Lajme

Vizita në Katedrale raportohet punë nga zëvendësministrja, Magbule Shkodra

Autori: Gazeta inFokus 14:14 | 27 July 2018

Vizitën në Katedralen “Nënë Tereza” për Pashkë, në të cilën thotë se u ka uruar qytetarëve festën, zëvendësministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra e ka raportuar si njërën ndër punët e saj tek Kryeministri.

“Me rastin e festimit të përjetshëm të Pashkëve, festës së Ringjalljes, Zv. Ministrja, Shkodra vizitoi Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, ku zhvilloi takim me Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji. Duke i’u uruar festën e madhe të Pashkëve, znj. Shkodra uroi që të gjithë njerëzit në Kosovë ta kërkojnë me sinqeritet të vërtetën dhe të gjejnë durimin për zgjidhjen e mospajtimeve”, thuhet në raportin e Shkodrës, të shkruar në vetën e tretë.

Zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal në raportin 100 ditorë të saj, të cilin ia ka dorëzuar shefit të qeverisë, veç tjerash thotë se ka vizituar edhe 11 komuna.

-Advertisement-

Referuar raportit, këto vizita janë bërë në kuadër të lansimit të projekteve për investime kapitale, grante/subvencione që siç shkruan, drejtpërdrejt ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie të qytetarit të Kosovës.

Shkodra ka vizituar: Suharekën, Rahovecin, Deçanin, Junikun, Obiliqin, Gjakovën, Vitinë, Kamenicën, Ranillugun Klinën dhe Gjilanin.

Në Gjilan, thotë se ka marrë pjesë në pesë vjetorin e themelimit të Universitetit “Kadri Zeka”.

“Pas përfundimit të ceremonisë, zëvendësministrja vazhdoi takimet e saj edhe me stafin akademik të universitetit, për t’u njoftuar më gjerësisht për punën dhe aktivitetet e tyre, të cilët ishin të fokusuar në avancimin e sistemit arsimor me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit”, thotë raporti.

Veç këtyre komunave, ajo ka vizituar edhe Tiranën e Londrën.

Në fund të raportit thuhet se ajo do të vazhdojë ‘me zhvillim edhe më të hovshëm të punës dhe aktiviteteve të saj’.

Shkodra është emëruar zëvendës ministër e MZHR-së më 11 shtator 2017.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: Magbule Shkodra – Raporti

Gazeta inFokus ditë më parë kishte raportuar për një rast të ngjashëm.

Njeri nga katër zëvendësministrat në Ministrinë e Punëve të Jashtme i kishte raportuar kryeministrit, Ramush Haradinaj për vendosjen e kurorës te Përmendorja e Lirisë.

Lexo: Zëvendësministri i raporton Kryeministrit edhe për vendosje të luleve tek përmendoret

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera