Vizita e udhëheqësve të BE-së në Kiev, shpresë për rrugën evropiane të Ukrainës

Autori: Gazeta inFokus
06:51 | 17 June 2022
Presidenti francez Emmanuel Macron tha gjatë vizitës së tij të përbashkët me Kancelarin gjerman Olaf Scholz, Kryeministrin italian Mario Draghi dhe Presidentin rumun Klaus Iohannis në Kiev, se Ukraina mund të mbështetet tek aleatët e saj.
Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, të cilët janë kritikuar nga Kievi se nuk kanë bërë sa duhet për ta ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë, dhanë shpresa për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Ukrainës, vendit që po kërkon më shumë armë për të penguar përparimin e forcave ruse.
“Ne të gjithë jemi në favor që Ukrainës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha zoti Macron.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha sot se sulmi i Rusisë është agresion kundër gjithë Evropës dhe se sa më shumë armë që merr Ukraina nga Perëndimi, aq më shpejt do të jetë në gjendje të çlirojë tokën e pushtuar nga Rusia.
Zoti Zelenskyy tha se me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë diskutoi rreth mundësive për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë dhe rindërtimit të vendit pasi lufta të përfundojë.
Ukraina, tha zoti Zelensky, është mirënjohëse për dërgesat e armëve dhe pret që të furnizohet me artileri moderne, raketa dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Çdo ditë vonese apo shtyrje e vendimeve është një mundësi më shumë për ushtrinë ruse që të vrasë ukrainasit ose të shkatërrojë qytetet tona”, tha ai.
“Sa më shumë dërgesa të armëve të fuqishme, aq më shpejt mund të çlirojmë njerëzit dhe tokën tonë”, tha zoti Zelensky ndërsa shtoi se, “agresioni rus kundër Ukrainës është agresion kundër gjithë Evropës, kundër secilit prej nesh, kundër vlerave tona”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se mesazhi i qartë i udhëheqësve të Bashkimit Evropian është se “Ukraina i përket familjes evropiane”.
“Gjermania është në mbështetje të një vendimi pozitiv për Ukrainën”, tha ai.
Dega ekzekutive e BE-së pritet të rekomandojë të premten që Ukrainës t’i jepet statusi i vendit kandidat. Ky veprim do të ishte një gjest politik i rëndësishëm për Ukrainën, ndërsa po lufton kundër Rusisë, por udhëheqësit e BE-së nuk janë të gjithë të një mendimi.
Më parë, Kievi ka akuzuar Francën, Gjermaninë dhe në masë më të vogël Italinë, për zvarritje të mbështetjes së tyre për Ukrainën, duke thënë se këto vende u treguan të ngadalta në dërgimin e armëve dhe se vendosën interesat e tyre para lirisë dhe sigurisë në Ukrainë.
Para takimit me Presidentin Zelenskyy, udhëheqësit evropianë qëndruan në qytetin e Irpinit të shkatërruar nga luftimet.
Qyteti pranë Kievit, që para luftës kishte një popullsi prej rreth 62 mijë banorësh, u përball me sulme të ashpra, deri në momentin e tërheqjes së trupave ruse nga rajonet veriore të Ukrainës dhe intensifikimit të ofensivës së Moskës në lindje të vendit.
Presidenti Macron tha se në Irpin janë kryer krime lufte, ndërsa vlerësoi rezistencën e ukrainasve për të mos lejuar pushtimin e Kievit.
“Është një qytet heroik, sepse këtu së bashku me të tjerët, ukrainasit ndaluan ushtrinë ruse, që ishte nisur drejt Kievit. Heroizmi i ushtrisë dhe popullit ukrainas duhet përshëndetur”, tha zoti Macron.
Ngjashëm me qytetin Buça, Irpini është kthyer në një simbol të shkatërriemeve të tmerrshme dhe të pakumptimta, tha Kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Civilë të pafajshëm janë vrarë në mënyrë të qëllimshme. Shtëpitë janë shkatërruar. Është shkatërruar një qytet i tërë, ku nuk ka pasur fare infrastrukturë ushtarake. Ky është një tregues i mjaftueshëm për agresionin e luftës ruse, që synon të shkatërrojë dhe pushtojë. Është një luftë e tmerrshme. Rusia synon të realizojë synimet përmes brutalitetit, pa marrë në konsideratë jetët e njerëzve, Kjo duhet të përfundojë”, tha Kancelari Scholz.
Kievi thotë se Rusia ka kryer krime të rënda dhe në shkallë të gjerë në Irpin, akuza që Moska i mohon./ VOA
Të tjera
-
Aksident i rëndë në rrugën Deçan – Gjakovë, dyshohet për viktima!
Një aksident i rënd ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes në rrugën Deçan – G...
-
“Po ma then dorën” | Dhunë në Forumin Rinor të LDK-së në Podujevë
Mbledhja e Forumit Rinor të LDK-së, Dega Podujevë, ka eskaluar në dhunë dhe k...
-
Takimi i Kurtit me kryetarë e nënkryetarë të komunave në Prevallë, kush nga ta mungoi e kush jo
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se sot ka mbajtur takim me kr...
-
Flasin nga Prokuroria për 50 mije euro që Shkreta tha se iu vodhën
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetime për rastin e vjedhjes së 50...
-
Të gjitha reagimet dhe batutat për 50 mijë eurot dhe baxhanakun e deputetit të VV-së
Mbi 50 mijë euro para të padeklaruara dhe ari në vlerë 10 mijë euro, i janë v...
-
Abdixhiku nga Gjeneva: Rikthimi i madh i Lidhjes në Mërgatë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mbajtur sot një takim me mërgatën në Gj...
-
Pamje: Aksident i rëndë në Pejë, rrotullohet tërësisht vetura
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e vona të së shtunës në Trebo...
-
Ukraina raporton për sulm “masiv” nga Bjellorusia
Ukraina ka thënë se është përballur me “bombardime masive” të shtunën nga Bje...
-
Goditja e parë afrikane në Kosovë, nga java e ardhshme temperatura deri në 36 gradë Celsius
Në Shqipëri vala e nxehtësisë ka filluar disa ditë më parë dhe temperaturat 3...
-
Kurti e Konjufca vizitojnë Qosjen në ditëlindjen e tij të 86
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se sot bashkë me kryetar...
-
Ukraina: Kemi vrarë mbi 34 mijë rusë
Ministria ukrainase e Jashtme ka bërë bilancin e luftimeve me ushtrinë ruse, ...
-
Koci: Dikush po më thotë katolik e dikush i pafe, kam pasur nënën myslimane gjyshin hoxhë
Avokati Arianit Koci, i cili minuta më parë deklaroi se po kërcënohet nga “ta...