Von der Leyen ofron garanci për gjuhën maqedonase; opozita proteston
Autori: Gazeta inFokus
15:26 | 14 Korrik 2022
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të enjten ka nisur debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
Dy vendet, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.
Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, tash e dy javë gati, organizon protesta. Para ndërtesës së Kuvendit, janë mbledhur protestues me flamujt maqedonas e pankarta në duar.
Deputetëve të Maqedonisë së Veriut me një fjalim iu drejtua edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ajo tha para deputetëve se “është koha për marrjen e vendimeve të mençura për ta çuar vendin drejt integrimit evropian”, ndërsa siguroi deputetët se me propozimin e modifikuar francez, nuk rrezikohet gjuha maqedonase, deklaratë kjo që u prit me duartrokitje nga deputetët e shumicës parlamentare dhe fishkëllima nga deputetët e opozitës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj para deputetëve në Kuvendin maqedonas.
“Kam dëgjuar me vëmendje për shqetësimin tuaj për gjuhën dhe identitetin. Nuk ka dyshime, gjuha maqedonase është gjuha e juaj. E përsëris, nuk ka dyshime, gjuha maqedonase është gjuhë e juaja dhe ne plotësisht e respektojnë. Në propozimin e modifikuar qëndron gjuha maqedonase pa kualifikime nga Bashkimi Evropian. Protokolli respekton edhe identitetin tuaj kombëtar. Parimi i vetëidentifikimit është me rëndësi të veçantë për të gjithë ne. Mund të llogarisni në mua”.
“Si kryetare e KE-së, dua t’ju siguroj se procesi i anëtarësimit do t’i respektojë rreptësishtë parimet evropiane dhe standardet”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila paraprakisht u takua me presidentin Stevo Pendarovski dh kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Zyrtarë të lartë evropianë dhe amerikanë kanë bërë thirrje për miratimin e propozimit, si mundësi e vetme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por edhe për, siç kanë thënë, forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë vend dhe më gjerë.
Deputetët duhet të miratojnë një konkluzion prej pesë pikash që është hartuar nga Lidhja Social Demokrate në pushtet.
“Duke u nisur nga interesat kombëtare strategjike për anëtarësim në BE, Kuvendi obligon Qeverinë t’i vazhdojë negociatat me BE-në me qëllim të zhbllokimit të procesit integrues dhe të miratohet korniza e bisedimeve që përmban parimet evropiane. Qeveria obligohet që përmes delegacioneve në bisedime t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet veç tjerash në konkluzionet që duhet t’i miratojë Kuvendi.
Miratimi i propozimit në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.
Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase, e cila kontestohet nga Sofja, me pretendimin se para vitit 1945 ajo ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet.
Opozita maqedonase, e udhëhequr nga partitë VMRO DPMNE dhe E Majta, mbetet në qëndrimin se propozimi “rrënon” identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike.
Sipas saj, propozimi nuk do të kalojë në momentin kur do të nevojitet miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka.
“Konkluzionet do të kishin kuptim vetëm nëse Qeveria [e Maqedonisë së Veriut] pranon të korrigjohet propozimi francez, duke hedhur poshtë të gjitha shantazhet, përfshirë ndryshimin e Kushtetutës. Nëse pranohet kështu, Maqedoninë [e Veriut] do ta fusin në një proces të krizave politike dhe tensioneve, në dhjetë vjetët e ardhshëm. Por, besoj se propozimi do të ngecë te ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.
Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet dhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë, e mbështesin propozimin, si “zgjidhja e vetme dhe më e mirë e mundshme për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.
Miratimi i propozimit, sipas tyre, “do të evitonte mundësinë e rritjes së ndikimeve ruse në vend dhe do të forconte stabilitetin jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë”.
Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE tash e 17 vjet. Edhe pse zyrtarët evropianë kanë dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit, Bullgaria, si vend i BE-së, i ka vënë veto procesit.
Debatit në Kuvend po përcillet me protesta para Kuvendit, por Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë masa të forta sigurie para ndërtesës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera në Shkup./REL

T� tjera
-
“As vràsjes time nuk pres t’i përgjigjeni” – Letra që Arlinda Zekaj, e vràrë mbrëmë me sëpatë, ia kishte drejtuar kryetarit të Gjykatës në Pejë
Arlinda Zekaj, 49-vjeçarja që u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës, kishte ...
-
PDK e LDK kërkojnë raportim urgjent nesër të kryesuesve të KPK-së dhe KGJK-së
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratik e Kosovës, kanë kërkuar që...
-
Presidentja kërkon hetim urgjent për gruan që u vra në Pejë: Çdo dyshim për dështim, të marrë përgjigje
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar ashpër pas vrasjes së...
-
Tentim-vras*je në Prishtinë, një person përfundon në spital
Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një rrahjeje që ka ndodhur në Pris...
-
Kryeprokurori i Shtetit kërkon raport për trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka ndërmarrë veprime konkrete instit...
-
Policia thotë se Arlinda u kthye në shtëpi me dëshirën e saj, avokatja e kundërshton: “Nuk ka qenë vullneti i viktimës!”
Policia e Kosovës deklaroi se Arlinda Zekaj, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetor...
-
Rasti në Pejë: VV-ja thërret seancë të jashtëzakonshme, kërkohet themelimi i një komisioni hetimor
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka vënë në lëvizje i...
-
Kryetarja e Kuvendit kërkon hetim të plotë për vra*sjen e gruas në Pejë
Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për rastin e ...
-
Pas ndarjes së parakohshme nga jeta, hapet GoFundMe për riatdhesimin e Rinesa Qeriqit
Është hapur një fushatë për mbledhjen e donacioneve në platformën GoFundMe, m...
-
ALARMANTE: 8 gra u vrạnë në Kosovë vetëm këtë vit- Rastet që tronditën vendin
Tri ditë para se të vritej, Arlinda Sylaj Zekaj u kishte shkruar institucione...
-
Avokati Jashari: Reagimet e Policisë dhe Prokurorisë për vrasjen në Vitromiricë e shpërfaqin edhe më shumë amatorizmin e institucioneve tona
Avokati Arbër Jashari ka reaguar për mënyrën se si Policia dhe Prokuroria e P...
-
Qorolli akuzon prokuroren për rastin e Arlinda Zekajt: Ajo duhet të jap llogari, para ligjit dhe para Zotit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit, kryetari i Komisionit Parlamen...



































