Lajme

Vjen edhe një reagim i fortë i amerikanëve kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale

Autori: Gazeta inFokus 16:12 | 29 December 2017

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar ndaj liderëve kryesorë të shtetit Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit, duke i paralajmëruar që të mos i përsërisin përpjekjet për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale.

Ata, po ashtu, kanë dënuar edhe kërcënimet me dhunë të veteranëve dhe deputetit të AAK-së, Daut Haradinajt, i cili përmendi “aktivizimin e instrumentit UÇK”, duke thënë se gjuha e tillë është e papranueshme.

Ambasada i ka kërkuar Qeverisë “Haradinaj”, që t’i hedhë poshtë të gjitha këto kërcënime
Pas disa reagimeve të ambasadorit Delawie ka ardhur edhe një deklaratë nga Ambasada e SHBA-së, e cila me një gjuhë ultimative kërkon që të ndalen përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

-Advertisement-

Aty, po ashtu, thuhet se pohimet se nuk do të ketë pasoja për Kosovën janë të gabueshme.
Kjo Ambasadë i ka kërkuar Qeverisë “Haradinaj” që t’i dënojë kërcënimet e veteranëve dhe deklaratat e Daut Haradinajt.

Kjo është deklarata e plotë:

Gjatë kësaj jave udhëheqësit e Kosovës kanë bërë deklarata të përsëritura publike duke thënë se një iniciative lidhur me Gjykatën Speciale, e ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës, nuk do të dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

“Ata e kanë gabim. Çfarëdo përpjekje e tillë e përsëritur do të kishte pasoja të thella negative për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në kumtesën e ambasadës.

Gjithashtu, kërcënimet me dhunë, sipas diplomacisë amerikane, janë tërësisht të papranueshme, dhe qartësisht dhe pa mëdyshje ato duhet të hidhen poshtë nga Qeveria.

Nga ambasada shprehen të dëshpëruar që udhëheqësit e Kosovës do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre dhe përkrahjen e patundur të Shteteve të Bashkuara në favor të interesave të tyre personale.

Presidenti Thaçi përsërit për gjatë javës se shfuqizimi i Gjykatës Speciale nuk do t’i lëndojë raportet e mira të Kosovës me SHBA’në dhe Bashkimin Evropian. Por, të kundërtën e thotë ambasada amerikane në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera