Sport

Vjen reagimi i FFK-së pas dhunës së shfaqur në stadiumet e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 20:24 | 18 April 2021

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pas dhunës së shfaqur në futbollin kosovar, konkretisht në Ligën e Parë dhe të Dytë, shkruan Gazeta inFokus.

FFK ka dënuar ngjarjet e këtij vikendit, derisa ka kërkuar organet dhe komisionet të ndërmarrin masat e duhura për këto skena të pahijshme.

Më poshtë keni reagimin e plotë të shtëpisë së futbollit në Kosovë.

-Advertisement-

Reagimi i plotë nga FFK:

Federata e Futbollit e Kosovës i ka parë me shqetësim incidentet e ndodhura gjatë kësaj fundjave në disa prej stadiumeve tona. Me këtë rast e dënojmë ashpër dhunën e shfaqur në ndeshjen e Ligës së Parë, Ferizaj – Ulpiana dhe në dy ndeshjet e Ligës së Dytë, Fushë Kosova – Vjosa dhe Minatori – Behari. Për FFK-në çdo veprim i dhunshëm është i papranueshëm, pa marrë parasysh situatën dhe rrethanat. Ftojmë të gjitha organet dhe komisionet tona që gjatë ditëve në vazhdim të shqyrtojnë e të analizojnë në detaje ngjarjet e ndodhura këtë fundjavë dhe të ndërmarrin masat e duhura ndaj të gjithë të përfshirëve në këto skena të pahijshme. Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe organeve të rendit dhe të drejtësisë që të veprojnë në parandalimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shfaqin dhunë në fushat e gjelbra.

FFK nuk do të lejojë që disa individë të papërgjegjshëm ta dëmtojnë mbarëvajtjen e garave dhe ta prishin imazhin e mirë të futbollit tonë, të cilin e kemi krijuar me shumë mund e djersë. Njëherësh, kërkojmë edhe nga zyrtarët tanë që punën e tyre ta kryejnë me profesionalizëm e përgjegjësi për çka edhe janë të thirrur, teksa nga klubet kërkojmë organizim të mirëfilltë dhe të mos lejojnë që në stadiume të ketë njerëz të tillë të pandërgjegjshëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera