Lajme

Vendkalimi kufitar Stanqiq-Bellanoc pritet të hapet në shtator

Autori: Gazeta inFokus 12:49 | 08 July 2017

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shprehur sot besimin se shumë shpejt do të bëhet hapja e vendkalimit kufitar Bellanovc-Stanqiq, e cila do të mundësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave deri në 3.5 tonë.

Ai gjatë një takimi në Kumanovë me kryetarin e kësaj komune, Zoran Damjanovski, ka biseduar për hapjen e pikës së re kufitare Kosovë-Maqedoni, projekti i së cilës është financuar nga Komisioni Evropian.

“Tashmë jemi në prag të hapjes së kufirit Bellanovc-Stanqiq, i cili lejon mundësinë e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave deri në 3.5 tonë. Janë kryer procedurat dhe besoj që qeveria e kryeministrit Zoran Zaev dhe qeveria në detyrë e Kosovës ka mundësi që ta përgatisë sa më shpejt”, ka thënë Haziri.

-Advertisement-

Ai ka shfaqur shpresën se shumë shpejt edhe bujqit e fermerët Kumanovës do t’i shesin prodhimet ne Gjilan dhe anasjelltas, duke shtuar se finalizimi i këtij projekti është në interes të dy palëve.

“Unë besoj shumë që në shtator do të zyrtarizohet hapja e këtij vendkalimi, pasi kanë mbetur që të vendoset vetëm policia dhe dogana. Unë do të bisedoj me kryetarin e Komunës së Kumanovës që ta gjejmë një mënyrë që të mos i pengojmë qytetarët të qarkullojnë tash, por policia kufitare t’i kontrollojë dhe ta pengojnë kontrabandën”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërsa, kryetari i Kumanovës, Zoran Damjanovski, ka falënderuar kreun e Gjilanit për vizitën dhe bashkëpunimin e ofruar për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve të të dyja komunave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera