Lajme

Vetëm 5 ditë fushatë zgjedhore për raundin e dytë

Autori: Gazeta inFokus 14:37 | 22 October 2021

Subjektet politike dhe kandidatët do të kenë 5 ditë kohë të zhvilluar fushatën zgjedhore, shkruan Gazeta Infokus.

Këtë e ka bërë të ditur, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë 5 ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor”, tha Elezi.

-Advertisement-

Ai ka njoftuar gjithashtu se për votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion të tyre për të votuar përmes postës.

“Për votuesit e regjistruar suksesshëm nga jashtë Kosovës, gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion të tyre për të votuar përmes postës. Ky votim fillon më 29 tetor deri më së largu më 12 nëntor”, tha Elezi.

Elezi ka treguar edhe se sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve të këtij raundi, KQZ-ja ka vendosur që subjektet politike garuese, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare, misionet diplomatike dhe mediet të konfirmojnë listat me vëzhguesit që duan t’i angazhojnë sërish, si dhe të aplikojnë për vëzhgues shtesë.

Aplikimi për akreditim të vëzhguesve shtesë të subjekteve politike, OJQ-ve, vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave, fillon më 28 tetor dhe përfundon më 8 nëntor./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera