Lajme

Vlora Çitaku viziton Thaçin në Hagë: Më pyeti cilën kombëtare e përkrah në Evropian

Autori: Gazeta inFokus 18:08 | 20 June 2024

Zyrtarja e lartë e PDK-së dhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka vizituar sot ish-presidentin e Kosovës në Hagë. Çitaku ka treguar në detaje për bisedat që ka pasur me të.

Çitaku thotë se e ka pyetur edhe për shokët e tjerë që po mbahen në Hagë dhe thotë se lidhja mes tyre është shumë e fuqishme.

Ajo ka thënë se e ka pyetur edhe për kampionatin dhe për cilën kombëtare bën tifo.

-Advertisement-

“Dihet më tha”, ka shkruar Çitaku.

Postimi i plotë:

Kronikë nga Haga: Vizitë Hashim Thaçit

Në korridoret e pafundme të burgut në Hagë, atmosfera është e zymtë dhe e ftohtë. Më irritojnë zhurmat e dyerve të hekurta që hapen njëra pas tjetrës. Sikur duan të ma përplasin fytyrës: këtu është e burgosur një pjesë e historisë dhe lavdisë së Kosovës!

Pamja, disponimi dhe humori i Presidentit ishte pikërisht ai që prisja të shihja. Në 25 vjetorin e çlirimit, flasim për të kaluarën, betejat e panumërta, që ai dhe shokët e tij i zhvilluan në përpjekjet për liri. Kujtojmë sakrificat e popullit tonë, gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe martirëve. Të qindra fëmijëve – ëndrrat e të cilëve u prenë në gjysmë nga një regjim gjenocidal. I tregova edhe për Leotrimin e vogël – i cili u përjetësua në bronz një ditë më parë në Skenderaj.

Biseda kthehet në të tashmen. Përkundër sfidave, Presidenti natyrisht, si gjithmonë, flet me bindje për të ardhmen e ndritur të Kosovës. Vizioni i tij mbetet i qartë. Besimi i tij në popullin tonë, i palëkundur. Pavarësisht hekurave, shpresa dhe aura e tij më mbushin frymëzim.

E pyes edhe për shokët: Kryetarin Veseli, Kryetarin Krasniqi, Rexhep Selimin dhe të tjerët. Nga afër e shoh se si lidhja mes këtyre burrave në Hagë, e krijuar në zjarret e luftës, është shumë e fuqishme. Ata marrin forcë nga njëri-tjetri.

Folëm pak për kampionatin e futbollit. Më tregoi që po e përcjellë aq sa mundet, e kur po ka kohë. E pyeta kënd po e mbështetë? Dihet, më tha

Koha kalon shumë shpejt. Derisa përgatitem të largohem, në qëndrimin e Presidentit nuk shoh një të burgosur. E shoh një burrështetas, trashëgimia e të cilit nuk mund të njolloset nga askush dhe asgjë.

Në dalje e sipër kujtohem për heronjtë dhe të pamposhturit, për qëndrueshmërinë e popullit tonë. Errësira dhe padrejtësia nuk janë të reja për ne. Por me besim, guxim e dinjitet, do t’i tejkalojmë përsëri, ashtu siç bëmë 25 vjet më parë.

Kosova do të bëhet – sepse është ngritur mbi shpatullat e gjigantëve.

Presidenti Thaçi më la edhe një herë me një të vërtetë të pamohueshme: Dielli do të lind përsëri!

Hagë, 20 qershor 2024.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet

Të tjera