Opinione

Vetëm SHBA ndërton dhe prish aleanca

Autori: Gazeta inFokus 13:37 | 15 May 2023

Fakti që SHBA dërgon në Beograd ambasadorin Christopher Hill, pra ambasadorin e saj më të mirë që njeh Ballkanin, duhet të na kthjellë neve shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, ngase SHBA tanimë synimin e saj kryesor e ka kthimin e Serbisë kah SHBA. Goditja e Rusisë në Ukrainë lehtëson kthimin e Serbisë kah SHBA.

Sigurisht që neve shqiptarëve një gjë e tillë na dhemb, por nuk jemi ne që diktojmë politikat e SHBA-së, as nuk është se e ka marrë malli dikë ta shohë Serbinë e drejtuar kah SHBA. Për ne si shqiptarë – si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri – është e rëndësishme dhe pse jo jetike që të jemi nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, sepse e kemi provuar mbi 100 vite terrorin nën Serbi.

SHBA është superfuqia e vetme që ka qasje globale ndaj zhvillimeve globale. Vetëm SHBA e ka kapacitetin të ndërtojë e të prishë aleanca në glob. Të gjithë e dinë që formalisht si Kosova ashtu edhe Shqipëria janë shtete sikurse edhe SHBA, por praktikisht dikush gjithmonë ka qenë më shtet se tjetri. Kjo nuk do të ndryshojë as në të ardhmen.

-Advertisement-

Ne shqiptarët duhet të mësojmë nga historia dhe t’i lexojmë drejtë ngjarjet dhe zhvillimet ndërkombëtare. Nëse SHBA i ka sakatuar por jo shkretuar Gjermaninë, Japoninë, Vietnamin, ajo sot është në aleancë me të tria këto shtete. Nëse SHBA ka mbështetur BRSS-në për ta mposhtur Nazizmin e Fashizmin, pastaj Afganistanin kundër BRSS-së dhe Irakun kundër Iranit, ajo më pas i ka sakatuar por asnjëherë shkretuar Afganistanin dhe Irakun, ndërkohë që sot e mbështet Ukrainën kundër Rusisë si pasardhëse e drejtëpërdrejtë e BRSS-së. Nëse SHBA e ka mbështetur çlirimin e Kinës nga Japonia, ajo sot është në rivalitet kryesor global me Kinën. Pra, varësisht prej konstelacioneve ndërkombëtare, SHBA ndërton dhe prish aleanca. E ne shqiptarët nuk jemi as që ndërtojmë e as që prishim aleanca, s’e kemi atë kapacitet dhe kjo nuk është kurrfarë sekreti. Ne vetëm duhet të rreshtohemi përkrah Perëndimit, ku për ne lind dielli.

Edhe rasti i Serbisë nuk është fare më ndryshe. Nëse SHBA në vite të 90-ta e ka sakatuar por jo shkretuar Serbinë, ajo tanimë është duke bërë gradualisht aleancë me Serbi. Shkëmbimet e zyrtarëve publikë mes Serbisë dhe SHBA-së shkojnë pikërisht në atë drejtim. Rrethimi nga BE e NATO e detyron Serbinë të marrë kurs perëndimor. Dhe kjo është vetëm çështje kohe.

Neve shqiptarëve nuk duhet të na brengosë lidhja e SHBA-së me Serbi, pavarësisht që na dhemb një lidhje e tillë. Neve duhet të na brengosë shumë më tepër rënia gati në pikën zero e raporteve Kosovë-SHBA gjithnjë sipas Raportit zyrtar të Ambasadorit të Kosovës në SHBA të publikuar edhe nëpër media. Neve duhet të na brengosë dhe fakti që në Kosovë që nga viti 1999 e deri me sot ka pasur një pjesë të politikës që në vazhdimësi ka mbjellë frymë anti-SHBA. Dhe kjo politikë e mbrapshtë tërë projektin e Kosovës së ndërtuar nga SHBA vazhdon ta cilësojë edhe sot si “shkatërrim 20 vjeçar”, ndërkohë që zyrtarë të lartë të SHBA-së e ngrisin në piadestal progresin që ka ndodhur në Kosovë pikërisht për këto 20 vite.

Kjo politikë e mbrapshtë vazhdimisht ka kundërshtuar e kërcënuar edhe me protesta zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, ka sulmuar SHBA-në nëpër media ndërkombëtare, ka refuzuar investitorë amerikanë, ka fyer e sulmuar edhe fizikisht ambasadorë të SHBA-së në Kosovë, ka sulmuar autostradat që po ndërtoheshin pikërisht nga SHBA, ka refuzuar në Kuvend Marrëveshjen e Uashingtonit të shtatorit 2020 gjersa s’e ka refuzuar po në Kuvend kurrë asnjë Marrëveshje të Brukselit, ka refuzuar energjinë amerikane gjersa tërë Evropa ia ka hapur dyert, ka refuzuar çdo nismë amerikane për integrim rajonal të Ballkanit Perëndimor, me një fjalë askush më shumë sesa kjo pjesë e mbrapshtë e politikës sonë nuk e ka sfiduar më shumë SHBA-në në Kosovë, thua ti se krejt të këqijat na paskëshin ardhur nga SHBA.

Prandaj, për ne shqiptarët është jetike ta mirëmbajmë dhe kultivojmë edhe më shumë aleancën me SHBA. Çdo devijim nga ky kurs çon ujë te konkurrentët e SHBA-së siç janë Rusia, Kina, Irani, etj. Duke e refuzuar SHBA-në, ne, me apo pa vetëdije, çojmë ujë në Serbi e Rusi. Këto dy të fundit s’duan asgjë më shumë sesa refuzimin tonë të SHBA-së. Bile Rusia e Serbia investojnë shumë që Kosova ta refuzojë sa më shumë SHBA-në. Prandaj, duhet të kthjellemi dhe t’i lexojmë zhvillimet drejtë.

Shkruan: Agron Hoti

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera