Lajme

Veseli: Seanca e sotme mbahet për të ndalur ofensivën e Serbisë

Autori: Gazeta inFokus 12:53 | 15 December 2018

Kryesia e Kuvendit të Kosovës është marrë vesh sot paradite, që në orën 14:00 të mbahet seancë e jashtëzakonshme e cila pritet të miratojë ekipin negociator për dialogun me Serbinë.

Partitë në pushtet me përkrahjen e Partisë Socialdemokrate pritet që do të miratojnë rezolutën e propozuar nga PSD për dialogun me Serbinë, ku asnjë institucion, përveç Kuvendit, nuk do të ketë monopol mbi dialogun.

Ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, të cilën po e konsiderojnë “teatër të një qeverie pa legjitimitet e cila e ka futur nën sqetull PSD-në”.

-Advertisement-

Në seancën e sotme që ka për qëllim miratimin e rezolutës për dialogun me Serbinë, e propozuar nga PSD, dhe miratimin e ekipit që do të udhëheq këtë dialog, nuk do të marrë pjesë LDK.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, disa minuta pasi filloi mbledhja e kryesisë, doli para gazetarëve dhe tha se nuk mund të ketë dialog pa legjitimitet.

Ai tha se LDK nuk merr pjesë në këtë seancë.

Hoti: Rezoluta është përpjekje e dështuar e PSD-së për të fshehur koalicionin që e ka me PAN-in

“Ne vlerësojmë se ky veprim është teatër i qeverisë pa legjitimitet, që tash fatkeqësisht e ka marrë nën sqetull edhe PSD-në. Kjo rezolutë është përpjekje e dështuar e PSD-së për të mbuluar koalicionin e fshehtë që kanë me PAN-in. Duhen ta kenë të qartë të gjithë se pa legjitimitet nuk ka dialog, rrugë tjetër nuk ka për të hyrë në këto procese të rëndësishme. Duhet të theksoj dy çështje që nga këndvështrimi i LDK-së janë tepër të rëndësishme dhe janë bazament për të shkuar tutje. E para që platformë për dialog është vetëm Kushtetuta e Kosovës, nuk mund të ketë kurrfarë platforme që del mbi Kushtetutën e Kosovës dhe e dyta nuk mund të stimulojmë ekipe për dialog, pasi ekipe për dialog është vetëm qeveria që ka legjitimitet qytetarë, qeveri e shumicës që flet në emër të shumicës”, tha ai.

Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, tha se Kosova nuk i frikësohet dialogut me Serbinë.

Veseli: Seanca e sotme ka të bëjë me ndaljen e ofensivës së Vuçiqit dhe Serbisë

“Do të jetë një seancë e jashtëzakonshme që ka të bëjë me dialogun, për të thënë më konkretisht ka të bëjë me ndaljen e ofensivës së Vuçiqit dhe Serbisë për t’u paraqitur të moderuar para Bashkësisë Ndërkombëtare, për të treguar se Kosova ka zotësinë, ka legjitimitetin dhe ka mundësinë që t’i përgjigjet çdo sfide. Ne shkojmë në dialog me Serbinë, ne nuk i frikësohemi këtij dialogu, për vet faktin që jemi shtet i pavarur dhe sovran, se ne shkojmë për ta na njohur Serbia nga ky peces i dialogut, dhe për të fituar ulëse në OKB. Ky është qëndrimi që do të jetë i deputetëve sot, përmes dhënies së dritës jeshile për futjen në procesin e dialogut”, tha ai.

Sipas propozuesve të rezolutës, në këtë formë Kuvendi arrin të marrë përgjegjësinë që i takon.

Dardan Sejdiu i PSD-së tha se asnjë institucion nuk do të ketë më monopol mbi dialogun, por Kuvendi do të ketë përgjegjësinë e vetme.

Sejdiu: Nëse kalon rezoluta sot, Kuvendi bëhet hisedari i vetëm në çështjen e dialogut

“Ligji është nënshkruar nga të gjithë liderët e pushtetit, ata janë dakorduar që ky do të jetë ligji me të cilin kornizohet dialogu. Asnjë institucion nuk ka më monopol në dialog, i vetmi institucion i cili e ka përgjegjësinë dhe monopolin për vendimmarrje, është Kuvendi, dhe kjo besoj është një arritje e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës. dhe, nuk duhet të bëjmë trajtim të përvetshëm, por duhet të themi se nëse votohet sot, nëse kalon kjo rezolutë, atëherë e kemi një situatë të re në dialog me Serbinë, e kjo situatë është që Kuvendi i Kosovës bëhet hisedari i vetëm dhe kryesor në dialog me republikën e Serbisë”, tha ai.

Para gazetarëve, Avdullah Hoti përmendi edhe njëherë letrën që në shtator ia kishin dërguar katër grupet parlamentare të opozitës, ndërmjetësueses Federica Mogherini, duke i thënë se qeveria nuk ka legjitimitet dhe se platforma për dialogun mund të votohet vetëm nga dy të tretat në Kuvend.

E tani Hoti tha se PSD po vepron në kundërshtim me atë se çka kishte deklaruar.

Avdullah Hoti tha se kërkojnë një qeveri të fuqishme që merr përsipër procese kaq të rëndësishme dhe të involvohen të gjithë në këtë proces.

Por Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, mendon se LDK i ndërron qëndrimet shumë shpesh, siç tha ai, më shpesh sesa ndërron moti në Kosovë.

Krasniqi: Qëndrimet e LDK-së ndërrojnë më shpesh se moti në Kosovë

“Unë nuk kam komente më për qëndrimet e LDK-së sepse ato ndërrojnë më shpesh sesa ndërron moti në Kosovë, e në Kosovë moti ndërron shpesh, disa herë brenda ditës. Nëse deri dje kanë thënë që duhet me ardh me një rezolutë e sot s’po u pëlqen rezoluta, deri dje kanë thënë se duhet me pas legjitimitet të Kuvendit, e ky Kuvend ka legjitimitet sepse janë deputetët që i japin legjitimitetin, tash paskan dalë me një ide tjetër, mendoj që nuk kanë qëndrim të qartë për asgjë, veçanërisht për asgjë”, tha ai.

Ai tha se nëse votohet rezoluta, Kuvendi do të mund të mbrojë interesat nacionale shtetit.

Krasniqi shtoi se me këtë rezolutë opozita e ka mundësinë e bllokimit të secilit vendim që mendojnë që është i dëmshëm për Republikën.

Në mbledhjen e kryesisë në të cilën u vendosë që seanca të mbahet sot në orën 14:00, nuk ishte i pranishëm përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera