Lajme

“Vjosa Osmani po sillet si një fanse e zjarrtë e Albin Kurtit, e jo si u.d. e presidentit”

Autori: Gazeta inFokus 20:12 | 23 January 2021

Njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, e ka vlerësuar si tendencë autoritare dhe kërcënim deklaratat e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit tha se do të detyrohet të ndërmarrë masa në rast se cënohet edhe njëherë integriteti i KQZ’së.

Salihu, në një prononcim për Gazetën Express, i ka cilësuar tutje sjelljet e Osmanit më shumë si “të një militante të Albin Kurtit, sesa të ushtrueses së detyrës së presidentit”.

“Ky është një standard i rrezikshëm. Asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur që Presidenti ose U.D. Presidenti ta kërcënojë haptazi KQZ-në. Vjosa Osmani po vazhdon të sillet si një fanse e zjarrtë e një militante e Albin Kurtit dhe jo si U.D. e Presidentit. Deklarata e saj e sontme ishte kërcënim i hapur autoritar ndaj KQZ-se si një institucion i pavarur”, ka deklaruar politologu.

-Advertisement-

Ai, tutje ka thënë se të gjitha kauzat e ndërtuara deri më tani nga Osmani kanë rënë poshtë, pas deklarimit të saj të sotëm për ndërmarrjen e masave ndaj KQZ’së.

“Vjosa Osmani po ashtu dëshmoi se kauza e saj e luftës për të drejtat e grave ka qenë vetëm një fluskë deh mashtrim i shëmtuar. Ajo e ka përdorur viktimizimin gjinor për ta zhvilluar luftën e saj politike kundër LDK’së. Në momentin që bashkëpartiakët e saj të VV’së e sulmuan një grua, ajo heshti gjer më sonte. Kurse sonte, u bë goditësja e radhës ndaj një gruaje që udhëheq një institucion të pavarur. Kjo do të thotë se edhe kauza e çkapjes së shtetit e mosndërhyrjes në institucione të pavarura edhe kauza e mbrojtjes së grave aktive në jetën publike, ranë në ujë përballë magjepsjes dhe adhurimit ndaj liderit të saj të ri, Albin Kurtit”, ka përvijëzuar tutje Salihu.

Osmani përgjatë ditës së sotme ka thënë se në rast se abuzohet me KQZ’në, do të obligohet të ndërmarrë masa nga pozita e u.d. presidentit.

“I ftoj qytetarët të ruajnë maturinë dhe qetësinë që ta mbrojmë integritetin e procesit zgjedhor. Jam duke punuar afër me partnerët tanë që të kemi prezencën e tyre në këtë proces. Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ’së do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ’së dhe procesit zgjedhor”, ka deklaruar ajo me anë të një video-mesazhi në ‘Facebook’.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera