Lajme

Vjosa Osmani-mërgimtarëve: Dashurinë tuaj për Kosovën do t’ua kthejmë shumë shpejtë

Autori: Gazeta inFokus 23:10 | 02 March 2021

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Zvicër me ftesën e parlamentit të këtij vendi. Osmani thotë se dashurinë e mërgatës për Kosovën do ta kthejnë në partneritet strategjik e projekte e angazhim konkret.

“Mërgatë e dashur, ju na keni dëshmuar që sakrifica e puna e drejtë shpërblehet gjithmonë me të mirë. Dashurinë e madhe e të pa kusht që ju keni për Kosovën, do t`a kthejmë shumë shpejt në partneritet strategjik e projekte e angazhim konkret”, ka shkruar Osmani.

Postimi i saj i plotë:

-Advertisement-

Vizitën në Zvicër, ku po qëndroj me ftesë të Parlamentit zviceran, e fillova me një takim me mërgatën tonë, me ata që sado që tashmë në këtë vend kanë ndërtuar shtëpinë e familjet e tyre, mendjen e zemrën e mbajnë gjithmonë pranë Kosovës sonë të dashur. Nuk e përshkruaj dot me fjalë se çfarë nderi, privilegji e krenarie është të jesh në mesin e juristëve, mjekëve, shkencëtarëve, studiuesve, ndërmarrësve, artistëve, arkitektëve e profestionistëve të fushave nga më të ndryshme të cilët po shkëlqejnë në profesionet që kanë përrzgjedhur e po japin kontribut të jashtëzakonshëm e përmbajtësor në shoqërinë zvicerane. Kishim aq shumë për të folur, por natyrshëm, fokusin e mbajtëm tek diskutimi i mënyrave të bashkëpunimit ku mërgata jonë nuk shihet më vetëm si burim i remitencave, por si burim i ideve, kompetencës dhe profesionalizmit, e për të cilat vlera vendi ynë ka nevojë tani më shumë se kurrë. Të lësh vendin tënd për të shkuar në një vend të huaj e të përballen me sakrifica të shumta e gjithë familja- nuk është aspak e lehtë. Por, mërgatë e dashur, ju na keni dëshmuar që sakrifica e puna e drejtë shpërblehet gjithmonë me të mirë. Dashurinë e madhe e të pa kusht që ju keni për Kosovën, do t`a kthejmë shumë shpejt në partneritet strategjik e projekte e angazhim konkret. Ju jam mirënjohëse secilit e secilës që pata kënaqësinë t’u takoj, e ndjesë të gjithë të tjerëve që për shkak të rregullave të pandemisë e kishim të pamundur t’ju përshëndesim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera