Lajme

Veseli: Kosova mund të krenohet me gra të suksesshme

Autori: Gazeta inFokus 11:39 | 19 March 2018

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në hapje të Javës së Gruas 2018 se Kosova ka gra të suksesshme dhe mund të krenohet me to, ndërsa ka bërë thirrje për më shumë përfaqësim të grave në vendimmarrje.

“Ne kemi dhënë shembuj se si institucionet kryesore të vendit u janë besuar për udhëheqje grave: Presidencë, Gjykatë Kushtetuese, Komision Qendror të Zgjedhjeve, Zëvendëskryeministre, Ministre, Ambasadore. Natyrisht, kjo nuk është e mjaftueshme. Por, janë shenja dhe zhvillime pozitive që duhet të vazhdojnë dhe përfaqësimi i grave në vendim-marrje duhet të rritet në përputhje me legjislacionin që vetë e kemi miratuar”, ka thënë ndër të tjera Kryeparlamentari Veseli.

Fjalimi i plotë i kryeparlamentarit Veseli:

-Advertisement-

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Ndihem i nderuar me mundësinë që të marr pjesë në fillimet e aktiviteteve të kësaj jave, kushtuar qëllimit tonë të përbashkët: gjithëpërfshirjes së grave në shoqëri.

Fillimisht, dua tu shpreh mirënjohjen NDI dhe USAID për mbështetjen e tyre të pakursyer për Kosovën. Në gjithë këtë periudhë të gjatë, që nga paslufta e deri me sot, programet e NDI dhe USAID kanë pasur efekt shumë pozitiv në fuqizimin e vlerave dhe institucioneve demokratike në Kosovë. Një ditë, kur do të shkruhet historia e shtetndërtimit të Kosovës, emrat e këtyre dy organizatave do të kenë një vend meritor në faqet e kësaj historie.

Një falënderim të veçantë e kam për grupin e grave deputete në Kuvendin e Kosovës. Me përkushtimin dhe angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë, ky grup, nga viti në vit, po shënon progres në avancimin e agjendës gjinore në shoqërinë kosovare.

Para një muaji, ne festuam dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Vendi ynë ka shënuar rezultate të rëndësishme gjatë dekadës së parë të pavarësisë. Këto rezultate vijnë nga përkushtimi i palodhur i grave dhe burrave të vendit tonë krenar.

Në dekadën e dytë, na presin sfida të reja, përgjegjësi të mëdha dhe objektiva të qartë në interes të vendit dhe qytetarëve. Para së gjithash, është objektivi i zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit cilësor të jetës së qytetarëve tanë. Barazia gjinore përbën njërin nga kushtet themelore në arritjen e këtij objektivi.

Nuk mund të ecim përpara në zhvillimin ekonomik, duke pasur nëpër këmbë barrierat që privojnë gjysmën e popullatës nga pjesëmarrja në proceset politike dhe ekonomike të shoqërisë. Nuk ka zhvillim për ato shoqëri – ku gratë janë minoritet në politikë dhe në ekonomi. Duhet t’i heqim barrierat. Nuk ekziston alternativë tjetër. Jo vetëm me fjalë e retorikë, por me vendime e veprime konkrete. Ka ardhur koha e rezultateve të prekshme. Këtë e presin qytetarët nga ne.

Këtu, në Kuvendin e Kosovës, janë miratuar, e miratohen, vazhdimisht ligje shumë të mira. Formalisht këto ligje i plotësojnë standardet më të larta demokratike e liberale. Por, problem themelor mbetet fakti se ligjet i kemi të mira, por zbatimi i tyre çalon në shumë segmente. Ka një neglizhencë serioze në zbatimin e ligjeve që adresojnë barazinë gjinore. Kjo neglizhencë buron nga mentalitetet e vjetra dhe kultura e së drejtës zakonore, të cilat kodifikojnë: paragjykimin dhe diskriminimin e grave në shoqëri, diskriminimin e tyre në tregun e punës dhe biznes, në fushën e të drejtave civile, në kontestet gjyqësore e familjare, në përfshirjen institucionale dhe mos-raportimin e dhunës në familje.

Por, ne duhet ta fitojmë këtë betejë, siç i kemi fituar të gjitha betejat tjera të lirisë e të pavarësisë.

Sot kemi shtetin e pavarur dhe sovran, që duhet ta udhëheqë lëvizjen gjithë-qytetare për t’i dhënë fund Kanunit të Pabarazisë Gjinore. Ky Kanun i privilegjon burrat, prandaj gratë nuk duhet të mbështeten shumë në “vullnetin e mirë” të burrave dhe fjalorin e tyre plot demokraci dhe emancipim. Shumë prej tyre, ende besojnë në mitin se pushteti i burrave në familje, shoqëri e shtet, është pushtet i natyrshëm dhe i pandryshueshëm.

Ky është mit i rrejshëm dhe sot i dëmshëm e pengues në përparimin e vendit. Na takon të gjithëve, e para së gjithash grave, që me aktivizmin e tyre të gjithanshëm, ta dërgojmë këtë mit në muzeun e të kaluarës.

Zonja dhe zotërinj,

Kosova mund të krenohet me gratë e suksesshme që ka dhe me nivelin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies që ato kanë treguar. Ne kemi dhënë shembuj se si institucionet kryesore të vendit u janë besuar për udhëheqje grave: Presidencë, Gjykatë Kushtetuese, Komision Qendror të Zgjedhjeve, Zëvendëskryeministre, Ministre, Ambasadore. Natyrisht, kjo nuk është e mjaftueshme. Por, janë shenja dhe zhvillime pozitive që duhet të vazhdojnë dhe përfaqësimi i grave në vendim-marrje duhet të rritet në përputhje me legjislacionin që vetë e kemi miratuar.

Ne jemi përcaktuar për shtet dhe shoqëri demokratike, prandaj mbështetja për gratë është obligim yni i përbashkët dhe i panegociueshëm njëkohësisht. Është obligimi ndaj të ardhmes sonë evropiane.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera