Fokus

Vepra që i uli të gjithë shqiptarët këmbëkryq

Autori: Ermirë Berisha 18:26 | 29 November 2022

Skulptorja, Eliza Shala, për festën e 28 Nëntorit nderoi në mënyrë mbresëlënëse çdo qytetar të Kosovës.

Me shumë krenari ajo prezantoi paqen, urtësinë, sakrificën, ndërmjet skulpturës “Këmbëkryq”, të Fak Rexhepit, memorizuar nga objektivi i fotoreporterit, Hazir Reka.

“Këmbëkryq” po e monumentalizon kujtesën për madhështinë e gjestit të Rexhepit, i cili ishte ulur këmbëkryq në rrugë, në kohën kur policët e regjimit serb ndiqnin protestuesit e tjerë.

-Advertisement-

Shala në një intervistë ekskluzive për Gazetën inFokus, ka treguar si cili ka qenë motivi kryesor që të realizonte një vepër të tillë artistike e cila bëri jehonë në gjitha trevat shqiptare.

“Këtë fotografi të Hazir Rekës, e kam parë rastësisht, unë si një gjeneratë e re nuk kam pas njohuri për zotëri Faik Rexhepin dhe veprimin e tij gjatë demonstratave te vitit 1990. Qëndrimi i tij ndaj dhunës policore më ka motivuar shumë, qëndrim i cili paraqet urtësinë, mençurinë dhe rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë skulptorja.

Duke e nderuar në një mënyrë të veçantë njeriun, i cili krijoi idenë e paqes, që këtë ide e shndërroi në besim suprem, 20 vjeçarja tregon pjesën më emocionale të kësaj vepre.

“Gjeneratat e reja sot nuk kanë njohuri për sakrificën dhe peripecitë që kanë pasur gjeneratat e asaj kohe, gjatë okupimit serb prandaj kjo vepër simbolizon rezistencën tonë paqësore, e cila vepër duhet të ruhet në  memorien tonë kolektive e sidomos të rinjve, pjesa më emocionale e kësaj skulpture është qëndrimi i tij stoik, paqedashës ndaj dhunës policore”, shprehet ajo.

Por çdo qytetar i cili kalon para kësaj vepre duhet të ketë parasysh mesazhin e skulptores.


“Të mos harrojnë, e ta duan të kaluarën dhe historinë tonë të lavdishme”, ka shtuar Shala për Gazetën inFokus.

Vepra artistike “Këmbëkryq” është vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Ndryshe, Hazir Reka, është fotoreporteri, i cili përmes objektivit të tij ka pasqyruar demonstratat e vitit 1981./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera