Lajme

Vllahiu: Sot nis puna për prodhimin e shtuar në Termocentralet e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 15:54 | 26 December 2017

ëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, Arbër Vllahiu, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe një pjesë e kabinetit të kryeministrit, kanë vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës, për të parë nga afër fillimin e punës së ekskavatorëve në fshatin Shipitullë.

Para mediave të pranishme, zëdhënësi Vllahiu, tha se ky është lajm shumë i mirë për qytetarët e Kosovës që ndërlidhet me energjinë.

Ai tha se procesi i shpronësimit në Hade dhe Shipitullë sot ka marrë fund dhe banorët e fundit të këtyre fshatrave kanë nënshkruar kontratat me Korporatën Energjetike të Kosovës.

-Advertisement-

“Kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës kanë përmbyllur njërën nga çështjet më të mëdha të vendit që kanë mbajtur peng gjendjen energjetike prej më shumë se dhjetë vjetësh. E vlerësojmë angazhimin e menaxhmentit të KEK-ut në bashkëpunim me institucionet e vendit, për ta përfunduar këtë proces të vështirë dhe njëkohësisht emergjent për vendin dhe përkujdesjen e tij për banorët e fshatrave Hade e Shipitullë, të cilëve u janë shpronësuar pronat e tyre”, tha Vllahiu.

Zëdhënësi Vllahiu, po ashtu vlerësoi gatishmërinë e banorëve të fshatrave që të përmbyllin këtë proces të vështirë për ta, por të domosdoshëm për të ardhmen e vendit.

“Sot nis puna që do të mundësoj prodhimin e shtuar në Termocentralet e Kosovës, ndërkaq të gjitha objektet në zonë do të rrënohen para Vitit të Ri. Brenda pak kohësh Kosova nuk do të importojë më energji dhe nuk do të shpenzojë paratë e saj për këtë qëllim, por do të prodhojë vetë energjinë për qytetarët e vet”, u shpreh zëdhënësi Vllahiu.

Duke folur rreth punës 100 ditëshe të kryeministrit Haradinaj, zëdhënësi Vllahiu, tha se gjatë kësaj periudhe kryeministri i ka kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme çështjes së energjisë dhe krijimit të kushteve të favorshme për prodhimin e energjisë nga Termocentralet e Kosovës.
Ai tha se, angazhimi i përditshëm i Kryeministrit Haradinaj në çështjen e energjisë ka parandaluar humbjet që mund të përjetonte Kosova në muajt e ardhshëm, dhe i jep fund edhe shpenzimeve enorme vjetore prej mbi 100 milionë euro, siç ka ndodhur në të kaluarën me blerjen e energjisë.

“E ripërsërisim edhe njëherë qëndrimin e kryeministrit Haradinaj se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë dhe nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Periudhës emergjente dhe humbjeve po i vjen fundi”, tha Vllahiu, duke theksuar se në 100 ditëshin e parë të qeverisjes Haradinaj, është nënshkruar marrëveshja më e madhe që prej pasluftës në Kosovë, me kompaninë amerikane “Contour Global” për Termocentralin e ri në një vlerë prej mbi 1.3 miliard eurosh, që do të garantojë stabilitetin energjetik dhe njëkohësisht mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se mos funksionimi i këtyre ekskavatorëve për më shumë se 16 muaj kanë shkaktuar humbje enorme, diku rreth 1 milion euro në muaj, dhe kjo për shkak të neglizhencës së një qeverie e cila nuk i ka dhënë prioritet fushës së energjisë.

“Kjo është një e arritur e madhe që të sigurohet furnizimi i brendshëm i energjisë”, tha ministri Lluka, duke falënderuar kryeministrin Haradinaj për angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e tij në zhbllokimin nga një krizë e mundshme energjetike.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj tha se sot përfundimisht po fillojnë aktivitetet.

“Përfundimisht në mëngjes kemi arritur marrëveshje me lagjen Mirena. Siç po e shihni pas nesh janë duke punuar dy ekskavatorë. Qëllimisht i kemi vendosur dy ekskavatorë për ta përshpejtuar dhe për ta evituar një krizë nëpër të cilën mund të kaloj vendi gjatë sezonit në të cilën po hyjmë”, tha drejtori Gjukaj.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera