Vrasja e 15-vjeçarit dhe babait të tij, dëshmitari: Kur shkova në vendin e ngjarjes e pash një masakër
Autori: Gazeta inFokus 16:12 | 21 March 2023
Dëshmitari Jetmir Muja, në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës deklaroi se kur kishte shkuar në vendin e ngjarjes kishte parë një masakër.
“Kur kom shku në vendin ngjarjes muj me thanë që e kom parë një masakër, e kom pa djalin 15 vjet pa jetë, mixhën e kom parë në gjendje shumë të keqe, i dëmtum u kanë në kry shumë dhe po ashtu një herë kom mëndu që edhe Dritoni dhe Valmri janë të vramë sepse edhe ata kanë qenë të shtrirë për toke”, ka thënë dëshmitari/i dëmtuari Muja.
Këtë deklarim dëshmitari Muja e bëri në rastin ku Xhafer Bardhi bashkë me djalin e tij Amir Bardhin, akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore, kanë privuar nga jeta të miturin A.M (15-vjeçar) dhe prindin e tij B.M., raporton “Betimi për Drejtësi”.
I njëjti ka thënë se, te vendi i ngjarjes kishin shkuar ai, Sokoli bashkëshortja e tij Selvetja bashkëshortja e B., Albuleta vajza e B., Marigona vajza e Sokloit dhe halla Floria, të gjithë me të njëjtën veturë të tipit “Opel Vectra”.
Ndërsa, sa i përket vendit të ngjarjes, dëshmitari tha se është hera e parë që kishte shkuar.
Dëshmitari Jetmir tha se, për rastin e ndodhur ka kuptuar pasi i ka dëgjuar duke bërtitur në oborr axhën Sokol dhe më pas kishin vazhduar drejt tek vendi i ngjarjes.
“E kam ndëgjuar duke piskit jashtë në oborr dhe kom nga me vrap kom shku te mixha Sokoli dhe aty e kom marr vesh që A. e kanë zanë rami edhe kena vazhdu drejt te vendi i ngjarjes”, tha dëshmitari.
Dëshmitari Muja, ka thënë se, ka vrapuar te Valmiri sepse sipas tij, të njëjtit i kishte rënë të fikët pastaj ishte kthyer te B për t’i ndihmuar aq sa kishin mundur.
Tutje, dëshmitari Muja ka shtuar se me të ndjerin e mitur A., s’ishte marr pasi ishte i vdekur, ndërsa, ishte marr me B.
Dëshmitari Muja ka shtuar se, nuk i kujtohej a kishte traktor apo rimorkio në vendin e ngjarje, por vetëm kishte parë A. të vdekur, xhaxhin B, dhe tre të lënduarve që kishin qenë.
Më pas, dëshmitari Muja, është pyetur nga avokati mbrojtës i të akuzuarit Xhafer, Millaku se a kishte dikush nga të afërmit apo familja e tij automjet të tipit “Opel Vektra”, ai ka thënë se po ishte vetura e axhës së tij, Sokolit.
Pas, tij në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar Sokol Muja, i cili pasi është pyetur nga avokati mbrojtës i të akuzuarit Xhafer, Millaku me atë se a kishte pasur kamera të vendosura në shtëpinë e tij ku mund të shihet rruga që qon deri tek vendi i ngjarjes para rastit të 5 prillit 2021, dëshmitari Muja ka thënë se i ka pasur katër kamerat e të njëjtat i ka pas të vendosura diku pesë- gjashtë vite para se të ndodhte ngjarja, ndërsa të njëjtat ishin funksionale edhe dikën kritike.
Tutje, i njëjti ka thënë se policia kishin qenë dhe të njëjtit i kishin marr incizimet e asaj dite por nuk e di saktë se për çfarë periudhe pasi ishte i tronditur.
I pyetur nga gjykatësi Agim Kuçi se a i dinte arsyet se pse kishte ardhur deri te ky rast, dëshmitari Muja ka thënë se asnjëherë asnjë telash nuk e kishin me të akuzuarin Xhaferi e as me familjaret e tij.
Në këtë rast ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Bislim Muja, mirëpo gjatë kësaj seancë avokati Haxhi Millaku deklaroj se heq dorë nga dëgjimi i këtij dëshmitari.
Në këto rrethana, shqyrtimi i sotëm gjyqësor u shty për datën 25 prill 2023.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.
Aktakuza thotë se të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja, i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë drunj, për ta marrë traktorin dhe për të ngarkuar drunjtë të cilat kanë qenë duke i prerë në mal.
Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se “çka jeni duke bërë” dhe se i njëjti i tregon se janë duke prerë drunj në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë drunjtë, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amir nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë drunj në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.
I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi, thuhet se i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe niset më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë drunj.
Aty, i pandehuri Amir thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën dritë për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.
Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë thuhet se i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim bir se u bo m**”.
Aktakuza thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur drunj, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.
Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë. Ndërsa, tani i ndjeri B.M pëson lëndime të rënda trupore, ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.
Me këtë, të pandehurit Bardhi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vetë. Me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRKsë.
Shpërndaje
Të tjera
-
Pasurimi i familjes Veliaj- Bashkëshortja 617 mijë euro llogari bankare, kompania e vëllait 30 milionë euro të ardhura
Në datën 6 dhjetor 2024, dy oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqite...
-
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se grupe terror...
-
Dervishaj: Rritja e investimeve dhe bashkëpunimi me diasporën, prioritet i angazhimit tim si kandidat për deputet
Kandidati për deputet me numër 77 nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës...
-
“Knojshim në shëtitore kangë të UÇK-së”, Haradinaj përshkruan takimet me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin
Nasim Haradinaj ka përshkruar takimet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup ...
-
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe mjaft i ftohtë...
-
Kurti debaton me një mërgimtar që iu ankua për rrymë: S’mund të bëjmë zgjidhje menjëherë, është rritur ngarkesa
Një mërgimtar teksa nuk i kursente duartrokitjet për kryeministrit Albin Kurt...
-
Gucati: Kurti më rrejti në zyrën time, është veteran fals
Ish-kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, du...
-
Elshani thotë se sulme tjera mund të ketë në veri, por masat janë marrë
Pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti se mund të ketë sulme ...
-
Instalohen kamerat publike në qytetin e Junikut
Komuna e Junikut sot ka instaluar kamerat publike në këtë qytet. Lajmin e ...
-
“Ai ka qenë forca ime”, Nasim Haradinaj përlotet në studio për vëllain që i vdiq sa ky ishte në Hagë- Specialja nuk i dha leje për varrimin e tij
Nasim Haradinaj ka folur për vdekjen e vëllait të tij, Agronit, për të cilin ...
-
Thëngjill para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e protesta para KEDS-it – Si reagonte Vetëvendosja opozitare përballë reduktimeve të energjisë elektrike
Qytetarë nëpër zona të vendit po përballen këtë javë me ndërprerje të energji...
-
Vendimi i PZAP-së për Listën Serbe, KQZ: Ka kohë 48 orë për t’u ankuar në Gjykatë Supreme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka miratuar sot ankesën e ...