Lajme

Vërtetohet aktgjykimi dënues ndaj të akuzuarit për krime lufte në Kosovë, Zoran Gjokiq

Autori: Gazeta inFokus 18:48 | 15 November 2021

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se duhet që të refuzohen si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Zoran Gjokiq., ndërsa e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 11.02.2021.

Njëherësh, është hedhur si e palejuar ankesa e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, shkruan Gazeta Infokus.

“Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Z.D. është shpallur fajtor se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime të Luftës Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, lidhur me nenin 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës të datës 12.08.1949 dhe nenin 4 të Protokollit 2 të datës 08.06.1977 shtojcë e Konventave të Gjenevës, duke e dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) vjetëve, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim”, thuhet në komunikatë.

-Advertisement-

Gjokiqi është arrestuar në vitin 2019 dhe është akuzuar nga Prokuroria Speciale se në muajt mars e prill të vitit 1999, në Pejë, si pjesëtar i grupeve kriminale, ushtarake dhe paramilitare serbe, së bashku me të tjerë kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kishin maltretuar, plaçkitur e detyruar banorët që të dilnin nga shtëpitë e tyre, i kishin vrarë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera