Lajme

Vendoset paraburgimi për Muhamet Alidemaj për krime lufte ndaj popullatës civile

Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 01 April 2021

Gjatë ditës së djeshme një person është arrestuar nga ana e organeve të hetuesisë kosovare për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë saktësisht në fshatin Izbicë përgjatë viteve 1998/1999.

Muhamet Alidemajt 46 vjecar nga fshati Kerrninë e komunës së Istogut i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaj për krime lufte ndaj popullatës civile.

Njoftimi:

-Advertisement-

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.A. për veprat penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile e paraparë dhe sanksionuar me nenin 142 lidhur me
nenin 22 të Ligjit penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë(RSFJ) i cili ligj ishte në fuqi në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale, vepër kjo e paraparë dhe e sanksionuar edhe me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës(KPRK-së) me nr. 06/L-074 Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit M.A. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, përkatësisht deri më datën 29.05.2021.

Masa e paraburgimit të pandehurit M.A. i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1 dhe 2 pika 1.2.1 të KPPRK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehurit në liri mund të arratiset nga vendi apo fshihet me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe me këtë do të ndikonte në zvarritjen e procedurës penale.

I pandehuri M.A. dyshohet se me datë 28.03.1999 rreth orës 07:00 së bashku me një grup i përbërë mbi 50 veta të forcave ushtarake dhe policore serbe, kishin hyrë në fashtin Izbicë, fillimisht e kishin bombarduar fshatin duke shkatërruar shtëpitë dhe pasurinë e civilëve dhe në këtë mënyrë i kishin detyruar civilët që të dalin nga shtëpitë dhe i kishin grumbulluar në një vend dhe me forcë dhe kërcënim i kishin detyruar gratë dhe fëmijët që
të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës, ndërsa mbi 140 burra i kishin grumbulluar në një vend të quajtur ‘’Kodra e Zallit’’ dhe të njëjtit i kishin vrarë.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera