Vështirësitë e Kosovës në integrimin ekonomik rajonal
Autori: Gazeta inFokus 09:03 | 28 August 2018
Integrimi ekonomik rajonal, për Kosovën po shihet si proces i vështirë. Zyrtarë të Qeverisë si dhe ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se mungesa e lirisë së lëvizjes si dhe pengesat që paraqiten për qarkullim të njerëzve dhe mallrave me disa vende të rajonit, janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet Kosova në proceset integruese ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht faktit që mekanizmat ndërkombëtarë, bashkëpunimin rajonal e kanë parë si një domosdoshmëri, jo vetëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për mirëqenien e qytetarëve të vendeve të rajonit, sipas ekspertëve në Prishtinë, Kosova në këtë drejtim ballafaqohet me sfida specifike, krahasuar me vendet tjera.
Profesori Gazmend Qorraj, ligjërues i lëndës Ekonomia e Kosovës dhe Bashkimi Evropian në Fakultetin Ekonomik, thotë për REL se pavarësisht investimeve të shumta të Bashkimit Evropian për thellimin e integrimit ekonomik në rajon, ky proces është shumë i komplikuar.
“Edhe pse në Ballkanin Perëndimor ka ndodhur liberalizimi i tregut, ende ka barriera të shumta jotarifore, qoftë politike, por edhe teknike dhe ekonomike”, ka deklaruar ai.
“Madje Kosova ka sfida specifike të cilat nuk i kanë vendet tjera, siç është liria e lëvizjes, mandej problemet kryesisht me Bosnjën dhe Serbinë. Fatkeqësisht, nganjëherë kemi probleme edhe me Shqipërinë që nga aspekti politik nuk vërehen si komplekse, por nëse bisedohet me bizneset, ata tregojnë se janë biznese të mëdha”, thotë Qorraj.
Bashkimi Evropian vazhdimisht u ka kërkuar vendeve të Ballkanit Perëndimor që të zhvillojnë projekte të përbashkëta me standarde evropiane në fushën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore, por edhe doganore, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.
Por, eksperti tjetër për çështje ekonomike, Naim Gashi, thekson se Kosova ballafaqohet më dy pengesa kryesore për përfshirjen në projektet dhe iniciativat rajonale.
“Pengesa e parë vjen nga mosnjohja që po i bëjnë Kosovës në rajon, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina të cilat vazhdimisht sabotojnë zbatimin e Marrëveshja e Tregtisë së Lirë dhe marrëveshjeve tjera të lëvizjes së qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve në Kosovë”.
“Kurse, problemi i dytë po vjen nga mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat po frenojnë, në fakt po ngadalësojnë, përfshirjen e Kosovës në të gjitha iniciativat rajonale, ku përfshihen edhe financimet e projekteve të ndryshme”, thotë Gashi.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA, ishte një nga projektet e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në fushën e tregtisë, por problemet ndërmjet vendeve të rajonit nisin që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kundërshtimit të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Ndërsa, në vitin 2016 ka hyrë në fuqi edhe Marrëveshja për Stabilizim Asocim (MSA), e cila u mundëson bizneseve kosovare të depërtojnë në tregun e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe në takimin joformal të ditës së hënë, që është mbajtur në Durrës në Shqipëri, kanë diskutuar për thellimin e integrimit rajonal, me fokus në ekonomi, tregti dhe energjetikë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Kosova po e kryen pjesën e vet për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor, në veçanti në infrastrukturën rrugore, por që sipas tij, Kosova ka vështirësi krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi disa vështirësi që dallojnë nga vendet tjera, siç është liria e lëvizjes. Ne kemi ende vështirësi në qarkullim të lirë kur kalojmë nëpër Serbi, qytetarët tanë presin me orë të tëra, po ashtu nuk mund shkojmë në Bosnje. Ndërsa, për të komunikuar me Kroacinë na duhen vizat, e që e bën më të vështirë jetën tonë ekonomike. Ajo që e kemi më lehtë dhe që do të avancohet në nivelin e duhur, ështëmarrëdhënia me Shqipërinë”, theksoi Haradinaj.
Ndryshe, takimi në Durrës i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor është mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilin e ka nisur kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014.
Procesi i Berlinit, synon përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të rajonit të Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet tyre, si dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...