Lajme

Vila apo banesa, me kursime apo kredi – Ku jetojnë krerët e politikës kosovare

Autori: Gazeta inFokus 13:26 | 01 April 2021

Zhvendosja e kryeministrit Albin Kurti nga një banesë që kishte 61 metra katrorë në një shtëpi me rreth 500 metra katrorë, u kthye në temën më të diskutuar ditëve të fundit. Në rrjete sociale pati reagime nga më të ndryshimet. Përderisa përkrahësit e tij i dolën në mbrojtje, ish-bashkëpartiakët e kritikuan. Por, ku jetojnë liderët e tjerë të vendit? Express u sjell detaje për shtëpitë dhe banesat që kanë politikanët kryesor në vend, e të cilat i kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Kryeministri Albin Kurti, ka ndërruar vendbanim, pak para se të merrte drejtimin e Qeverisë së Kosovës. Nga një banesë në afërsi të Parkut të Qytetit, Kurti është zhvendosur në një shtëpi që ka sipërfaqe 500 metra katrorë, në një nga lagjet më të shtrenjta të Prishtinës.

Shtëpinë në lagjen “Taslixhe”, thuhet se Kurti e ka marrë me qira. Vetë Kurti, s’është deklaruar ende për këtë çështje.

-Advertisement-

Por, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë dje se Kurti e ka ndërruar vendbanimin, meqenëse një gjë e tillë mund të i jetë kërkuar nga organet e sigurisë.

“Për shkak të protokollit, unë nuk mund të flas shumë për këtë çështje. Unë besoj që ekziston edhe ky dimension dhe madje besoj se është përcaktues për një vendim të tillë, pra nga ana e sigurisë së tij si Kryeministër i Kosovës. Kryeministri ka një protokoll të sigurisë pavarësisht nivelit të sigurisë së tij, janë çështje të caktuara me Ligj”, ka deklaruar Kryeziu.

Zhvendosja e tij në këtë shtëpi ngjalli reagime të shumta. Madje, disa ish-bashkëpartiakë ia kujtonin deklaratën që përdorte për të kritikuar kundërshtarët politikë për pasurinë e tyre, duke thënë se “Në politikë duhet të varfërohemi, e jo të pasurohemi”.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Kurti kishte deklaruar si pasuri të paluajtshme vetëm apartmentin e bashkëshortes. Sipas formularit, kjo banesë ka 67 metra katrorë dhe kushton 400 mijë euro

Por, ku banojnë liderët e tjerë të vendit dhe çfarë shtëpish e banesash kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit?

Vjosa Osmani

Ish-kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka deklaruar në pronësi të saj një banesë që ka 83 metra katrorë, që kushton 40 mijë euro. Këtë banesë, ajo thotë ta ketë blerë me kursime dhe kredi.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj ka banesë 67 metra katrorë në vlerë 67 mijë euro, shtëpi 130 metra katrorë në vlerë 120 mijë euro dhe një shtëpi tjetër që ka 150 metra katrorë e që ka deklaruar se kushton 180 mijë euro.

Të gjitha këto pasuri të paluajtshme, ai ka thënë se i ka blerë me kursime dhe kredi.

Por, Osmanit së fundi i është përmendur edhe blerja një shtëpie në lagjen “Marigona Hill”, që llogaritet si më e shtrenjta në kryeqytet.

Në deklarimin e pasurisë për vitin e kaluar, Osmani ka deklaruar mbi 115 mijë euro borxh ndaj kësaj kompanie.

Avdullah Hoti

Edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka në pronësi banesa. Në formularin për deklarimin e pasurisë, Hoti ka deklaruar dy banesa.

Një prej banesave ka 57 metra katrorë dhe kushton 60 mijë euro, derisa tjetra ka gati 70 metra katrorë dhe kushon 105 mijë euro.

Ai ka deklaruar se që të dy banesat janë në pronësi të përbashkët dhe se janë blerë me mjete vetanake, paradhënie nga punëdhënësi dhe kredi.

Enver Hoxhaj

“Merakli” i banesave duket se është edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sikurse Hoti, edhe Hoxhaj ka në pronësi dy banesa. Njëra është 65 metra katrorë dhe kushton 95 mijë euro, derisa tjetra ka sipërfaqe 120 metra katrorë, vlera e së cilës sillet 135 mijë euro.

Të dy këto ai ka thënë se i ka blerë nga paga dhe mëditjet.

Ramush Haradinaj

Për dallim prej Hotit dhe Hoxhajt, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka në pronësi edhe shtëpi.

Haradinaj ka deklaruar në pronësi të tij dy shtëpi dhe një banesë. Njëra prej shtëpive, të cilën e ka lëshuar me qira”, ka 950 metra katrorë dhe kushton 300 mijë euro dhe thotë se e ka ndërtuar me mjete vetanake dhe ndihmë nga bashkëluftëtarët, gjatë viteve 2001-2002.

Tjetra ka 500 metra katrorë dhe kushton 202 mijë euro. Kjo shtëpi është blerë në vitin 2016, me kredi.

Ndërkohë, apartamenti i tij ka 213 metra katrorë dhe kushton 70 mijë euro. Përveç këtyre shtëpive, Haradinaj ka deklaruar edhe Kullën, që thotë se ka 800 metra katrorë dhe kushton 270 mijë euro.

Lumir Abdixhiku

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, s’ka në pronësi vetëm të tij as shtëpi e as banesë.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Abdixhiku ka deklaruar një shtëpi që ka 214 metra katrorë në vlerë prej 200 mijë euro, në pronësi të përbashkët. Kjo shtëpi, thotë se është blerë në vitin 2014 nga kursimet dhe kredia bankare.

Përveç kësaj shtëpie, ai ka deklaruar edhe shtëpinë e prindit që ka 200 metra katrorë dhe vlenë 150 mijë euro.

Fatmir Limaj

Pasuri të paluajtshme në pronësi vetëm të tij s’ka as kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Ai ka deklaruar se ka një banesë që ka 68 metra katrorë në vlerë 70 mijë euro dhe një shtëpi banimi 300 metra katrorë në vlerë 250 mijë euro.

Të dy këto pasuri, Limaj ka thënë se janë pasuri familjare dhe se janë në pronësi të përbashkët.

Hashim Thaçi

As ish-presidenti Hashim Thaçi s’ka deklaruar në pronësi vetëm të tij pasuri të paluajtshme.

Në formularin për deklarimin e pasurisë, Thaçi kishte deklaruar një shtëpi 250 metra katrorë, në vlerë prej 80 mijë euro. Këtë shtëpi ai kishte thënë se e ka trashëgimi nga familja dhe se është në pronësi të përbashkët.

Ai kishte deklaruar edhe një shtëpi tjetër me sipërfaqe 450 metra katrorë.

Për këtë shtëpi, ai kishte deklaruar se ka vlerë 350 mijë euro dhe se pronësia është e përbashkët.

Kadri Veseli

Edhe ish-kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, kishte thënë se pasuritë e paluajtshme i ka në pronësi të përbashkët.

Veseli kishte deklaruar një shtëpi me sipërfaqe 350 metra katrorë, por nuk kishte treguar se sa kushton.

Për këtë shtëpi, Veseli kishte thënë se është trashëguar dhe se është në pronësi të përbashkët.

Ai kishte deklaruar edhe një banesë 114 metra katrorë në pronësi të gruas, në vlerë 97 mijë euro si dhe një aneks 59 metra katrorë në vlerë 85 mijë e 550 euro.

Behgjet Pacolli

Për dallim prej këtyre liderëve, kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka vetëm një shtëpi.

Por, vlera e saj është më e madhe se të gjitha shtëpitë e banesat e gjithë liderëve bashkë.

Sipas regjistrit për deklarimin e pasurisë, Pacolli ka shtëpi me sipërfaqe 5 mijë e 200 metra katrorë dhe kushton gati 18 milionë euro. Këtë shtëpi, Pacolli ka thënë se e ka jashtë Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera