Lajme

Vitia i beson masivisht projektit të Hotit për zhvillim dhe punësim

Autori: Gazeta inFokus 17:31 | 07 June 2017

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë në Viti se e gjithë kjo masë e pranishme dhe gjithë kjo përkrahje tregon për modelin e qeverisjes së LDK-së, e cila në esencë e ka qytetarin.

“Ju garantoj se ky model, i cili në plan të parë e ka qytetarin do të shpërndahet në tërë Anamoravën dhe në tërë Kosovën. Ne ju besojmë qytetarëve dhe i ftojmë ata të na i besojnë qeverisjen e vendit për tetë vjetët e ardhshme. Partnerët e koalicionit dhe të gjithë të ardhurit po e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre dhe të gjithë së bashku do ta krijojmë një ekip të shkëlqyeshëm qeverisës”, ka thënë Hoti.

“Qytetarët janë lodhur nga politikanët e papërgjegjshëm, të cilin mendojnë vetëm për interesat e tyre personale. Ata po na kritikojnë pse po themi se do ta bëjmë buxhetin tre miliardë euro. Ata nuk na kanë besuar as kur kemi thënë për dy miliardë, por ne e kemi bërë. Prandaj themi se është e mundshme rritja ekonomike prej 8 për qind, rritja e zhvillimit ekonomik, punësimi i të rinjve, të gjitha janë të mundshme dhe të gjitha do t’i realizojmë”, ka thënë Hoti.

-Advertisement-

Ai ka shtuar se ne do të marrim vendime të mëdha dhe të tilla janë këto zotime që po ua japim dhe të cilat do ta përmirësojnë jetën e qytetarit. “Për 17 vjet nuk e rregulluan çështjen e veteranëve të luftës, ishim ne ata që filluam t’i paguajmë për kontributin e tyre, do t’i mbështesim  gratë lehona me nga një vit pushim me pagesë, do t’i mbështesim edhe ato që nuk janë të punësuara”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se ekipi im po formësohet çdo ditë, pasi që kemi shumë punë për të bërë, ashtu siç bëmë për dy vjet e gjysmë me kryeministrin Mustafa.

“Interesi shtetëror i Kosovës mbetet i pacenuar dhe ne duhet të punojmë që më 11 qershor të fitojmë bindshëm, ashtu si në kohën e Rugovës”, ka thënë Hoti.

Sokol Haliti, kryetar i Vitisë ka thënë të mërkurën se tubimi i sotëm madhështor i përngjan atij të vitit 2004, kur qytetarët e Vitisë i dhanë mbështetje të fuqishme Presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Sot e kemi të njëjtën pamje. Z. Hoti, qytetarët e Vitisë i besojnë vizionit tënd perëndimor, zhvillimit, integrimit dhe miqësisë së përhershme me SHBA-të. Vitia është e vendosur të votojë këtë koalicion, i cili është koalicion i besës e shpresës dhe i vetmi që duhet Kosovës”, ka thënë Haliti.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se sot kanë ardhur 500 të rinj në LDK.

“Disa po thonë pse po thirremi në vlerat e Ibrahim Rugovës. Kjo është njëjtë sikur t’u thuash myslimanëve pse thirreni në vlerat e Muhamedit apo t’u thuash krishterëve pse thirreni në vlerat e Jezu Krishtit. Ibrahim Rugova është ati i këtij shteti, themelues i tij, prandaj është fundamenti ynë”, ka thënë Mustafa.

“Ne e kemi zgjedhur njeriun që do ta udhëheqë shtetin tonë, një shtet dinjitoz, një shtet me të cilin do të krenohemi, të cilin kur ta përmendi do të na rrëqethet trupi nga dashuria ndaj tij dhe jo që të tjerët të mendojnë se ne mendojmë vetëm si të largohemi”, ka shtuar ai.

Mustafa ka thënë se fitorja e këtij koalicioni është fitorja e Kosovës dhe përkrahjen e qytetarëve nuk e matim me sondazhe, e matim me punë dhe me djersë.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se më 11 qershor do të dalim të gjithë të votojmë, sepse është një votë që i ka dy efekte. “Efekti parë është se do të votojmë për një qeveri të ndershme, të punës, të diturisë e perspektivës. Efekti i dytë është se do t’i çojmë në shtëpi njerëzit që për kaq vjet e kanë zhvatë Kosovën. Kryeministri tha se ata duhet të shkojnë në opozitë, por unë them se ata është mirë të largohen krejtësisht nga skena politike e Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila ka thënë se ashtu siç thoshte Presidenti Rugova se përpara ecet me paqe, ashtu do të ecë përpara edhe ky koalicion.

“Kosova e ka vendin në shtëpinë evropiane. Ju nuk dëshironi dhe nuk duhet të mendoni se nuk ka shpresë, nuk bën, nuk mundet. Ju dhe ne së bashku mund ta bëjmë ndryshimin. Edhe kur garova për Gjakovën thoshin se nuk mund të fitosh ndaj atyre me muskuj, ndaj komandantëve, por unë fitova”, ka thënë Kusari Lila.

Ajo ka shtuar se duhet të mendohet për të ardhmen e Kosovës, për fëmijët tanë, por duhet të mendohet edhe për ata që do të shkojnë në opozitë, sepse ne duhet t’i ndalim dy mashtrime.

“Mashtrimi i parë është që qytetarët mos t’ia japin votën koalicionit që u bë bashkë vetëm për të ndarë poste me të cilin duan të mashtrojnë popullin e Kosovës dhe mashtrimi i dytë është që t’i ndalim ata që synojnë të mashtrojnë njëri-tjetrin pas zgjedhjeve. Kur bëhen bashkë për qëllime të këqija, keq do të përfundojnë”, ka thënë Kusari Lila.

Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Qerkezi ka thënë se jemi në Viti, vëllezër e motra, krishterë e myslimanë. “Të këqijat nuk vijnë nga besimi, pa marrë parasysh cili është ai. Të këqijat vijnë nga mosbesimi. Prandaj edhe ne si koalicion po kërkojmë besim nga ata që besojnë. Në emër të këtyre vlerave dhe në emër të Zotit, jemi të bindur se më 11 qershor do të arrijmë fitoren e madhe”, ka thënë Qerkezi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera