Opinione

Vizita aktuale në SHBA – Pikë kthese?

Autori: Gazeta inFokus 14:55 | 27 July 2022

E kam thënë edhe më herët se menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi dhe Francë, ndaj Kosovës do të rritet presioni për përkushtim serioz ndaj dialogut me Serbi dhe se diplomacia amerikane do t’i intensifikojë përpjekjet për të ecur në këtë drejtim.

Shkruan: Agron HOTI

Paraprijëse për këtë proces ishte vetë letra paralajmëruese e Sekretarit Blinken e dërguar në janar të këtij viti dhe vizitat e mëpastajme të Administratës Amerikane në Kosovë. Më pas patën pasuar vizitat e gjata të Kryeministrit me ‘biznese’ në SHBA dhe Greqi, të cilat – edhe pse nuk u tha – ishin në këtë funksion të kësaj axhende që rezultoi me vizitën aktuale në SHBA.

-Advertisement-

SHBA e ka interes jetik sigurinë rajonale në Ballkan Perëndimor, sepse pa të s’do të ketë as integrim rajonal e as evropian. Mbi premisa të njëjta SHBA e kishte dizajnuar edhe formimin e Bashkimit Evropian që përbën formën më të suksesshme të integrimit rajonal në glob. Ruajtja e kësaj gjendjeje të cenueshme në Ballkan Perëndimor po e shtyen rajonin çdo ditë e më shumë kah ekspansioni politik destruktiv i Rusisë, ekspansioni ekonomik i Kinës si dhe ekspansioni i kombinuar ekonomik e kulturor i Turqisë dhe Vendeve Arabe. Shembuj të tillë ka plot dhe gjithnjë e në rritje.

Prandaj, kthimi i Ballkanit Perëndimor kah BE dhe NATO, përfshirë edhe Serbinë, përpos si interes kryesor i SHBA-së dhe BE-së ai është edhe urgjencë tanimë kur Rusia po e kërcënon hapur Evropën. Marrëveshja e Uashingtonit e shtatorit 2020 mes Kosovës dhe Serbisë me Ballkanin e Hapur të nënshkruar si Minischengen në Shtëpi të Bardhë ishte në funksion të plotë të kësaj axhende amerikane për hapje ndaj njëra tjetrës të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor siç ishin hapur 6 vendet themeluese të Bashkimit Evropian në vitin 1951.

Lufta në Ukrainë e shtyri BE-në t’i tejkalojë ndarjet e thella mes shteteve anëtare të saj për t’ua hapur negociatat për anëtarësim Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një lëvizje e madhe kjo po ashtu në funksion të kthimit të rajonit kah BE, NATO e SHBA. Kombinimi i marrëveshjeve ekonomike të Qeverisë Trump me ato politike që pritet të vijnë nga Qeveria Biden, tregon më së miri gjithëpërfshirjen dhe vendosmërinë amerikane për zgjidhjen e problemeve në Ballkan Perëndimor.

Është mirë që politika aktuale e Kosovës tanimë e ka kuptuar që Shtëpia e Bardhë nuk është për t’u tallur, por për të marrë vendime jopopulliste. Ata që më së shumti i kundërshtuan Gjykatën Speciale dhe Demarkacionin, po ata i miratuan. Edhe këta që e kanë kundërshtuar më së shumti Zajednicën për të ardhur në pushtet, do ta miratojnë të njëjtën duke gjetur fjalë të bukura për veshin e qytetarit ashtu siç bënë ata para tyre.

Nuk duhet harruar se nga viti 2017 deri në 2021 na patën rënë 4 qeveri nga pamundësia për ta zgjidhur problemin me Serbi. Ç’është më e keqja kemi humbur 8 vite të plota (2014-2022) duke ndërtuar kauza të rreme, e duke i miratuar pastaj me vonesë të njëjtat një nga një duke humbur kështu kohën aq të çmueshme në kohën kur bota po ecën me ritme të papara. E kur të miratohet edhe Zajdnica, sikurse Specialja dhe Demarkacioni, çfarë do t’u themi fëmijëve tanë për këto 8 vite të humbura?! Që zgjodhëm luftën për pushtet kundrejt zhvillimit dhe prosperitetit?

E kam një përshtypje (qofsha i gabuar) se Perëndimi vetëm e vetëm për ta mbajtur Serbinë të kthyer kah BE, NATO e SHBA, do t’i kërkojë Kosovës ashtu siç në fakt edhe është duke i kërkuar kompromisin me Zajdnicën. Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për energji të nënshkruar nga pushtetet e kaluara tregon që pushteti aktual veç ka filluar të tregojë gjenerozitet në këtë drejtim.

Strategjikisht do të duhej miratuar së pari marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke brenda e pastaj marrëveshjet tjera. Sepse nëse vazhdojmë sikur me energjinë, atëherë Serbia do të ketë pozicion shumë më të fortë se Kosova në marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Kjo sepse gjendjen në terren do ta ketë të mbuluar mirë në njërën anë përmes kompaktësisë etnike në veri dhe në anën tjetër me përparësitë në terren që ja japin marrëveshjet e zbatuara.

Në anën tjetër, Kosova e ka për obligim kushtetues e ndërkombëtar respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, çdo devijim nga ky kurs, do të sjellë pasoja të pariparueshme për vendin. Si duket tanimë të gjithë e kanë kuptuar se për konsum të brendshëm mund të përdorësh çfarëdo gjuhe apo taktike qofshin ato edhe populliste, por në politikën ndërkombëtare duhet të tregohesh gjeneroz, konstruktiv, i gatshëm për kompromise dhe para se gjithash mbajtës fjale. Fundja, kur një BE e tërë po i përkulet SHBA-së, kush do të ishim ne ta kundërshtonim Superfuqinë, e cila garanton sigurinë e tërë Evropës, përfshirë Kosovën.

Një gjë duhet ta kemi të qartë, po të kishte dashur SHBA ta zhbënte Kosovën, nuk do ta bënte fare. Dhe nëse SHBA paska dashur ta bënte Kosovën shtet, çfarë interesi paska tash ta zhbëjë atë. A kaq e paditur na qenka SHBA që për hir të së vërtetës bëri edhe Shqipërinë shtet para Kosovës? Shqiptarët duhet ta dinë se po të mos ishte bërë SHBA Superfuqi sot do të ishin të zhdukur si popull.

Meqë interesi madhor i SHBA-së dhe BE-së është që Rusia të mos ketë asnjë mundësi daljeje në Adriatik (shih Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë në NATO), atëherë shqiptarët duke qenë në anën e adriatikut lindor do të kenë mbështetjen e duhur të SHBA-së dhe Perëndimit për t’u bërë faktorë paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe Evropë. Prandaj, asnjë qeveri e Kosovës nuk duhet të mendojë që SHBA përmes një marrëveshjeje me Serbinë synuaka zhbërjen e Kosovës. Prandaj, duhet të vazhdojmë kursin pro-SHBA.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera