Lajme

Vodhi paratë që po transportoheshin për në bankë: Policia kap 31 vjeçarin nga Podujeva

Autori: Gazeta inFokus 16:20 | 03 March 2021

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar 31 vjecarin, A.H nga fshati Shtedim i komunës së Podujevës.

I njëjti po dyshohet se kreu vjedhjen e një sasie të madhe të parave me 26 tetor në Fushë Kosovë, duke vjedhur paratë që një biznes po i transportonte për ti dërguar në bankë.

Rastin për Gazetën inFokus e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci i cili ka thënë se A.H është arrestuar në shtëpinë e tij.

“Policia e rajonit të Prishtinës në vazhdën e masave dhe veprimeve policore që po ndërmerr  me qëllim parandalimin e rasteve kriminale si dhe kapjen e personave të dyshuar si  autor të veprave të inkriminuara, sot ka kryer një operacion të gjerë cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për grabitje. Ngjarja ka ndodhur më 26.10.2020, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, me ç’ rast  nga personeli i një subjekti afarist, ishte grabitur një vlerë e konsiderueshme parash, përderisa po i transportonin ato për ti deponuar në bankë”, ka thënë Borovci.

Po ashtu Borovci ka dhënë edhe detaje të tjera dhe çka është konfiskuar në vendin e ngjarjes.

Operacioni i  bastisjes është kryer sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin  Shtedim  të Podujevës me ç’ rast policia ka arritur të arrestoj të dyshuarin; A. H, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet të jetë përfshirë në rastin e sipër cekur. Ndërlidhur me rastin policia ka sekuestruar edhe; Një automjet të llojit  Pick-Up, i cili bazuar në rezultatet e hetimit të deritanishëm dyshohet të jetë automjeti i shfrytëzuar për ikje”, ka deklaruar Borovci.

Sipas zëdhënësit të policisë në ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze si dhe ato operativo-policore në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për tu proceduar më tej./Gazeta inFokus/

Të tjera