Lajme

Vitia i shqetësuar për ikjen e mjekëve: Kosovë ka numër të vogël të mjekëve për kokë banori

Autori: Gazeta inFokus 11:26 | 08 February 2023

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka quajtur lajm të mirë, vendimin e Qeverisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim deri në fund të këtij viti.

Sipas Vitisë, 580 specializantë me vetëfinancim do të paguhen, në mënyrë që të përmirësohet situata në shëndetësi.

Vitia tha se “numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i ulët krahasuar me vendet e rajonit”, duke përmendur ikjen e mjekëve.

-Advertisement-

Ai tha se në Kosovë ka numër të vogël të mjekëve për kokë banori.

“Ngrihen shqetësime sa i përket qasjes në shërbimet shëndetësore të popullatës. Prandaj Ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin”, tha ministri.

“Numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i ulët në krahasim me disa vende të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik dhe vendeve të rajonit. Sipas analizave që konstatojnë numrin e vogël për kokë banori, ngrihen shqetësime për sa i përket qasjes në shërbime shëndetësore të popullatës. Pos kësaj edhe vendet tjera ka një kohë që përballen me këtë problematikë ndaj së cilës kanë ndërmarrë hapa për të rritur numrin e mjekëve përmes stimulimit dhe krijimit të një ambienti tërheqës për ta. Nën ndikimin e këtyre masave, Kosova po ndikohet drejtpërdrejt me ikjen e kuadrove shëndetësore”, ka thënë ai.

Qeveria miratoi edhe pagesën e 10 specializantëve me vetëfinancim nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera