Lajme

Vetëvendosje mburret me qeverisjen në vitin 2021

Autori: Gazeta inFokus 10:59 | 24 December 2021

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bugujevci, ka thurur lavde për punën e Qeverisë Kurti gjatë vitit 2021.

Gjatë seancës plenare në deklarimet jashtë rendit të ditës, Bugujevci tha se nën qeverisjen e Albin Kurtit është arritur shkalla më e lartë e vaksinimit kundër COVID-19 në rajon.

Në foltoren e Kuvendit, ajo tha se ekzekutivi po e godet krimin pa dallim etnie, derisa theksoi se këtë vit vendi ka shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik.

-Advertisement-

“Gjatë vitit që po lëmë pas ishim ne që siguruam dozat e vaksinën Pfizer dhe sot kemi shkallën më të lartë të vaksinimit të popullatës në rajon. Me këtë rast dua të falënderoj ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për punën që e ka bërë në këtë drejtim… Ishim ne që filluam mbështetjen për shtesat për lehonat dhe fëmijët dhe jo vetëm. Po fuqizojmë rolin e gruas dhe po ndihmojmë në krijimin e kushteve elementare për mirëqenien e fëmijëve. Ishim ne që po ndihmojmë bizneset në shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe kemi nxitur një dinamikë më të shtuar të aktivitetit ekonomik në vend. Kosova këtë vit ka shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik në rajon, politika e subvencionimit po vazhdon ende… Ne po e godasim krimin pa dallim etnie dhe jemi në rrugë të mirë në miratimin e bazës ligjore edhe për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme”, tha ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera