Veriu pa kryetarë: “Nuk i forcojmë institucionet e shtetit të panjohur”
Autori: Gazeta inFokus 16:31 | 11 November 2022
Katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë pa kryetarë qysh më 5 nëntor, dhe disa qytetarë të anketuar nuk duket se kanë disponim për t’i zgjedhur të rinjtë.
Kryetarët, të nacionalitetit serb, dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri i kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, RKS, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Dorëheqje, për të njëjtat pakënaqësi, dhanë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri – nisur nga policia deri te gjykatat – ashtu si edhe 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq. Këta të fundit vinin nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Çfarë duhet të bëhet me komunat?
Pas dorëheqjes së kryetarëve, komunat, ligjërisht, duhet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës, ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.
Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi më 11 nëntor se ka ftuar subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri.
Takimi konsultativ u thirr për datën 14 nëntor.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë për Radion Evropa e Lirë se KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve, për të filluar pastaj me përgatitjet intensive të tyre.
“Si në çdo proces tjetër zgjedhor, KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet, të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, thotë Elez
A do të merrnin pjesë serbët e veriut në zgjedhje?
“Nuk do të dilja fare”, thotë për Radion Evropa e Lirë Branimiri, një qytetar nga Mitrovica e Veriut.
“Unë nuk dal më në zgjedhje pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit [politikan serb nga veriu i Kosovës]. Zgjedhjet nuk janë më demokratike… që të mund të votohet për këdo”, thotë ai.
As Marko nuk do të merrte pjesë në zgjedhje, por për arsye tjetër ai thotë se nuk dëshiron t’u japë legjitimitet zgjedhjeve në të cilat nuk do të merrte pjesë Lista Serbe.
“Më vjen shumë mirë që ata u larguan [nga institucionet], sepse, më në fund, ka ardhur koha për të bërë gjërat e duhura. Nuk mendoj se na duhej të ishim në institucionet e tyre [Kosovës] gjatë gjithë kësaj kohe dhe t’i forconim institucionet e një ‘shteti të panjohur’”, thotë Marko.
Kosova është shtet i pavarur nga shkurti i vitit 2008 dhe njihet nga më shumë se 100 vende të botës, përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve të BE-së.
Midoragu, gjithashtu, beson se nuk duhet marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.
“Qëllim i zgjedhjeve është që komuniteti serb t’i zgjedhë përfaqësuesit e tij, por, për momentin, një gjë e tillë nuk është e mundur, kështu që zgjedhjet do të ishin farsë”, thotë ai.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se shpallja e zgjedhjeve në katër komunat veriore është e pashmangshme, por pjesëmarrja e votuesve dhe mënyra se si do të zhvillohej procesi mbeten, sipas tij, të diskutueshme.
Cakolli thotë se, në rast se serbët në këto komuna nuk do t’i përgjigjeshin pjesëmarrjes në zgjedhje, Kosova do të rrezikonte të kthehej në periudhën e para vitit 2013, kur dalja në zgjedhje lokale në këto komuna ishte e ulët.
“Për pasojë, në atë kohë krijoheshin institucione që nuk kishin legjitimitet të mjaftueshëm qytetar”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Serbët e veriut u bënë pjesë e institucioneve të Kosovës në vitin 2014, pasi Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, më 2013.
Njohësi i proceseve politike, Artan Muhaxhiri, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se procesi zgjedhor nuk është zgjidhje në kohën kur serbëve u mungon vullneti për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.
“Në një atmosferë kaq të tensionuar dhe me një reagim të ashpër të serbëve në atë pjesë… i gjithë procesi do të shndërrohej në një farsë të rrezikshme dhe nuk do të kishte legjitimitet”, thotë Muhaxhiri.
Ai shton se para zgjedhjeve lokale në veri, do të ishte mirë të arrihej një marrëveshje politike mes Beogradit dhe Prishtinës, por, sipas tij, aktualisht nuk ka indikacione se kjo mund të ndodhë.
Disa skenarë për zgjedhjet komunale në veri
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë disa skenarë që mund të ndodhin në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri.
“Një prej tyre është bojkotimi, megjithëse është alternativë më pak e mundur. Ata [kryetarët], edhe më herët, kanë dhënë dorëheqje dhe brenda afatit [ligjor] kanë konkurruar përsëri për kryetarë të komunave. Dhe, ata prapë mund t’i lënë ato mandate [të rifituara] dhe kështu të shkohet pa kufi”, thotë Baraliu.
Sipas tij, nëse qytetarët me të drejtë ote nuk i përgjigjen procesit zgjedhor, atëherë përsëriten procedurat ligjore për zgjedhjet lokale.
“Presidentja duhet ta përsërisë procedurën dhe të provojë që të realizohet procesi elektoral, që është parakusht për zhvillimin e demokracisë lokale në ato komuna”, thotë Baraliu.
Në komunat veriore me shumicë serbe, zgjedhje të parakohshme u mbajtën edhe në vitin 2019. Vitin paraprak, kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së atëhershme të Kosovës për të vendosur taksë 100% mbi produktet e importuara nga Serbia. Në zgjedhjet e majit 2019, pjesëmarrja e qytetarëve ishte mbi 42 për qind. (Rel)
Të tjera
-
Mblidhet Qeveria
Qeveria e Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të mbajë mbledhjen e radhës....
-
ShBA: Konfirmohet vdekja e parë
Vdekja e parë është konfirmuar në Pacific Palisades, ku zjarri më i madh i Lo...
-
Infektologu Ahmeti: HMPV nuk plotëson kriteret për të qenë pandemi e përmasave të Covidit
Në lidhje me këtë virus, Sali Ahmeti, infektolog, ka shpjeguar se HMPV është ...
-
Tërmeti shkund Italinë
Një tërmet me magnitudë 3.6 u regjistrua në orën 02:42 të mëngjesit në veripe...
-
Komisioni i Përbashkët për të pagjeturit pritet të takohet deri më 16 janar
Në dhjetorin e vitit që lamë pas, në kuadër të takimit në Bruksel ndërmjet kr...
-
KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës sot
KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës sot Kompania për Distrib...
-
Paralajmërohet mbyllja e disa objekteve tjera paralele në veri
Aksioni ka përfunduar dhe këta janë shiritat njoftues se kjo veprimtari u mby...
-
Zyrtari i lartë amerikan sot viziton Kosovën, do pritet nga Osmani
Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R....
-
Parashikimi i Haradinajt: Vetëvendosje s’do t’i marrë më shumë se 25% të votave
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se mbështetja për Lëvizjen Vetëv...
-
Shkup: A paraqet “Shqipja” problem për Siljanovskën? Zbulohen nenet që e “pengojnë” presidenten
Mosdekretimi i ligjit për mbrojtje të fëmijëve për shkak të Gjuhës Shqipe nga...
-
E rëndë: Vdẹs 36-vjeçari në Podujevë, po merrte infuzion për gripin sezonal
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Podujevë, ku një 36-vjeçar ka ndërruar jet...
-
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
Nesër në Kosovë pritet të kemi ndryshim gradual të motit. Paradite ende do të...