Lajme

Vetëm fëmijët e dëshmorëve përfitojnë lehtësim për regjistrim në fakultet

Autori: Gazeta inFokus 12:41 | 07 July 2017

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” këtë vit pritet që të pranojë rreth 7 mijë studentë.

Edhe sivjet sikurse vitin që shkoi të vetmit që do të kenë lehtësime nga radhët e kategorive të dala nga lufta, lehtësime në regjistrim do të kenë vetëm fëmijët e dëshmorëve, por jo edhe nga kategoritë tjera.

Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema tha se në të gjitha drejtimet nga numri i përgjithshëm të studentëve që regjistrohen , 2 përqind prej tyre do të jenë fëmijë të dëshmorëve të UÇK-së.

-Advertisement-

“Edhe këtë vit sikurse vitin e kaluar do të pranojmë, në qoftë se e aprovon ministri kërkesën tonë…., nëse e aprovon ne do të regjistrojmë vetëm dy përqind të numrit sipas programeve, sipas numrit të fëmijëve të dëshmorëve, jo të kategorive të tjera, jo të veteranëve, jo të invalidëve, përpos fëmijëve të dëshmorëve”, tha  Dema.

Sipas rektorit të UP-së të gjithë ata studentë-  fëmijë të dëshmorëve do të kenë pragun prej 30 përqind  për pranim në Universitet.

“Themi nëse konkurrojnë në një program studimor ose në një fakultet ku pranohen 400 studentë, do të thotë 2 përqindëshi i 400 studentëve pranohen prej tyre, jo më tepër, më të mirët mund të jenë, mund të jenë 100 që konkurrojnë në mjekësi apo fakultet të edukimit katër të parët. Pjesa tjetër që mbesin nëse do të kenë vende të lira dhe që i plotësojnë kriteret, e kalojnë pragun pastaj do të ju japim shansin të regjistrohen në fakultete tjera. Jemi shumë të interesuar që kësaj kategorie mbi bazën e këtyre kritereve të ju ndihmojmë që të jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës”, tha Dema.

Me këtë vendim të UP-së nuk janë të kënaqur përfaqësues të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Ata thonë se me UP-në kanë një memorandum mirëkuptimi por që nuk është duke u zbatuar.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari tha për KosovaPres se do të takohen me rektorin Dema ku do të merren vesh për formën e ndihmës për fëmijët e dëshmorëve.

“Ne e kemi memorandumin në fuqi që asnjëherë nuk e kemi shkëputur. Por, gjithsesi do të bëjmë takim me rektorin dhe do të merremi vesh se cila do të jetë forma e ndihmesës për fëmijët e dëshmorëve dhe besoj që deri më tani sa i përket fëmijëve të dëshmorëve janë trajtuar në Universitetin e Prishtinës,   por besoj që është edhe obligim edhe i joni edhe i institucioneve në këtë rast Universitetit të Prishtinës, sepse kërkesa jonë është që tu krijohet mundësia për tu regjistruar studentëve për tu integruar si gjithë studentët e tjerë”, tha  Jashari.

Sa i përket numrit të studentëve , fëmijë të dëshmorëve, Jashari tha se do të jetë një numër shumë i vogël duke e pasur parasysh se ata tashmë janë gjenerata e fundit e 18 vjeçarëve.

“Besoj që numri i studentëve nga familjet e dëshmorëve do të jetë i vogël sepse tash fëmijët janë rritur dhe po besoj që do të jetë një numër shumë i vogël që nuk do të ketë problem, me ndihmën e rektoratit sado që të jetë ajo ndihmë sepse edhe fëmijët janë të përgatitur dhe mendoj se gjithë fëmijët e dëshmorëve do të regjistrohen në fakultetet e Universitetit të Prishtinës”, tha Jashari.

Deri para dy vitesh në Universitetin e Prishtinës fëmijët –studentë që i kanë takuar kategorive të dala nga lufta janë regjistruar në UP në bazë të një memorandumi mes shoqatave të luftës dhe UP-së qysh në vitet e para të pasluftës.

Por me ardhjen  e Ramadan Zejnullahut në postin e rektorit kjo praktikë është ndaluar pasi që dyshohej për keqpërdorime nga ana e shoqatave të luftës së UÇK-së. Madje kundër këtyre të vendimeve të Zejnullahut ka pasur edhe protesta nga ana e veteranëve të luftës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera