Lajme

Veriu nën presionin e pritjes së Vuçiqit

Autori: Gazeta inFokus 21:49 | 06 September 2018

Në prag të vizitës së kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në veriun e Kosovës, komunat e kësaj pjese të vendit, të banuara me shumicë serbe, në mënyrë të ngutshme janë duke u bërë përgatitjet për pritjen e tij, si dhe duke rregulluar infrastrukturën rrugore.

Nën dritën e vazhdimit të bisedimeve në Bruksel dhe zgjidhjes së mundshme përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, serbët në veri të Kosovës po presin se çfarë do t’u komunikohet gjatë fundjavës së ardhshme, për kur edhe është paralajmëruar vizita e Vuçiqit.

Shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq e ka paralajmëruar vizitën e presidentit serb si më gjithëpërfshirëse dhe më përmbajtësore.

-Advertisement-

Miladija Petkoviq nga Mitrovica e Veriut, thotë se pret shumë nga kjo vizitë.

“Nga presidenti presim shumë, por nuk e dimë se çfarë mund të bëjë për ne. Këtu është mjaft vështirë. Për shembull, për të siguruar barnat duhet të shkojmë në Rashkë, fatkeqësisht. Por, çfarë të bëjmë, ai po përpiqet aq sa mundet dhe i lumtë për këtë”, tha Petkoviq.

Por, ajo shtoi se vështirë se mund të arrihet ndonjë zgjidhje për gjendjen aktuale.

“Dëshirë kam, por vështirë se mund të ndodhë. Shumë vështirë. E shihni se sa janë kundër, madje edhe te ne, tanët. Por, ai (presidenti Vuçiq) është I fuqishëm”, tha Petkoviq.

Nemanja Mishiq nga Mitrovica e Veriut, thotë se nuk pret që vizita e tanishme e Vuçiqit të jetë më e rëndësishme se sa ato më parë.

“Mendoj që në esencë do të jetë njëjtë sikurse edhe herën e kaluar kur erdhi presidenti, ndonëse unë dje kam dëgjuar se afati përfundimtar (për arritjen e marrëveshjes) është shtyrë për vitin 2019. Kështu që, vetëm po bëhet shumë zhurmë dhe asgjë më shumë. Vetëm të qëndrojmë ne këtu, që ta ruajmë punën, në mënyrë që të mund të jetojmë. Më pas, mbase do të bëhet më mirë, hap pas hapi”, tha Mishiq.

Siç është paralajmëruar, pritet që presidenti serb Vuçiq ta përfundojë vizitën ditën e diel, me një adresim në tubimin në Mitrovicë të Veriut.

Igumeni i Manastirit në Deçan, Sava Janjiq ka shkruar më herët në rrjetin social Twitter se në shkollat serbe po bëhen të ashtuquajturat lista të punëtorëve, të cilët duhet të jenë të pranishëm në tubim më 9 shtator dhe se urdhri ka ardhur nga një institucion i rëndësishëm shtetëror i Serbisë.

Një veprim i tillë, sipas kryetares së Lëvizjes Evropiane të Kosovë, Rada Trajkoviq, është krejtësisht, siç e quan ajo, “sekret publik”. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se megjithatë, në krahasim me periudhat e kaluara kur presioni vinte vetëm nga institucionet e shtetit të Serbisë, tashmë ky presion vjen edhe nga institucionet e Kosovës.

“Marrë parasysh që të gjitha zgjidhjet për kuadro vijën përmes (Milan) Radoiçiqit (nënkryetar i Listës Serbe) nga Mitrovica e Veriut, i cili i kontrakton punësimet e njerëzve në institucionet e Kosovës, tash serbët e Kosovës, nga të dyja anët, janë të shtyrë dhe u duhet që t’i përgjigjen obligimit të punës, i cili nënkupton praninë e obligueshme sa herë që Vuçiq të vizitojë hapësirën e Kosovës”, tha Trajkoviq.

Ajo ka shtuar se janë bërë lista paralele të atyre që duan dhe të atyre që nuk duan që të jenë të pranishëm në tubim.

“Këta që nuk pranojnë, dyshohet se kërcënohen me pushim nga puna, por populli, megjithatë, po tregon një rezistencë të caktuar madje edhe ndaj presioneve të tilla, të cilat janë të ndërlidhur me ekzistencën e tyre”, u shpreh Trajkoviq.

Për sa u përket institucioneve të Kosovës, Trajkoviq tha se bëhet fjalë për vetëqeverisjet lokale dhe degët e tyre, gjegjësisht për organet e këtyre institucioneve, ministrive dhe ministrave, të cilët janë në Qeverinë e Kosovës. Sipas saj, “përmes mekanizmave të tyre, bëhet presion ndaj popullatës, ndaj të kthyerve, si dhe njerëzve që marrin shtesa të caktuara, sociale, pensionet dhe të tjera”.

Presidenti serb Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të premten, më 7 shtator, do të takohen sërish në kuadër të dialogut të Brukselit. Ndërkaq, dy ditë më pas, të dielën, më 9 shtator, Vuçiq do ta vizitojë Kosovën, siç është thënë, për të biseduar me banorët serbë.

Deri më tash, presidenti Thaçi, disa herë ka deklaruar që në Bruksel do ta paraqesë nismën për korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton edhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, por jo edhe ndarje apo shkëmbim të territoreve ose autonomi për serbët. Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq, ka deklaruar se angazhohet për caktimin e kufijve me shqiptarët në Kosovë. (REL)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera