Lajme

VisaMetric ua merrte qytetarëve 30 euro me “deklaratë detyruese”

Autori: Gazeta inFokus 14:24 | 11 May 2023

Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “VisaMetric” marrjen e pagesës prej 30 euro, si tarifë për kthim të pasaportave, kur qytetarët aplikojnë për vizë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë. Kjo kompani i obligonte qytetarët për këtë pagesë, përmes një “deklarate detyruese” që ata duhej ta nënshkruanin me rastin e aplikimit. Edhe pse kjo deklaratë ishte hequr me vendim të Inspektoratit të Tregut, kompania kishte vazhduar t’i kushtëzojë qytetarët që të jepnin 30 eurot e postës si avans, për ta caktuar terminin.

Në shtator të vitit të kaluar, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kishte njoftuar për një ndryshim lidhur me procedurën e aplikimit për vizë.

Për të ofruar më shumë termine për aplikuesit, ishte angazhuar kompania “VisaMetric”, që do të ndihmonte qytetarët në procesin e aplikimit dhe do t’ia përcjellte dokumentacionin pastaj Ambasadës, shkruan Express.

-Advertisement-

“Ofruesi i shërbimit VisaMetric ju ndihmon të bëni aplikimin tuaj për vizë Schengen. Ai dërgon dokumentet tuaja në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, ku aplikimi do të vazhdojë të ekzaminohet dhe vendoset. Pastaj merr pasaportën nga ofruesi i shërbimit. Ofruesi i shërbimit do të lejojë një takim dukshëm më të shpejtë, i cili do të shkurtojë ndjeshëm kohën e pritjes për aplikim”, thuhej në njoftimin e ambasadës.

Por, një muaj më pas, kishin filluar ankesat e qytetarëve për këtë kompani. Zëvendëskryeministri i Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mentor Arifaj, ka deklaruar se ankesat e qytetarëve ishin për deklaratat detyruese që kjo kompani i obligonte t’i nënshkruanin për t’u ofruar shërbime.

Me nënshkrimin e këtyre deklaratave, qytetarët pajtoheshin të hiqnin dorë nga mundësia për ta pranuar pasaportën në mënyrë fizike, por vetëm përmes shërbimit postar. Për këtë shërbim ata duhej të paguanin 30 euro.

Përveç heqjes dorë nga mundësia për ta pranuar pasaportën në mënyrë fizike, me këtë deklaratë ata pajtoheshin të hiqnin dorë edhe nga ndjekja e “VisaMetric” për problemet që mund t’u dilnin.

“Visametric atë operimin e ka filluar nga shtatori i vitit të kaluar. Disa ankesa në fund të tetorit ose të nëntorit i kemi pranuar në kuadër të Inspektoratit të Tregut. Me thënë saktësisht, kemi pranuar katër ankesa. Qytetarët tanë janë ankuar për shkak të disa deklaratave detyruese që kanë qenë dashtë t’i nënshkruajnë për të pasur shërbime nga Visa Metric, pra me apliku për vizë Schengen në Ambasadën Gjermane. Inspektorati që operon në kuadër të MINT, së bashku me Autoritetin e Konkurrencës dhe ARKEP, janë takuar dhe kanë parë që mund të ketë lëshime dhe për arsye në atë deklaratë qytetarët tanë që kanë aplikuar për viza Schengen, është dashur të heqin dorë nga mundësia që të pranojnë pasaportën në mënyrë fizike, por vetëm përmes shërbimit postar. E dyta ka qenë që të heqin dorë nga ndjekja, si me thanë për ta bërë VisaMetric si operator ndërmjetësues përgjegjës në rast se psh. Një qytetar ka aplikuar për vizë dhe e pret ashtu puna në Gjermani dhe nuk ka mujt me mbërri, atëherë duhet të heq dorë nga ajo”, ka deklaruar Arifaj.

Kjo deklaratë ishte hequr më pas, por ankesat e qytetarëve për këtë kompani kishin vazhduar, lidhur me shërbimet e tjera.

“Aktiviteti ose procesi, nga janari i këtij viti, Inspektorati i Tregut përmes Deparamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ka pranuar edhe diku 10 ankesa të tjera, të cilat kanë të bëjnë më shumë me pagesa dhe në mesin e institucioneve që janë takuar me VisaMetric është edhe Inspektorati i Tregut dhe ka ardhur deri të një konkludim te disa raste që duhet t’ju kthehen, pra qytetarët që ankohen duhet të rimbursohen. P.sh. nëse kanë aplikuar katër anëtarë të familjes, atëherë nuk ka nevojë të bëhen katër pagesa, po duhet të bëhet vetëm një pagesë, kurse tri pagesa duhet të rimburësohen. Ose nëse gjatë procesit të aplikimit ka pasur një gabim në sistem, dhe për shkak të atij gabimi, ju ka marrë pagesa, atëherë qytetari duhet të ankohet te VisaMetric dhe do të rimburësohet. Ose nëse ka dështu termini për vizë për arsye tjera, jo për arsye subjektive të qytetarëve që kanë aplikuar, edhe në ato raste VisaMetric do t’i kompensojë”, ka deklaruar ai mbrëmë në emisionin Konfront të KTV’së.

Pas vizitës nga Inspektorët, kompania e kishte hequr këtë deklaratë. Por, Avokati Flamur Abdullahu ka zbuluar se kompania ka vazhduar që t’ua marrë qytetarëve pagesën prej 30 euro, përmes një ndryshimi që kishte bërë në sistem.

Sipas tij, kompania e kishte kushtëzuar bërjen e terminit me pagesën e postës avans.

“Në momentin kur unë kam bë ankesë, pasi që e kanë pas vizitën VisaMetricu nga inspektorët e mbrojtjes së konsumatorit, ata e kanë bë një ndryshim në sistem. Psh kur ka qenë ajo deklarata e detyrueshme, kur ke hy me ba termin ke paguar 30 euro avans për tarifën e koordinimit. Pasi është heq deklarata, të cilën ata e kanë pa që është anti-ligjore, kur ke hy me ba termin online, nuk ka qenë më 30 euro tarifa e koordinimit, por ka qenë plus posta, dhe është bërë 60 euro. Ata e kanë gjet metodën për me i marr avans të gjitha pagesat e postës. Madje, kur ke apliku për katër persona, në të njejtën kohë ka shkuar automatikusht plus 120 euro. Kjo ka qenë metoda, qysh kompania në këtë rast e ka bishtnu urdhërin e inspektorëve për mos me nënshkru dokumentin e udhëzimit, por e ka kushtëzu bërjen e terminit me pagesën e postës avans.”, ka sqaruar avokati.

Ai ka treguar se me kompani si VisaMetric funksionojnë edhe ambasadat e tjera, por që kthimi i pasaportës më postë është vetëm si opsion, e jo diçka obligative.

Madje, ka thënë se kushton edhe shumë më lirë.

Është edhe rasti i një kompanie tjetër, që e ka Ambasada Zvicerane, duke i përfshi edhe shtetet e Benelukx’it, Francën dhe Austrinë, menaxhojnë një process i cili kushton më lirë. Po në atë rast, ata e kanë të zgjedhshëm mundësinë për me marr pasaportën me postë. Ata nuk ta detyrojnë me pagu postën. Nëse do me pagu postën, kushton 10 euro. Realisht si shërbim, vlera reale e shërbimit kish me qenë 2-3 euro. Po, ok qenkan pasaporta, paska informata personale dhe një siguri më e lartë zbatohet, po shkojka 5-10 euro, siç e ka ambasada tjetër”, ka thënë ai.

Për tarifën në vlerë prej 30 euro, Abdullahu i është drejtuar Gjykatës Komerciale. Kjo Gjykatë ia ka ndaluar kompanisë “VisaMetric” marrjen e pagesës prej 30 euro, si tarifë për kthim të pasaportave, kur qytetarët aplikojnë për vizë.

““Për këtë 9 Maj – Dita Evropës po ju njoftoj që Gjykata Komerciale, në të dyja shkallët, ka dhënë vendim që i ndalon kompanisë Visametric L.L.C. që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për kthim të pasaportës kur aplikojnë për viza në Ambasadën Gjermane. Detyrimi i aplikantëve për të paguar postën është vetëm një zhvatje më shumë që i bëhet qytetarëve të Kosovës në aplikime për viza që nga pas lufta. Vlera prej 30 euro për person përbën disa miliona përfitim për kompaninë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Gjithashtu, unë kam ushtruar Padi Kolektive në emër të interesit publik ndaj Visametric L.L.C. për këtë çështje”, ka njoftuar ai më 9.

Ai ka bërë me dije se ka dorëzuar edhe një padi kolektive, përmes së cilës ka kërkuar që t’u kthehen paratë të gjithë atyre që kanë paguar.

“Është edhe një padi kolektive që unë e kam dorëzuar, me të cilën kam kërku që mua dhe gjithë të tjerëve që na janë marrë ato para, të na kthehen nga VisaMetric’u”.

Ai është shprehur optimist se Gjykata do të vendos në favor të tyre.

…Gjykata ka vendosur relativisht shpejt për masën e sigurisë. Tani e pres ftesën për seancën e çështjes meritore, susbtancës së rastit e cila është kërkesa për kthimin e pagesave që janë marrë nga VisaMetricu, nëpërmjet detyrimit për me pagu postën. Unë besoj në rastim tim. Mendoj se është i fitueshëm. Mendoj se Gjykata do të vendos pro meje dhe qytetarëve”, ka deklaruar avokati.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera