Opinione

Vjeshta e pritshmërive të mëdha politike

Autori: Gazeta inFokus 12:51 | 02 September 2019

Vera duket sikur kaloi e qetë, por nga Shtatori pritet të rifillojë përsëri beteja politike. Ky duket të jetë refreni i gjithë këtyre ditëve, duke fryrë ose dhe duke karikuar, kështu një pritshmëri të madhe. Vetëm se nuk duhet harruar se pritshmëritë kur nuk janë të shëndetshme, e prishin më keq e më rëndë gjithë projektin. Diçka e tillë duket e lehtë në të thënë, por mbart mbi vete një teori e një praktikë për t’u përzgjedhur, një rrugëtim e një strategji të tërë për t’u përshkruar. E në të gjithë këta përbërës forca e ideve dhe masa e kujdesit për të mos kaluar caqet është vendimtare. Edhe këtu, mund të duket pak paradoksale nevoja për kujdes dhe për masë, pasi është e qartë në sytë e gjithkujt që gjendja e Shqipërisë nuk është aspak e shëndetshme nga ana demokratike e sociale.

Mund të jetë ligjore, por jo legjitime, mund të jetë në rregull me procedurën demokratike, por jo me frymën e saj? Po atëherë cila është ajo masë që nuk duhet kaluar, kur duket se kupa është mbushur e madje është derdhur, mund të pyeste dikush? Pritshmëritë, duhen kuptuar parësisht, jo si privilegj i politikës, i qeverisë apo opozitës, siç ka ndodhur deri më sot. Përkundrazi, këtu ka qëndruar e qëndron i gjithë kompleksiteti dhe mpleksja, në dukje e pazgjidhshme e situatës. Asnjëherë nuk trajtohet këndvështrimi i pritshmërive të publikut, të gjithë asaj mase të heshtur të shqiptarëve që nuk votuan më 30 qershor, por po njëlloj edhe të atyre që shkuan në kutitë e votimit, të sigurt se kishin të bënin me një palë zgjedhje që kuptoheshin qartë që ishin njëpartiake dhe aspak demokratikisht të shëndetshme. Ashtu siç duhet lexuar heshtja e tyre, ashtu duhen lexuar edhe pritshmëritë e kësaj vjeshte politike. A mos vallë ka ndryshuar diçka? Opozita vazhdoi edhe në verë me denoncimet e veta, e duhet të vazhdojë për çdo rast bashkiaku, ministri apo qeveritari të denoncojë gjithçka që di, çdo dokument apo fakt që zotëron. Kjo është e drejta e saj legjitime, vetëm se kjo nuk është as aksion, e as projekt ose taktikë, kjo është thjesht detyra e saj, e nuk duhet të ngatërrohet aspak me pritshmëritë. Ato përbëjnë diçka më shumë, diçka që rrok përbrenda të tashmen dhe perspektivën, diçka që lidh nevojat më të urgjentshme të publikut të vet, por edhe të publikut të tjetrit, e mbi të gjitha ngrihet mbi nevojën e çastit. Duket, në pamje të parë, se midis pritshmërive të qeverisë dhe opozitës është ngritur një mur, kështu që ato duhet të përplasin kokën në trashësinë dhe porozitetin e mureve të njëri-tjetrit.

Duket sikur nuk ka asgjë tjetër që i bashkon, përveç pushtetit. Njëri që e do dhe tjetri që se lëshon, duke mos paragjykuar aspak me termin “me çdo kusht”, që është përdorur shpesh për të etiketuar gjendjen e dy fronteve. Mirëpo, harrohet që në mes tyre, e përkundrazi, përballë tyre, është populli dhe publiku shqiptar i politikës, qoftë i qeverisë apo i opozitës. Nëse e shikon me këtë sy nuk beson se pritshmëritë e të publikeve nuk kanë asnjë pikë të përbashkët, nuk kanë aspirata, nevoja dhe vuajtje të njëjta. Madje, janë të shumta gjërat që i kanë të përbashkëta, pasi ata s’kanë pikërisht atë që i ndan të gjithë politikanët, pushtetin. Atëherë, ku mund t’i gjejmë zonat e ndërfutura të pritshmërive të të gjithë asaj mase njerëzish që i trajtuan zgjedhjet e radhës si subjekt, duke u shprehur pro ose kundër. E kjo nuk duhet harruar. Përkundrazi, nga këtu duhet të fillojë arsyetimi. Në politikë ka shumë raste kur ka anti apo apolitikë e abstensionizim, për të mos folur pastaj për anarki dhe kundër-politikë. Kjo është masa, caku që duhet t’i druhemi. E gjithë ajo problematikë që mund të tensionohet vijimisht së brendshmi te njerëzit, në raport me mënyrën se si ata u trajtuan nga këto zgjedhje, duhet të na shqetësojë në muajt në vijim, po njëlloj si dhe pritshmëritë që duhet të kemi me evoluimin e kësaj situate.

-Advertisement-

Të të zgjedhin një drejtues bashkie pa garë, fiktiv dhe aq më keq me probleme të rënda me drejtësinë, jo vetëm të fyen e nuk të lë të qetë për një kohë të gjatë, por janë të gjitha gjasat, që gërryen besimin dhe pritshmëinë edhe të atyre që votuan në 30 Qershor. Askush nuk pranon që bashkatdhetari, miku, shoku apo vëllai i tij të trajtohet në këtë mënyrë. Çdokush pret që dalëngadalë e gjithë kjo sakrificë e madhe që njerëzit bënë për të ruajtur rendin dhe qetësinë, në kurriz të demokracisë, të lidhë një frut, të lulëzojë një pemë. Kjo është ajo “zona gri” e pritshmërive me të cilën duhet të raportohet dhe përballen edhe pritshmëritë e politikës. E gjithë kjo sakrificë që opozita kreu duke dorëzuar edhe pushtetin lokal, për kauzën më të madhe, atë të zgjedhjeve të lira, nuk mund të shkojë kot e të shpërdorohet në pritshmëri taktike. Po njëlloj, nga ana e qeverisë, i gjithë “ai mish i madh”, i pushtetit qendror dhe lokal që po mban në trup, duke e marrë atë nga trupi dhe gjymtyrët e demokracisë, për ta lënë këtë të fundit krejt thatime e gati lakuriq, është shumë e rrezikshme mos t’i kthehet në mish të huaj, në gangrenë që kalb gjithë trupin. Ja, dhe një “zonë tjetër gri” ku mund të bashkohet politika. Askush nuk ka interes që kjo gjendje të kthehet në status quo. Edhe mund të priten zgjedhjet e tjera, por vetëm për procedure, sepse përballë sakrificës së demokracisë ndaj së cilës u ushtruan shqiptarët, duhet patjetër një qasje sakrifice politike. Le ta sjellë vjeshta këtë reflektim për sakrificë, që të kthehet në një ogur të mbarë edhe për pritshmërinë e njerëzve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera