Lajme

Veteranët paralajmërojnë dalje masovike para Kuvendit, javën që shkoi pati përplasje e gaz lotsjellës

Autori: Gazeta inFokus 16:42 | 13 June 2022

Të hënën e javës që shkoi, para objektit të Kuvendit të Kosovës, shumë veteranë të UÇK-së shkuan për ta shprehur mllefin në lidhje me mospërfshirjen e tyre në projektligjin për pagën minimale. Disa prej tyre këtë kundërshti e manifestuan edhe duke tejkaluar rrethojat para objektit me synimin që të futen brenda dhe ta ndalin kalimin e projektligjit. Për të parandaluar hyrjen e tyre në Kuvend u desh intervenimi i Policisë së Kosovës, e cila tha se protesta s’u lajmërua. Aty pati edhe hedhje të gazit lotsjellës, për të cilin Policia deklaroi se u hodh nga ndonjë prej protestuesve. Një skenë e tillë mund të përsëritet prapë, por kësaj radhe me paralajmërim.

Në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, për të cilën njoftoi sot Kryesia, do të jetë pikë e rendit të ditës miratimi i këtij projektligji. Veteranët edhe sot shprehën pakënaqësinë  e tyre, por këtë s’mund ta manifestojnë me protestë nesër meqë koha është e shkurtë për organizim të saj. Megjithatë, dorë prapë nuk heqin.

Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetari të OVL UÇK-së, ka thënë se veteranët duhet të jenë në kontakt me degët e organizatës që kur t’iu bëhet thirrja të dalin në masë të madhe derisa t’iu realizohet kërkesa.

-Advertisement-

 “Nesër do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë është përsëri miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale. Nuk mund të organizojmë protestë për nesër, sepse është kohë e shkurtër. Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona”, ka shkruar Klinaku.

Derisa iu bëri thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës që të refuzojnë miratimin e këtij “ligji diskriminues ndaj kategorive të luftës”, shkuarjen e kryeparlamentarit në Hagë te ish-krerët e UÇK-së po e sheh si ironike.

“Dyfytyrësia e Glauk Konjufcës! Në njërën anë futet në rend dite projektligji kundër veteranëve, e në anën tjetër shkon t’i vizitojë veteranët që gjenden në paraburgim në Hagë”, ka shkruar Klinaku.

Kërkesën e tyre po e mbështesin edhe partitë opozitare. Ato i kanë bërë thirrje Qeverisë Kurti që të mos anashkalohen veteranët nga ligji i pagës minimale. Mospërfshirjen e tyre, PDK e cilësoi si një dëm që i bëhet themeleve të lirisë së vendit, derisa AAK-ja tha se është diskriminuese dhe në esencë e dëmton njërën ndër kategoritë më të rëndësishme të shoqërisë.

Sipas Ligjit për Veteranët, shuma e pensionit të veteranit të UÇK-së nuk mund të jetë më e vogël sesa paga minimale e përcaktuar me ligj në Kosovë, e që është prej 130 deri 170 euro, varësisht moshës. Sipas të njëjtit ligj, pensioni i veteranit është prej 120 deri 250 euro, varësisht kategorisë.

“Deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual”, thuhet në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Protesta e së hënës së kaluar e shoqëruar me tensione ishte mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo filloi rreth orës 10:00 dhe nisi të shpërndahej nga ora 13:00 pasi dështoi për mungesë kuorumi votimi i paraparë për projektligjin për pagën minimale. Për të shpërndarë ata u përfshi edhe Njësia Speciale. Sipas Policisë, dy zyrtarë policorë janë lënduar në protesta dhe një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore, për shkak të gazit lotsjellës në ato ambiente.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera