Lajme

“Vijat e kuqe” të partive politike, pas zgjedhjeve shndërrohen në “të gjelbra”!

Autori: Gazeta inFokus 16:54 | 22 June 2017

Partitë politike i përdorin të ashtuquajturat “vija të kuqe” ndaj njëra tjetrës vetëm për rritjen e pazareve politike, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, edhe nga e kaluara është dëshmuar se “vijat e kuqe”, përdoren edhe për të përfituar sa më shumë poste në prag të formimit të Qeverisë së re.

Ndërkaq, referuar deklaratave të partive politike dhe përfaqësuesve të tyre, “vijat e kuqe”, nënkuptojnë përjashtimin e lidhjes së koalicioneve mes subjekteve të caktuara.

-Advertisement-

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike dhe liderët e tyre edhe gjatë procesit të zgjedhjeve të kaluara apo procesit aktual i cili është në përmbyllje e sipër kanë theksuar se nuk bëjnë koalicione me partitë politike kundërshtare.

Por, sipas tij, edhe e kaluara ka dëshmuar se këto vija zhduken kur të vijnë në shprehje interesat partiake.

“Këto më shumë po përmenden për të rritur pazaret e partive politike, për të përfituar sa më shumë në rast të një kompromisi. Pra, pasi që i kanë deklaruar vijat e kuqe, të kërkojnë më shumë për shkak se ato po e bëjnë një lloj sakrifice, ta quaj ashtu, dhe po e shkelin atë premtimin të cilin e kanë pasur në fillim”, tha Krasniqi.

Andaj, sipas tij, vijat e kuqe më tepër përdoren për përfitime të posteve dhe maksimalizimit të fitimin prej ndarjes së dikastereve qeveritare.

Ndërkohë, Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës “Fol”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në vazhdimësi ka pasur deklarata dhe veprime kundërthënëse të liderëve politik kur flitet për koalicione. Deklarimet e subjekteve se kanë vija të kuqe e më pas shkelja e tyre, thotë ai, e ka dëmtuar edhe skenën politike në vend.

“Duke pretenduar që të merr sa më shumë mbështetje, një subjekt politik thotë që ta zëmë, ‘ne me PDK-në nuk do të kemi qeveri’. Ndërkohë që e kaluara na ka treguar, ta zëmë kur LDK-ja, subjektin që e kritikoi më së shumti për fushatën zgjedhore të vitit 2014, në fund shkoi dhe bëri Qeverinë me PDK-në (atë që e kishte vënë pas vijave të kuqe), ngase sistemi ynë elektoral po prodhon këtë rezultat”, tha Zogaj.

Përdorimi i termeve përjashtuese përmes vijave të kuqe dhe shkelja e tyre, nënvizon Zogaj, nuk është e shëndetshme për politikën në Kosovë.

“Është amatorizëm politik që duke njohur spektrin politik edhe sistemin elektoral, partitë politike i qesin ose i theksojnë këto vija të kuqe se nuk do të bëjnë me këtë ose atë parti koalicion. Mbi të gjitha, me këso veprime i bëhet dëm edhe opinionit publik”, tha Zogaj.

Edhe disa qytetarë të anketuar në Prishtinë, nuk i shohin si serioze deklarimet e zyrtarëve dhe partive politike për vijat e kuqe. Ata mendojnë se subjektet politike në radhë të parë shikojnë interesin e tyre dhe harrojnë premtimet e dhëna.

Burim Softolli, student nga Prishtina, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike nuk e kanë mendjen shumë te qytetarët, por më shumë punojnë për vete.

“Është interes i tyre, gjithnjë derisa të vjen momenti dhe thonë se ka vija të kuqe me këtë, por faktikisht janë të parët që i shkelin vijat e kuqe dhe pikërisht me atë që kanë thënë se nuk duan koalicion, me atë bashkohen”, tha Softolli.

Kurse, Kastrioti, një student në Universitetin e Prishtinës, tha se vijat e kuqe, përveç retorikës, nuk ekzistojnë në shumicën e rasteve te partitë politike.

“S’ka vija të kuqe në politikë. Këtë e kemi parë gjithmonë. Ato vija i largojnë për interesat e tyre. Ata thonë se po sakrifikojnë me largimin e tyre, po çfarë sakrifice është ajo?”, tha ai.

Ndërkohë, analisti Albert Krasniqi, thotë se skena politike në Kosovë aktualisht është e fragmentuar, dhe në ditët në vijim, sipas tij, mund të ketë zhvillime interesante.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera