Lajme

Veterani i NATO-s, Jamie Shea komenton darkën Kurti-Vuçiq në Berlin: BE-ja e ka kuptuar…

Autori: Gazeta inFokus 15:59 | 08 May 2022

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, i cili ishte ithtar i Aleancës gjatë luftërave në Bosnje dhe Kosovë ka komentuar takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Berlin. Sipas tij, ndikimi i mundshëm rus në Ballkan e ka bërë kancelarin e Gjermanisë, Olaf Szholz që t’i ulë në takim Kurtin e Vuçiqin, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.

Shea, i cili ishte anëtar i Stafit Ndërkombëtar të NATO-s për 38 vjet, e sheh të rëndësishme temën e ndikimit të mundshëm të Rusisë në rajon.

“BE-ja më në fund e ka kuptuar se kjo është një temë e rëndësishme. Politika e kaluar ishte e keqe, e vuri të gjithë përgjegjësinë për anëtarësim në kurrizin e vendeve të rajonit. BE-ja duhej të ndihmonte më shumë dhe të ishte më aktive në ndihmën e transformimit. Tani kemi sërish shumë aktivitete, shohim se kancelari gjerman Olaf Scholz organizoi një takim mes Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock pati një turne të madh në rajon. I dërguari i SHBA-së Gabriel Escobar është gjithashtu aktiv. Perëndimi tregon se Ballkani është sërish i rëndësishëm për të”, tha ai në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve, Index.

-Advertisement-

Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një qasje më fleksibël dhe t’u sigurojë disa vendeve kandidate disa përfitime nga anëtarësimi, veçanërisht në aspektin ekonomik, thotë Shea. Sipas tij, procesi i anëtarësimit do të duhetj të ishte gradual.

Ai foli edhe për ndikimin e Rusisë në rajon përmes Serbisë, ndërsa theksoi se Vuçiq “duhet të kuptojë se Perëndimi dhe Rusia do të largohen gjithnjë e më shumë për shkak të luftës në Ukrainë” dhe se “nuk do të jetë më e mundur të ulesh në dy karrige”.

“Ai do të duhet të zgjedhë. Vuçiq thuhet se tha se do ta bënte këtë në gjashtë javët e ardhshme. I takon atij të vendosë”, thotë Shea.

Shea aktualisht është anëtar i Grupit të Këshilltarëve Strategjikë të Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s në SHAPE në Belgjikë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera