Lajme

Vetëvendosja në koalicion me Guxo dhe Alternativën, AAK me Nismën e Listën Konservatore

Autori: Gazeta inFokus 14:47 | 30 August 2024

Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë koalicion parazgjedhor me partitë Guxo dhe Alternativa. Megjithëse nga partia në pushtet nuk kanë pranuar të përgjigjen, anëtari i kryesisë së Guxo, Haxhi Avdyli, ka konfirmuar se kanë arritur dakordimin për koalicion parazgjedhor dhe se orët në vijim do të zyrtarizohet i njëjti.

Megjithatë, një koalicion i tillë parazgjedhor nga analistë politik po konsiderohet jo shumë i dobishëm, pasi siç konsiderojnë po bëhet vetëm për t’i shpëtuar nga mos kalimi i pragut zgjedhor partitë politike Guxo dhe Alternativa.

Derisa kanë mbetur edhe pak orë nga afati ligjor për arritjen e koalicioneve parazgjedhore, dy partitë e mëdha opozitare, PDK dhe LDK nuk kanë pranuar të flasin për mundësitë e arritjes së ndonjë koalicioni, ndërkaq, AAK-ja veçse ka deponuar në KQZ koalicionin me Nisma Socialdemokrate, Listën Konservatore dhe Forumi intelektual E-30.

-Advertisement-

Anëtari i Kryesisë së partisë Guxo, Haxhi Avdyli thotë për KosovaPres se përmes koalicionit LVV, Guxo dhe Alternativa do të vazhdohet bashkëpunimi, si֛ shton për katër vjetët e ardhshme në qeveri.

“Zgjidhja më e mirë do të duhej të ishte koalicioni parazgjedhor, meqenëse ne tani jemi parti e konstituar. Bisedat e deritanishme kanë shkuar shumë mirë, do të ketë lajme të mira për votuesit tanë dhe aktivistët tanë. Sipas të gjitha gjasave deri në orën 16:00 do të kemi koalicionin tonë…Do të ketë koalicion parazgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo dhe Alternativa e cila do të jetë edhe një bashkëpunim i radhës për katër vjetët e ardhshme qeverisje, e cila do të vazhdojë punët e mira dhe do të vazhdojë t’i kryejë punët që akoma nuk kanë arritur të përfundojnë 100 për qind”, tha Avdyli.

Megjithëkëtë, analisti politik, Arbnor Sadiku, deklaron se ky koalicion nuk mund të ketë efekt të madh në terren, pasi rezultati do të ishte i njëjtë edhe sikurse partitë Guxo dhe Alternativa të përfshiheshin vetëm në listë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Arsyeja që Lëvizja Vetëvendosja do të bëjë koalicion me këto parti është se edhe ata e dinë se e kanë të pamundur që të kalojnë shifrën 50.1 për qind. Sigurisht matematikat që sado që të ketë vota plus përveç të LVV-së brenda atij koalicioni janë të dobishme, por mendoj se s’kanë ndonjë efekt të madh, pasi edhe Guxo ka një rënie në sondazhe, ndërkaq Alternativa është aty. Rezultati real i tyre është i vogël. Është interes i dyanshëm që Alternativa dhe Guxo të kalojnë pragun, kurse LVV-ja tenton që së paku një ose dy deputetë t’i ketë më shumë me këto parti”, thekson Sadiku.

Sipas tij, koalicionet parazgjedhore bëhet vetëm për interes të partive të vogla, andaj ka hezitime që të kenë të tilla PDK-ja dhe LDK-ja.

“Këto janë më tepër koalicione për interes të partive të vogla sesa të partive të mëdha. Partitë e mëdha shkojnë fuqishëm me logon e vet, programin dhe figurat politike të tyre. Mirëpo për partitë e vogla janë të domosdoshme pasi pragu në Kosovë është lart dhe pa një aleancë me partitë e mëdha është e pamundshme të kalohet pragu dhe të jenë në Kuvend”, thekson Sadiku.

Subjektet politike kanë afat deri të premten në ora 16:00 t’i deklarojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Në zgjedhjet 2021, Guxo dhe Alternativa kanë garuar në listë të Lëvizjes Vetëvendosje. LVV-ja, bashkë me Guxo dhe Alternativa janë partnerë aktual qeverisës. Sipas KQZ-së deri tani kanë pranuar deklarimin e katër koalicioneve ndërmjet partive politike të regjistruara:

-Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin e koalicionit: PDU – BALLI KOMBIT;

-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, me emrin e koalicionit: AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL – E – 30;

-Nasha Inicijativa dhe Boshnjaçka Stranka Kosova, me emrin e koalicionit: Nasha Boshnjaçka koalicija;

-Demokratska Stranka Boshnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, me emrin Koalicija Vakat.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera