper Pizza”, me këtë rast e godet Florim Sadikun dhe i shkakton dëmtime të rënda trupore, si dhe vë në rrezik jetën e personave të grupit të “Proper Pizza”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par. 1, pika 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas pikës II. 2 të aktakuzës, i pandehuri Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 dhe 2 të dispozitivit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën III. 1 thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK.

Ndërsa, në pikën III.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, duke e nxjerrë gjatë konfliktit mes grupeve dhe drejtuar M.K., Mentor Beqirit, Florim Sadikut dhe Behar Halilit.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën III/1.

Ndërsa, në pikën e fundit IV.1 të aktakuzës, i pandehuri Valmir Selimi thuhet se më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës gjysmëautomatike ‘Eibar Star”, me një karikator dhe tre fishekë, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

Ndërsa, në pikën IV. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valmir Selimi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese ndaj grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili, e M.K., pistoletën e markës “Eibar Star”, duke e nxjerrë dhe repetitë para lokalit.

Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën IV/1 të dispozitivit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera